Engjëll Musai: Qeveritar i mirë nuk është ai që të fshin lotët, por ai që nuk të bën të qash

803
Sigal

Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Kjo shprehje e urtësisë popullore, më shumë se kurrë është aktuale sot, kur shqiptarët po arratisën dhe syrgjynosen të rraskapitur duke lënë vendin dhe familjen, duke shitur pasurinë dhe gjithçka u ka mbetur, pasi ky vend nuk jep shpresë dhe garanci për jetën e sotme dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Duam apo nuk duam, jemi kthyer në një vend kolonial dhe ku kolonizatorët po rrjepin pasuritë nëntokësore, mbitokësore, ajrore, detare dhe gjithçka tjetër ka mbetur nga e kaluara kur nisi ndërtimi i këtij shteti që nga 1912 deri në 1992-shin. Qeveritë ndër vite janë tallur, kanë përbuzur qytetarin, pensionistin, prindin, studentin, nxënësin, fëmijët dhe gjithçka të gjallë që ende qëndron në këmbë në këtë vend të begatë, por që fatkeqësisht në këto vite ra në duart e batakçinjve, hajdutëve, trafikantëve dhe bandave, me dhe pa kostum partiaku dhe qeveritari. Dhe, në vend që qeveritë të ndryshojnë situatën, ato sa herë që janë në opozitë, me shamitë në duar u afrohen votuesve dhe u fshijnë lotët, duke harruar shkaktarët që i bëjnë për të qarë.

Të flasësh për situatën e varfërisë që ka pllakosur dhe babëzisë së qeveritarëve duhen ditë e net, por në mënyrë modeste, shkak për këtë shkrim të shkurtër u bë dje njoftimi i komisionit të ekonomi-financave të socialistëve për të shtyrë deri në fund të vitit 2020, koncesionin e kolaudimit të makinave.

Po mirë që e shtytë, po premtimin që u dhatë shqiptarëve, se ‘sapo të vijmë në pushtet do t’i zhbëjmë të gjitha koncesionet korruptive të demokratëve të dhëna nga viti 2005 deri në 2013, ku e çuat?

Po më këtë premtim ju morët votat, zoti Rama, apo “kalova lumin të dh…kalin”?!

Po shqiptarët që po vuajnë çdo ditë përse i torturoni?

Po si ka mundësi që një automjet që është Benz Mercedes, Volkswagen, Ford, Peugeot, BMV, Nisan etj., etj., ka edhe pikën e riparimeve, edhe kompjuterët e lidhura me fabrikën dhe ti kolaudimin ia jep një firme anonime apo preferenciale?!

Mjafton të përmendim faktin që në vendet evropiane dhe ato të Ballkanit ka nga 5 apo më shumë kompani që bëjnë kolaudimet. I bëjnë koncesionarët e makinave që i kanë prodhuar dhe se shumica i ka në bazë të kilometrave dhe jo çdo vit, por mbi dy vjet e sipër. Dhe dje qeveria e ardhur në pushtet me premtimin e madh, se do ta shkatërrojë dhe do ta prishë koncesionin, jo vetëm që nuk e zhbëri, por i shtyn edhe afatin, edhe pse i ka mbaruar kontrata.

Turp për të gjithë faqezinjtë dhe batakçinjtë e kësaj maskarade, akoma më turp për qytetarët, taksapaguesit dhe drejtuesit e mjeteve dhe koncesionarëve që heshtin. Harruat t’i hetonit dhe prishnit koncesionet që premtuat si ai i Pasaportave, skanimi i doganave (rapiscani, ngjyrosja e karburantit, lotaria austriake) Harruat dhe shtytë afatin e koncesionit të aeroportit, i cili operon me biletat më të shtrenjta në Evropë, atë të portit të Durrësit dhe shumë të tjera. Të mashtrosh elektoratin e majtë dhe besimin e shqiptarëve ditën për diell, jo vetëm që është një turp i madh, por edhe një tragjedi e vërtetë. Patriarku i letrave shqipe dhe ikona e së majtës Dritëro Agolli, kur politikanët gënjenin, mashtronin votuesit por edhe taksapaguesit thoshte: “Do na akuzojë majmuni (si paraardhësi ynë), dhe do të thotë: O bij, akoma nuk u bëtë njerëz …!”. E pra, ky amanet i të pavdekshmit Agolli është aktual edhe sot. Dhe ky rast i koncesionit të kolaudimit të makinave tregon, se ne nuk kemi nevojë për liderë të mëdhenj, as për burra të mençur, por kemi nevojë për njerëz të ndershëm, që nuk dalin nga mëngjesi në darkë, ekran më ekran për t’i fshirë lotët qytetarëve me mashtrime. Por ne kemi nevojë për njerëz që mendojnë, sakrifikojnë dhe nuk i bëjnë qytetarët të qajnë. Dhe Shqipërisë nuk i mungojnë këta njerëz, edhe pse vendi noton në ujëra të turbullta dhe të menderosura.

Rilindja harron premtimin, zgjat koncesionin e kolaudimit të makinave

Para se të vinte në pushtet në vitin 2013, socialistët dhe kryeministria aktual, që në ato vite ishte në opozitë deklaronte, se sapo të vijmë në pushtet do prishim të gjitha koncesionet e kryera nga qeveria Berisha