Dom Gjergj Meta: Rrësheni është qyteti i njerëzve të mirë

595
Sigal

Sot, kur u vra Tonini para Katedrales, pikërisht në atë çast, aty kaloi një grup me francez. Një burrë me djalin e tij dhe shokët e djalit të tij. Pasi kishin qenë në Krujë te muzeu i Heroit tonë, kishin ardhur të vizitonin Mirditën. U gjendën pikërisht në momentin që kishte ndodhur vrasja. Pasi mbaruan vizitën e tyre te Kantina e Arbërit erdhën e më vizituan edhe mua, pasi donin të dëgjonin nga Ipeshkëvi për Mirditën. Pyetja e parë që më bënë ishte për vrasjen para Katedrales. Atëherë jo pa pezm e dhimbje u thashë: “Më vjen keq që qëlluat në këtë çast e patë me sytë tuaj një skenë kaq makabër. E megjithatë Rrësheni është qyteti i njerëzve të mirë; i njerëzve të jetës së përditshme; i atyre burrave, grave, të rinjëve e fëmijëve që çdo të diel bëjnë të gumëzhijë Katedralja e mbushin sheshin me cicërimat e tyre fëmijërore. Është qyteti i xhiros së darkës, e i përshëndetjes plot mirësjellje: “a mujte?” Është qyteti i djemve dhe vajzave që mësojnë në shkolla e kanë ëndërra për jetën e të ardhmen. Një ngjarje nuk e identifikon këtë qytet. Ajo mund të kishte ndodhur kudo. Nuk na përfaqëson një ngjarje e shëmtuar dhe kriminale. Sepse e mira e sfidon dhe e mund të keqen. E mira është me bollëk në Rrëshen. Ne nuk do të rreshtim ta duam qytetin dhe jetën e njerëzve të këtushëm. Dhe mirditasit e duan jetën e janë njerëz të jetës”. Pasi ata ikën vazhdova me veten time dhe e pyeta: Deri kur kështu? Kësaj pyetje duhet t’i përgjigjemi të gjithë ama. Nga më i vogli te më i madhi, nga më i riu te më i vjetri, nga Kryetari i Bashkisë te Ipeshkëvi, nga polici i thjeshtë e deri te Ministri i Brendshëm, nga bariu deri te mësuesi e kështu me rradhë. Jemi të gjithë pjesë e këtij qyteti e të gjithë duhet të kemi si synim të mirën e tij. E mira e përbashkët, dhe jo militancat partiake apo interesat private, duhet të jetë synimi dhe horizonti jonë i përbashkët. Ne mund t’ia dalim në rast se punojmë bashkë, me drejtësi duke parë njëri-tjetrin në sy. Duke iu bindur më shumë Zotit dhe ndërgjegjes sonë se sa partisë apo interesit privat. Kemi rrugë të gjatë për të bërë, por do t’ia dalim. Kurajo!