Sigal

Në këtë përkujtim të shkurtër dhe modest për At Zef Pllumin – siç është quajtur “I fundit i françeskanëve të mëdhenj shqiptarë” i lindur në një familje me origjinë nga fisi i Shkrelit i Malësisë së Madhe, siç thuhet edhe në librin e tij autobiografik, “Saga e fëmijnisë: un që jetova shumë shekuj” – nuk dua të kujtoj as vuajtjet e tij nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, as veprat e tij dhe as biografinë e tij. Siç dihet biografia e tij është kryesisht një jetë vuajtjesh e mundimesh. Ishin të mëdha vuajtjet e tij, por edhe veprat që ka lënë pas janë të një vlere të madhe historike për Kombin shqiptar, sidomos vepra madhështore, “Rrno për me tregue”.

Sa profetike për superiorin e tij At Marin Sirdani, i cili sikur ta dinte se çfarë reshë të zeza po i kërcënoheshin qiellit shqiptar me ardhjen e komunizmit – e këshillon At Zefin e ri, se “Na kemi nevojë për ty që të jetosh” dhe e porositi: “Ik, rrno! Vetëm për me tregue”. Në faqen 253 të librit “Rrno për me tregue” At Zef Pllumi kujton fjalët e superiorit të tij kështu: “Superiori Át Marin Sirdani më thirri në odë të vet për dy fjalë. Ndigjo, more djalë,- më tha,- unë e çmoj vendosmëninë tande, por çdo gjâ ka masë: çka del jashtë mase asht budallallek. E kupton? Ti ke ardhë këtu në kohën mâ t’keqe që ka pasë Katolicizmi ndonjiherë e sidomos na (françeskanët). Ktheu në katund, aty ku ishe, struku, mos fol, as mos i beso as këmishës sate. Na kemi nevojë për ty që të jetojsh e jo me dekë. Na pleqtë, edhe na ardhtë puna me dekë, e kemi kositë livadhin, por ju të rijt duhet të jetoni. Zoti asht i Madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshej njerzit do t’kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranëve. Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgjâ në mos kjosh i zoti me bâ, rrno vetëm për me tregue. A e kupton çka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na, mbaron edhe ti: të gjithë shkojmë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallxue se si kje puna. Kush të teprojë (të mbesë gjallë) le të kallxojë! Nuk asht fjala që po mbarojmë sot. E dijmë këtë. (Por) Nuk duhet të mbarojmë për nesër e për shekujt e ardhshëm. E kupton këtë? Fra Zef, unë jam sot për sot Superjor: po të jap urdhën: Ik, rrno! Vetëm për me tregue!

– E unë rrnova… e mora si detyrim…nuk e di a ia kam mrritë!,- ka rrëfyer më vonë, Át Zef Pllumi.

E përmenda këtë, jo për t’u përqendruar në të kaluarën e vuajtjeve të At Zef Pllumit dhe shumë e shumë shqiptarëve të tjerë, – një e kaluar, e cila u duhet kujtuar brezave dhe duhet dënuar njëherë e mirë për të mos u harruar kurrë, në qoftë se dëshirojmë që të mos përsëritet më. Është kjo një thirrje që At Zef Pllumi e bënte vazhdimisht sa ishte gjallë dhe një mesazh që ai ka theksuar pothuaj në të gjitha veprat, shkrimet, deklaratat dhe intervistat që prej lirimit të tij nga burgjet dhe kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Është ky një mesazh që ai e ka theksuar shpesh duke treguar të kaluarën, por duke shikuar nga e ardhmja e Kombit shqiptar – që ai u ka bërë, sidomos, intelektualëve shqiptarë – që pas natës së gjatë e të errët të komunizmit, të bashkojnë, më në fund, “Jo vetëm fuqitë e veta mendore, por edhe zemrat për atë idealin e përbashkët që sot për sot ashtë vetëm Progresi i Kombit”.

