Sigal

Takimi me “Diasporën” që do të zhvillohet në Tiranë nga data 28 Shkurt – 2 Mars 2019, përkon vetëm tre muaj përpara zgjedhjeve lokale dhe kjo ndoshta nuk lë një shije të mirë për shqiptarët, të cilët të detyruar për shumë arsye kanë zgjedhur të jetojnë dhe banojnë kudo në botë, por që tashmë thirren për ndihmë, pikërisht nga ata që i detyruan të “arratisen” jashtë vendit, nga keqqeverisja, papunësia, mosvlerësimi intelektual, krimi dhe korrupsioni.

E theksojmë që në fillim këtë fakt, duke u nisur edhe nga lista e kandidatëve zyrtarë që ka publikuar Këshilli Koordinues i Diasporës. Kjo listë në njoftimin zyrtar thuhet se është përgatitur nga ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Gjithashtu në këtë njoftim thuhet se kandidaturat janë zgjedhur sipas procedurave ligjore dhe të propozuara nga ambasadat e akredituara jashtë vendit. Pra përzgjedhja nuk është bërë nga grupimet, organizatat dhe shoqatat e diasporës, por janë përzgjedhur “ligjërisht” nga ambasadorët e ambasadave.

Ndërsa Zv. Ministri i Jashtëm Etjen Xhafaj ka dhënë detaje për këtë organizim nga studio e ERTV ( kreut të PS-së), ku theksoi se: “Samiti i Diasporës, që organizohet në vijim të politikave shtetërore për rritjen e bashkëpunimit me diasporën, bën të mundur që vetë përfaqësuesit e diasporës të komunikojnë te qeveria idetë dhe propozimet për politikat shtetërore që do zbatohen në vijim, në fushën e diasporës. Në samit do të ketë katër panele diskutimi që do të diskutojnë çështje të orientuara nga diaspora, si e drejta e votës për diasporën, zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, arsimin dhe kulturën, si dhe për turizmin.” Përfundon deklaratën zv/ministrit Xhafaj. Pra, indirekt kjo deklaratë e zv/ministrit përgjegjës për organizimin e Samitit të Diasporës e ka qëllimin tek organizimi i të emigruarve dhe ndikimit të tyre në Shqipëri për të grumbulluar vota. A është e vërtetë një gjë e tillë?!

Fakti që një pjesë e mirë e listës ka brenda saj kryetarët e PS (rilindjes) në diasporë si; në Greqi, Itali, apo ish-drejtues të strukturave rinore, ato partiake dhe shtetërore të së majtës në pushtet para se të emigronin, të bën të mendosh se ky takim, më shumë se i sinqertë, është i djallëzuar. Dhe qeveria e rilindjes në Tiranë po përdor çdo mënyrë dhe metodë vetëm e vetëm të qëndrojnë në pushtet. Fakti që mbi 900 shkencëtar shqiptar që ndodhen në botë nuk janë ftuar, tregon hipokrizinë e kryeministrit Rama me këtë takim show.

Nga ana e saj opozita në Shqipëri reagoi nëpërmjet zëdhënëses Ina Zhupa duke deklaruar, se “Rama do të shpenzojë 670 milionë lekë për propagandë. Ky aktivitet që kushton 670 milionë lekë dhe i quajtur “Samiti i Diasporës” në çdo çmim të paraqitur e ka të fryrë jashtë mase dhe jashtë çdo logjike financiare të tregut. Për regjinë e aktivitetit në ERTV kërkon të vjedhë në emër të emigrantëve plot 12 milionë lekë; një udhëtim Tiranë-Lezhë vendoset më çmimin 20 milionë lekë d.m.th., 25 mijë personi; vendosja e dy flamurëve në shtyllat e bulevardit të Tiranës vendoset me çmimin 22 milionë lekë; Transporti në expo city që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës është llogaritur 10 milionë lekë; Skenografia e aktivitetit është llogaritur 180 milionë lekë… Vjedhje e hapur me paratë e shqiptarëve për të bërë propagandën qeveritare dhe për të mbushur xhepat e vet”, citon zëdhënësja e opozitës Ina Zhupa. A do ta pranojnë këtë skandal kandidatët për Këshillin Koordinues të Diasporës. A do bëhen pjesë e këtij abuzimi të denoncuar nga opozita shqiptare, ndërkohë që qytetet e Shqipërisë varfëria është ulur këmbëkryq?

Nga ana tjetër ministri i qeverisë Rama për diasporën, Pandeli Majko në një intervistë të dhënë gazetares Mirela Milori, për Tv. Abc, ndryshe nga zv/ministri, deklaroi një të qeshur ironike se “është vet diaspora ajo që do e organizojë Samitin e 2-të të Diasporës”, dhe ne këtë mënyrë po të dështojë ky Samit apo të krijojë ilaritet sikurse po e krijon, t’ia vërë fajin diasporës, pasi do mbahet “nën drejtimin e përfaqësuesve të diasporës” shprehet ministri për Diasporën Pandeli Majko. Një tjetër fakt tronditës dhe që bie ndesh me parimet për të cilat flet organizatori përgjegjës , zv/ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, kur thotë se ,” të ftuar nga qeveria në Samitin e Dytë të Diasporës, ku do të diskutohen çështje të lidhura me diasporën si faktor zhvillimi të Shqipërisë dhe jo vetëm”. Atëherë lind pyetja: Kush janë këta individë, cilat shtete përfaqësojnë dhe sa peshë kanë në kancelaritë e vendeve ku jetojnë në mënyrë që të ndikojnë dhe të krijojnë lobingje për të mbështetur Shqipërinë dhe çështjet Shqiptare në organizmat politikë dhe ekonomikë? Shiko listën e kandidatëve për Këshillin Koordinues të Diasporës për Amerikën janë 6 veta në krahasim me listën për Kanadanë që ka 19 veta. Zvicra ka 12 kandidatë, Greqia 6 dhe akoma më e turpshme kur Gjermania ka vetëm 2 kandidatë. Po ku ka më shumë shqiptarë të të gjitha trevave shqipfolëse? Po pesha vendimmarrëse politike dhe ekonomike nga kush varet? Diaspora shqiptare në SHBA, e cila në fillimshekullin e kaluar ka shpëtuar Shqipërinë dhe në fundshekullin  XX edhe Kosovën, duke siguruar edhe pavarësinë e saj, ndërkohë që ka punuar për marrëdhënie të forta midis Kombit shqiptar dhe atij amerikan, duket se kanë vendosur të mos e përfillin fare. Nga 6 kandidatët për Amerikën vetëm Mark Gjonaj ka peshë, të tjerët as nuk i njeh njeri. E njëjta gjë edhe për Gjermaninë, apo Greqinë ku banojnë mbi 600 mijë shqiptar. Dikur Presidenti i SHBA-ve Ronald Reagan, deklaronte “Here we go again…” – “Ja përsëritet historia”. Dhe ky Samit përsëriti jo vetëm Diasporën 1, por edhe na solli ndër mend 50 vitet e sistemit të kaluar, ku pjesa dërrmuese e qeveritarëve me në krye “timonierin Rama” , janë pasardhës në mentalitet dhe vendimmarrje të atij sistemi.