Eshtë koha për ndryshimin e madh!

196
Sigal

Nga Bujar Nishani

Në sistemin politik të një vendi të lirë dhe demokratik aftësia dhe integriteti i një qeverie, modelit qeverisës dhe udhëheqësit të saj, shfaqet dhe vlerësohet më së shumti, veçanërisht, më qartë e më drejtpërdrejtë, në kohë krizash dhe sfidash të mëdha.

Megjithëse Shqipëria konsiderohet sot një vend pjesërisht i lirë dhe një “demokraci hibride”, përsëri shqiptarët kanë të gjithë të drejtën të pretendojnë dhe kërkojnë normalitetin e një sistemi dhe shoqërie siç ajo funksionon në çdo vend tjetër evropian.

Sot është ora e llogarisë së qeverisjes aktuale dhe modelit që ajo solli në Shqipëri !

Gjatë 8-të viteve të pushtetit të Edi Ramës (pushtet absolut në 4 vitet e fundit), dominon rëndë praktika e prishjes së të gjithë arkitekturës së shtetit, asgjesimi i pushteteve të një demokracie funksionale, korrupsioni i kthyer në kulturë, inkriminimi i politikës dhe mekanizmave vendimarrës brenda pushtetit (qëndror & lokal), mashtrimi si elitë, dhuna si ofertë e vetme nëse nuk pranon korruptimin, grabitje, intriga, fasada, tradhëtia kombëtare e plot fenomene të tjera, që do ta kishin rrëzuar me dramë të fortë prej kohësh, këtë lloj qeverie, në çdo vend tjetër normal.

Të gjitha këto fenomene dhe padrejtësi ekstreme mbi kurrizin e shqiptarëve jo vetëm që njihen mirë prej shqiptarëve, por dihen mirë gjithashtu arsyet e ekzistencës së tyre e veçanërisht i këtij modeli qeverisës.

Por kryesoret e mbi të gjitha qëndrojnë ; PAAFTESIA & KORRUPSIONI !

Paaftësi dhe Korrupsion që nis nga maja e pushtetit e përshkon tërë piramidën dhe përkatësinë e tij.

Paaftësi & Korrupsion që ka sjellë dëme pa fund por më shumë se gjithshka, ka vrarë Shpresën dhe Besimin !

Ka raste, shembuj, fakte pafund të skandaleve, paaftësisë e korrupsionit në jetën e përditëshme të shqiptarëve në këto 8 (tetë) vitet e fundit.

Por prova më e fortë, standarti i aftësisë dhe përmasa e integritetit, vlerësohen, peshohen e gjykohen në rastet e sfidave të mëdha e të veçanta.

Tërmeti shkatërrues dhe Pandemia izoluese (që të dyja vdekjeprurëse) ishin sfida të mëdha por dhe prova matëse.

Tërmeti thelloi fatalitetin dhe humbjen e jetës së shqiptarëve për shkak të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë për të reaguar dhe siguruar njerëzit nga dëmet dhe shkatërimet e goditjes së muajve më parë.

Lënia në mëshirën e fatit të forcave të mbinatyrshme ishte një paaftësi me pasoja kriminale.

Kaosi, anarkia dhe mashtrimet ndaj qytetarëve të mbetur mes “katër rrugëve”, treguan fort sa e Paaftë dhe e Papregatitur ishte qeveria e Edi Ramës, për një sprovë të tillë.

1.15 miliardë Euro mobilizoi Bashkimi Evropian, si në asnjë rast tjetër tërmetesh më parë, në ndihmë të shqiptarëve.

Sot, askush nuk ka ende shtëpinë e rikthyer, pallatin e rindërtuar, as shpresën për nesër.

Fatkeqësia e shqiptarëve të thjeshtë u shndërrua në prenë e korrupsionit të pushtetarëve grykës.

90% e fondeve të prokuruara pa asnjë konkurencë dhe troje pallatesh të piketuara për tu zhvatur nga xhagajdurët e pushtetit.

Paaftësia parapriu Korrupsionin, Korrupsioni ndoqi Paaftësinë !

Ky ishte modeli i vetëm i kësaj qeveri përballë Provës !

Pandemia nga Covid-19 përfshiu të gjithë botën. Ishte një sfidë globale. Por edhe një rast për të parë dallimet midis modeleve të ndryshme qeverisëse.

Qeveria e Edi Ramës u gjend më e papregatitura nga të gjitha qeveritë e rajonit tonë.

Reagimi me vonesën tragjike në kontrollin e hyrjeve nga zonat e Italisë së Veriut, ku pandemia kishte marrë përmasa dramatike i kushtoi shqiptarëve jetë të humbura.

Kaosi dhe kolapsi që pushtoi gjithë shoqërinë shqiptare në mënyrën më delirante u tentua të fshihej pas akteve qeveriare skandaloze, antikushtetuese dhe diabolike si dhe pas teatrit me tanke e blinda rrugëve të kryeqytetit.

Nëse vendet e tjera përreth Shqipërisë i dolën në mbrojtje ekonomisë dhe bisneseve të qytetarëve të tyre, qeveria e Edi Ramës paratë e shtetit i kishte bërë “rrush e kumbulla” në xhepat e oligarkëve dhe borxhin publik të shtetit e kishin katandisur në 80%.

Ekonomia e familjeve shqiptare shkoi në kolaps nga Paaftësia totale e qeverisë.

Fshihej numri i vdekjeve, refuzohej testimi i zgjeruar, ambulancat refuzonin të merrnit të sëmurët nga shtëpitë se nuk kishte shtretër gati në spitale, pacientët vdisnin në spitale pasi paisjet e oksigjenit ishin vetëm për 1/100 e të sëmurëve.

Paratë shkonin për bisneset e korruptuara të ashtuquajturave PPP.

Korrupsioni pasonte Paaftësinë dhe Paaftësia mbulohej me Korrupsion.

Injektimi i shqiptarëve me të ashtuquajtura “vaksina”, të paçertifikuara nga autoritetet evropiane dhe pa garancinë as mesatare të mbrojtjes, tentonte të fshihte Paaftësinë e qeverisë për të siguruar vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca.

Në Shqipëri ndodhi ajo më e paimagjinuara edhe në vendet me sisteme më anarkise të Afrikës, kur parlamentarët votuan një kontratë të qeverisë pa e parë, lexuar e njohur se çfar ishte ajo e çfarë po votonin ata.

Parlamentarizmi kishte vdekur me kohë në Shqipëri, por ai akt ishte përdhosje e “kufomës”.

Më e paimagjinueshmja në Botë !

Një katandisje e tillë e shtetit, institucioneve dhe shoqërisë tonë, nuk do të mund të kishte ndodhur nëse Paaftësia dhe Korrupsioni nuk do të ishin modeli i vetëm dhe kultura përfaqësuese e qeverisë së Edi Ramës.

Ndaj një model i Paaftësisë dhe i Korrupsionit nuk mund të jetë më Kryeministër i Shqipërisë !

Eshtë koha për një Ndryshim rradikal e të thellë !

#25PrilliZgjidhje

Image