Fatos Lubonja/ Për të krijuar një ekonomi të shëndoshë, opozita duhet të gjejë ide të reja për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit

509
Sigal

Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja në një shkrim për gazetën Panorama bën një analizë të krizës politike në vend, ekonomisë kriminale dhe nevojës për krijimin e një alternative të vërtete për krijimin e një ekonomie të fortë, forcimin e institucioneve demokratike dhe luftën ndaj krimit.

Lubonja shkruan se kriza aktuale mund të sjellë dy rrugë ose “të na çojë në konflikte civile të forta, në politika shtypëse të dhunshme, në zbrazje të mëtejshme të vendit, [ose të] shkëpusë politikën nga krimi, të ndërtojë një ekonomi të shëndoshë, të forcojë institucionet demokratike etj”.

Kriza e sotme, sipas Lubonjës u krijua sepse:

Ekonomia shqiptare doli nga komunizmi si një anije e paaftë për të “lundruar” në oqeanin e tregut të lirë, [dhe politikanët shqiptarë] e shitën atë pjesë-pjesë për skrap për t’u pasuruar vetë.

Politikanët shqiptarë nuk u përpoqën ta ndalonin procesin e [emigrimit dhe krimit], por e inkurajuan duke ndërtuar brenda vendit edhe lehtësirat e thithjes së parave të krimit.

Pastrimi i parave ndërtoi një ekonomi që nuk u rrit gradualisht […] duke nënkuptuar para të pista në duar njerëzish të paditur, të pamoralshëm, që duan t’i shndërrojnë ato sa më shpejt në pasuri të patundshme.

Ky njeri trafikantëve të bërë biznesmenë sot ka hyrë e po bën politikë duke e tjetërsuar atë përditë e më shumë nga shërbim ndaj shoqërisë në punë të pistë për t’u pasuruar.

Për të krijuar një ekonomi të shëndoshë, Lubonja shprehet se nuk mjaftojnë vetëm denoncimet e opozitës “se me paratë e krimit vidhet vota” apo deklaratat “në mënyrë superficiale se me ardhjen e saj në pushtet, edhe do të eliminojë krimin, edhe do të dyfishojë apo trefishojë rrogat e mjekëve apo rrogat e pensionet minimale”.

Por, opozita duhet të hapë “një kantieri idesh, me të gjithë njerëzit me përvojë dhe vullnet të mirë që e njohin dhe ndjejnë problemin për ndërtimin e vizionit të një Shqipërie alternative ndaj Shqipërisë inkubator të krimit që kemi sot, me idenë se po qe se njerëzit do të bëhen pjesë e këtij procesi, herët ose vonë kjo do t’i çojë te thirrja “Shteti jemi ne!” (kundër shtetit të krimit)”.

[…] Ajo duhet “të ndërtojë (e përsëris: së bashku me njerëzit) projektin sesi do të mund të arrihet të sigurohen këto të ardhura nëpërmjet një ekonomie të ndershme e të qëndrueshme, që do të zëvendësojë ekonominë kriminale”.