Ishte nja 25 vjet më parë, maji i vitit 1993, kur u promovua numri i parë i revistës së famshme të françeskanëve shqiptarë, “Hylli i Dritës” – një shekull pasi ishte ndaluar së botuari – në një ceremoni në Kuvendin Françeskan ku merrnin pjesë një numër i madh bashkëpunëtorësh, të rinj e të vjetër, të kësaj reviste të famshme, përshfirë studiues të kulturës, artistë, gazetarë, intelektualë të fushave të ndryshme, botues dhe të tjerë. Aty ishte edhe At Zef Pllumi, i cili përshëndeti fillimin e ribotimit të revistës së famshme shqiptare, me të cilin rast, duke shikuar nga e ardhmja e Shqipërisë dhe shqiptarëve, në traditën patriotike dhe atdhetare të dashurisë për Kombin dhe kulturën shqiptare, iu drejtua intelektualëve shqiptarë me disa fjalë porosie që tingëllojnë edhe sot aktuale, madje edhe pas një gjysmë shekulli që ai i shqiptoi ato. Duke përshëndetur rifillimin e “Hyllit të Dritës”, At Zef Pllumi i ka bërë këtë porosi klasës intelektuale shqiptare, e cila fatkeqësisht mbetet edhe sot e kësaj dite pa u realizuar.

“Miq të nderuem, falë mëshirës së Zotit ia mbërritem kësaj dite. Nata që kaluem qe e gjatë dhe e vështirë. Liria që u fitue duhet të bije edhe dritën” filloi At Zef Pllumi fjalën drejtuar intelektualëve shqiptarë të mbledhur aty dhe vazhdoi: “Sot po jepet rasti, përsëri mbas sa vitesh që bashkëpuntorët e “Hyllit të Dritës” të japin kontributin e vet në kulturën shqiptare me aq dritë sa mund të lëshojë nji yllë. Por, ndërkaq urojmë që kultura shqiptare nesër të ndrisë si diell”, ka shtuar ai, duke nënvizuar optimizmin e tij për të ardhmen. “E ky diell jo vetëm do të ndrisë, por edhe do të ngrohë të gjithë popullin, në qoftë se intelektualët shqiptarë kanë me i bashkue, jo vetëm fuqitë e veta mendore, por edhe zemërat për atë ideal të përbashkët, që sot për sot ashtë vetëm, “Progresi i Kombit”- është shprehur frati i Malësisë dhe i gjithë Shqipërisë. “Ky progres duhet të jetë i gjithanshëm, jo vetëm ekonomik – po ma tepër mendor, shoqënor dhe kulturor”, ndërkohë që At Zefi theksoi se, “Mendoj se duhet t’u kujtoj intelektualëve shqiptarë se sado shkencë që të kenë, sado dije dhe erudicion që të përhapin, kurrë nuk do të mbërijmë në atë nivel kulturor që na duhet – po nuk patëm dashninë për njani tjetrin. Në rast se mungon dashunia”, ka theksuar At Zefi. “Në atë rast, duhet të kemi mirëkuptim. Dhe në qoftë se edhe ky do të mungojë, atëherë do t’i referohemi virtytit të tolerancës. Po mungoi edhe ky virtyt, atëherë jemi xhahilë. Xhahillëku ashtë shkatërrimi i Kombit. Në qoftë se nuk respektohen mendimet e njani tjetrit, don me thanë se nuk respektohet njeriu. Po nuk u respektua njeriu, e drejta dhe liria e mendimit – praktikisht mbërrijmë në përfundimin se nuk duem as Kombin, as Atdheun”, është shprehur At Zef Pllumi. Ai ka përfunduar fjalën e tij të shkurtër me atë rast duke u bërë thirrje intelektualëve shqiptarë – që nga tubimi në Kuvendin e Françeskanëve, në maj të vitit 1993, një Kuvend që sipas tij përfaqëson shumë rryma të mendimit të lirë shqiptar të – “Marrin shembull konkret për atë bashkëpunim të inteligjencës shqiptare, që duhet t’i prijë këtij populli fatkeq, për me ecë përpara me ngulm në rrugën e vërtetë të Progresit Kombëtar”.

Është kjo një thirrje dhe një mesazh aq aktual edhe sot, në këtë 95-vjetor të lindjes së At Zef Pllumit dhe 30-vjet pas shembjes së komunizmit, kur jo vetëm klasa politike shqiptare është e ndarë dhe e përçarë, por fatkeqësisht as klasa intelektuale shqiptare sot nuk është e bashkuar me mendje e zemër rreth idealit të përbashkët të “Progresit të Kombit”, siç do ta dëshironte At Zef Pllumi – Krenaria e Shkrelit dhe Nderi i Kombit — edhe në këtë ditë të lindjes së tij, duke na bërë thirrje që, sipas mundësisë, secili prej nesh, të lëshojmë aq dritë sa mund të lëshojë edhe një yll, në rrugën e vështirë e të gjatë të progresit kombëtar.

*Ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë