Gentian Çala: Halli ynë dhe halli i tij…

700
Sigal

Nga Gentian Çala

(satirë në fundjavë)

Halli hallit nuk i ngjan thotë populli, e duket se kjo thënie e urtë nuk ka si të mos zerë vend në kohra të ndryshme dhe me personazhe të ndryshëm. Në fakt, që kur erdhi në pushtet, ai që kishte hallin tonë, nuk e ka më aspak atë, ka vetëm hallin e tij, që e ndan dhe e qan, me ata që ka përreth dhe me ata që ndajnë paratë. Por, e ka bërë dhe vazhdon të bëjë që tu duket se po ju qan hallin.

Ai iu qante hallin juve o popull, kur bënte ERTV, se ju nuk kishit ku ti dëgjonit të mirat që bënte, se Kazanxhinjtë dhe Kadrinjtë nuk ju thonin të vërtetën. Kësaj të fundit, ‘të vërtetës”, po ia qan hallin edhe me ligj se Lehaqensve u duhet ngjirrur zëri, madje mundësisht, u duhet mekur. E këtë e bën Ai, vetëm për të mirën tuaj.

Ai iu qante hallin juve o popull, kur sajonte e miratonte konçensione a PPP-ra me lekët tuaj, të taksave tona, po pse pa shërbime mendonit ju se do të na linte. E unë vras mendjen, se si i kemi marrë këto shërbime kur nuk ishte Ai?! Hallin na e qan sot e gjithë ditën, ndaj merrni rrugët se për ata që keni lënë këtu do të vazhdojë të mendojë Ai dhe ata që e rrethojnë.

Ore po si kujtuat ju, përse rri Ai gjithë ditën në televizor?! Po të na qajë hallin se jemi bërë për të qarë hallin. Po si nuk e pyeti njëri nga ju, po si e ke hallin or ti? Se në të vërtetë edhe Ai ka halle, ndoshta më shumë se ne, por që ne nuk i dimë, se jemi bërë të gjithë arrogantë e mëndjepërpjetë. Ai na ndriçon përditë dhe ne nuk pyesim për të!

Jemi bërë edhe mosmirënjohës…shikoni çfarë po bën që të na zgjidhë hallet pas tërmetit, ku nuk po shkon dhe kujt nuk po i lyp ndihmë dhe lekë për ne, që këto pastaj t’ia japë shokëve të tij dhe të na bëjnë me shtëpi, madje më të bukura se ato që kishim. E të gjitha në kohë rekord. Mos shikoni ju se portali i tij, nuk mbledh lekë as sa Marin Mema, se ky i fundit ka kohë gjithë ditën të merret me atë punë. Ai po i mbledh lekë edhe administratës vetëm, për ju! Mosmirënjohës!

Po ku e kishit parë ju një si Ai, që jo vetëm ju qan hallin po ju le edhe pa institucione drejtësie? Fundja çdo ti donit ca KÇK-ra, kur keni Dvoranë dhe Ulsinë, që e bëjnë dhe e ndrisin drejtësinë? Po ju asnjëherë nuk keni për ta kuptuar o të mjerë se sa ju do Ai dhe sa mundohet për ju, kurse ju keni vetëm, hallin tuaj, ku do të punoni, sa lekë do të nxirrni në ditë, si ti paguani faturat, si ti bleni librat e fëmijëve, kush do tu shtrojë rrugën a kush t’iu bëjë me ujë të pijshëm. Të pashpirt!

Ai ka pasur hallin tuaj dje dhe e ka sot, hallin tuaj do të ketë edhe kur t’iu blejë votën, edhe kur t’iu shajë Metën dhe Bashën, gazetarë e analistë, opozitarë e hallexhinj, hallin tuaj ka edhe kur firmos e vulos vetë. Ndaj qajani hallin dhe mos u bëni egoist! Shikoni se sa po vuan, i ngrati, nuk ka kohë as ti thotë berberit të lutem ma pri mjekrën.
Se në fakt këtë duhet të bëjmë ne të gjithë, ti presim mjekrën dhe ta zbresim nga kali, që në fund ti themi: “E pe, ta qamë hallin”!