Berisha: Ndërhyrja e Ramës u hoqi shqiptarëve dy deputetë në Mal të Zi

306
Sigal

Ish-kryeministri  Sali Berisha, shprehet se ndërhyrja e Edi Ramës në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, përçau faktorin shqiptar në këtë shtet. Në një reagim në “Facebook”, Berisha shprehet se dy koalicionet shqiptare,  nga 4 deputetë që duhet të merrnin në bazë të votave partiake, morën vetëm 2. Gjithashtu, ish-kryeministri shprehet se zgjedhjet në Mal të Zi u dëmtuan për shkak të ndërhyrjeve të presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kishës ortotokse serbe.

“Qytetarët e Malit te Zi votuan të lirë dhe në dinjitet të plotë! Miq, dje qytetarët e Malit te Zi votuan të lirë dhe në paqe për parlamentin e tyre të ri dhe qeveritë vendore në 5 komuna. Ata meritojnë  nderim dhe respekt. Megjithkëtë, dy binjakë siamezë  ndërhynë në rezultatin e zgjedhjeve.

1-Serbomadhi Vuçiç, i cili: në një akt të pashembullt mobilizoi e transportoi  me mace e me minj në Podgoricë,  malazezët e serbëzuar  të Beogradit dhe duke përdorur lidhjet e sëmura të tij me kryepeshkopin Irinej, angazhoi  kishën ultranacionaliste serbe për fushatë elektorale në Mal të Zi, duke dëshmuar se jo punët e Zotit, por nacionalizmi i sëmurë janë pasioni i saj.

2-Në rezultatin e zgjedhjeve në të njëjtën kahje ndikoi edhe argati i Beogradit në Tiranë, Zografi bis.

Ky i fundit ndikoi nëpërmjet: përçarjes së shqiptarëve dhe partive të tyre politike, të cilat nga 4 morën 2 deputetë,  sepse shqiptarët  reaguan ndaj apelit të tij përçarës,  duke mos dalë në votime.  Së dyti,  me apelin e tij  “votoni Milon”,  bëri që mijëra e mijëra qytetarë të Malit të Zi,  që ishin të pavendosur,  por që konsideruan apelin e tij të papranueshëm  dhe një ndërhyrje fyese për vendin e tyre,  vendosen ose të mos dalin fare në votime, ose të ndryshojnë  mendim dhe të votojnë kundra Milos, i cili e kishte fitoren të sigurtë. Duke përfunduar uroj dhe njëherë qytetarët e Malit të Zi,  për zgjedhjet dinjitoze.”