Si të përgatisni fare thjeshtë lëngun e ftoit?

267
Sigal

Ftonjtë janë frutat e lashtësisë, të ndërlidhura botanikisht me dardhët dhe mollët. Ky frut rritet kryesisht në zonat me klimë të nxhetë, që mundëson pjekje të plotë.

Kur piqen, ato marrin një ngjyrë të artë. Shumë prej varieteteve të ftoit janë të tharta dhe kanë aftësinë të rrudhin buzët tuaja.

Në stinën e vjeshtës dhe dimrit, amvisat e përdorin ftoin për përgatitjen e një reçeli të shijshëm dhe gjethet i ruajnë mënjanë për t’i tharë dhe për t’i pasur në gjëndje sa herë që familja ka probleme me dhimbjet e barkut.

Disa nga përfitimet shëndetësore të ftoit janë ulja e kolesterolit, forcimi i sistemit imunitar, parandalimi i sëmundjeve të sistemit tretës, lehtësimi i inflamacionit, ulja e presionit të gjakut, parandalimi i alergjive të ndryshme, përmirësimi i qarkullimit të gjakut.

Ftonjtë me të drejtë cilësohen si xhevahirët e artë të vjeshtës e dimrit.

Ato mund të përdoren në forma të ndryshme, si frut organik, si pluhur, ekstrakt apo çaj.

Megjithatë, vlerat e vërteta të ftoit mund t’i merrni duke e konsumuar atë si frut organik bashkë me lëkurën, duke qenë se është i pasur me lëndë të shumta ushqyese, si vitamina, minerale, përbërës fenolikë, antioksidues dhe fibra.

Por nëse dëshironi të provoni një tjetër mënyrë të konsumit të tyre, ju njohim në këtë artikull me recetën e thjeshtë të lëngut të ftoit. Provoni ta përgatisni vetë këtë recetë dhe ndani shijen e saj me njerëzit e afërt.

Përbërësit:

1.5 kg ftonj

500 gr sheqer

2L ujë

Përgatitja:

Për të përgatitur lëngun e ftonjëve filloni duke i shpëlarë dhe qëruar ato. Më pas pritini në pjesë të vogla dhe hiqni farat.

Lërini ftonjtë të ziejnë në 2 litra ujë, për 30 minuta, duke i trazuar herë pas here, derisa fruti të butet.

Më pas kalojini në një kullesë të veshur me napë, të vendosur në një tas. Lërini të kullojnë gjatë natës.

Lëngun e grumbulluar trasferojeni në një tenxhere dhe shtoni sheqer.

Lëreni të ziejë, duke u siguruar që sheqeri të tretet plotësisht. Në fund ndajeni lëngun nëpër shishe.