Ergys Alushi: Vlora mes krizës dhe investimeve. Bashkia inekzistente, pa projekte dhe administratë të fryrë me militantë

861
Sigal

Vlora nuk ka qenë kurrë më parë në një krizë të tillë ekonomike, shoqërore e sociale. Ashtu si kurrë më parë nuk janë kryer investime të tilla të mëdha si ndërtimi i shëtitores përgjatë bregdetit Skelë-ujë i Ftohtë, Unaza e qytetit, Bulevardi Vlorë-Skelë, rikonstruksioni i qendrës së qytetit, etj. Këto janë dy kontrastet që karakterizojnë Vlorën e viteve të fundit. Nga njëra anë varfëria e papunësia e madhe dhe nga ana tjetër investimet, të cilat, mesa duket, nuk po japin efektin që pritej në komunitet, kur mëson se largimet e familjeve e të rinisë vlonjate nga Vlora janë të frikshme. Përballë një situate të tillë, institucionet e pushtetit vendor dhe ato me varësi nga qendra janë të pafuqishme, të paafta dhe pa asnjë kompetencë për të vepruar.

Bashkia e Vlorës është pothuajse inekzistente, pa projekte konkrete, me administratë të fryrë me militantë partie, me nivele të ulëta të realizimit të të ardhurave dhe investimeve. Që nga kryetari i bashkisë, drejtues zyrash e deri në nëpunës janë nën hetim nga prokuroria për abuzime në leje e ndërtimit e koncesionin e parkimeve. Vetëm për gjyqin ndaj firmës që mori me koncesion parkimet në qytet, kryetari i bashkisë, Dritan Leli ka shpenzuar nga fondet e bashkisë rreth 1 milion euro që janë përdorur për shpenzime gjyqi. Në institucionet tatimore rezultojnë rreth 70 subjekte që kanë mbyllur licencën vetëm gjatë muajit janar, shifër kjo më e lartë se janari i vitit të kaluar, ndërkohë që rezultojnë vetëm 10 licenca të reja të hapura. Vitin e kaluar ishin më shumë se 200 subjekte që mbyllën licencat duke i dhënë fund veprimtarisë private. Në portin e Vlorës funksionon vetëm një traget dhe përpunohen një ose 2 anije në tre muaj të vitit. Shëndetësia e Vlorës rrezikon të mbetet pa mjekë e infermierë, të cilët po largohen dita ditës për jashtë vendit. Shtëpia e lindjes është pothuajse bosh, pasi vlonjatët nuk kanë më besim në Vlorë, për shkak të numrit të lartë të vdekjeve që janë regjistruar në këtë spital, pavarësisht se kushtet në spital kanë ndryshuar për mirë në krahasim me vite më parë.  Universitetit të Vlorës i mungojnë më shumë se një mijë studentë nga viti i kaluar, si pasojë e ligjit të arsimit të lartë, ndërkohë që janë mbyllur dhe disa degë si fizikë, kimi, matematikë. Institucionet me varësi nga ministritë janë pothuajse inekzistente dhe në shumicën e tyre drejtuesit janë të komanduar. Janë të përfolur për abuzime si hipoteka, elektriku, spitali psikiatrik, posta etj. Shkollat e Vlorës janë në masën 90 për qind pa ngrohje, me problematika të shumta në cilësinë e mësimdhënies dhe të disiplinës, ndërkohë që drejtuesit e shkollave janë emëruar jashtë çdo kriteri si militantë partiakë pa formimin dhe përvojën e duhur. Nga shumë shkolla nëntë-vjeçare e të mesme raportohen përditë mungesa të nxënësve, të cilët largohen nga shkolla, si pasojë e largimit të familjeve të tyre jashtë shtetit.  Edhe situata e rendit është problematike. Janë shtuar grabitjet e banesave e bizneseve, por policia nuk i raporton. Kush do të kryejë një vepër kriminale e kryen dhe nuk e pengon askush, sepse shkalla e parandalimit të veprave penale ka rënë ndjeshëm në ndryshim nga vite më parë. Pas problematikave të shfaqura me biznesin përgjatë lungomares së famshme, ato po shfaqen dhe në bizneset në të dy anët e bulevardit Vlorë-Skelë ku operojnë rreth 150 biznese që nga kancelaritë e deri te bankat. Jo vetëm punimet, por edhe ngushtimi i rrugës e mungesa e parkimeve pritet të krijojë probleme në biznes dhe për këtë arsye shumë biznese kanë filluar të kërkojnë ambiente të reja ose po mbyllin aktivitetet.

Shumë rrugë, sheshe e blloqe banimi në qytet janë të amortizuara në një masë të konsiderueshme, duke filluar që nga lagjet në qendër si “Lef Sallata” e “28 Nëntori” e deri në periferi si në lagjet “11 Janari”, “Kushtrimi” e zona industriale.
Lagje si “Partizani”, zona e njohur me emrin “Llonxhë”, vetëm 200 metra larg godinës së bashkisë jeton prej vitesh të tëra në mjerim të plotë, pa asnjë investim ku mungojnë kushtet më elementare. Gjithçka ndodh kur bashkinë e Vlorës e drejtojnë prej 20 vitesh socialistët.