Studimi: Të qëndrosh në njërën këmbë për 10 sekonda mund të jetë test i dobishëm për shëndetin

171
Sigal

Nëse keni vështirësi të qëndroni në njërën këmbë, mund të jetë një shenjë e diçkaje më serioze. Njerëzit e moshës së mesme dhe të moshuar që nuk mund të mbajnë barazpeshën në njërën këmbë për 10 sekonda kanë pothuajse dy herë më shumë gjasa të ndërrojnë jetë brenda 10 viteve sesa ata që munden, sugjeron një studim.

Hulumtimet e mëparshme tregojnë se paaftësia për të qëndruar me njërën këmbë është e lidhur me një rrezik më të madh të goditjes në tru. Njerëzit me ekuilibër të dobët kanë përformuar më keq në testet mendore, duke sugjeruar një lidhje me demencën.

Së fundmi, pas 12 vitesh hulumtim, një grup ekspertësh nga Britania e Madhe, SHBA-ja, Australia, Finlanda dhe Brazili kanë përfunduar një studim të parë të këtij lloji, i cili shqyrton marrëdhënien midis ekuilibrit dhe vdekshmërisë. Megjithëse hulumtimi nuk mund të përcaktojë shkakun, të dhënat ishin befasuese.

Paaftësia për të qëndruar në një këmbë për 10 sekonda në moshë të vonë, lidhet me një dyfishim të rrezikut të vdekjes nga çdo shkak brenda 10 viteve të ardhshme. Rezultatet u publikuan në British Journal of Sports Medicine.

Gjithsej 1,702 njerëz të moshës midis 51 dhe 75 vjeç dhe me ecje të qëndrueshme u kontrolluan midis viteve 2008 dhe 2020 për studimin. Në fillim, pjesëmarrësve iu kërkua të qëndronin në njërën këmbë për 10 sekonda pa ndonjë mbështetje shtesë. Për të standardizuar testin, pjesëmarrësve iu kërkua të vendosnin pjesën e përparme të këmbës së tyre të lirë në pjesën e prapme të këmbës së poshtme, ndërsa mbanin krahët anash dhe shikimin e tyre të fiksuar drejt përpara. U lejuan deri në tre përpjekje me të dyja këmbët.

Një në pesë (21%) dështoi në test. Gjatë dekadës së ardhshme, 123 vdiqën për shkaqe të ndryshme. Pas llogaritjes së moshës, seksit dhe problemeve themelore shëndetësore, paaftësia për të qëndruar pa mbështetje në njërën këmbë për 10 sekonda u shoqërua me një rrezik të rritur prej 84% të vdekjes nga çdo shkak.

Ekspertët e studimit sugjerojnë se një test ekuilibri duhet të përfshihet në kontrollet rutinë shëndetësore për njerëzit e moshuar.

Studiuesit thanë se studimi kishte kufizime, duke përfshirë faktin se pjesëmarrësit ishin të gjithë brazilianë të bardhë, që do të thotë se gjetjet mund të mos jenë më të zbatueshme për etnitë dhe kombet e tjera. Sidoqoftë, ata arritën në përfundimin se testi i ekuilibrit të 10 sekondave “siguron reagime të shpejta dhe objektive për pacientin dhe profesionistët e shëndetit në lidhje me ekuilibrin statik” dhe “shton informacion të dobishëm në lidhje me rrezikun e vdekshmërisë tek burrat dhe gratë e moshës së mesme dhe të moshuar.”