Pse fëmijët e tu zihen kaq shumë dhe ç’mund të bësh ti në këtë rast?

96
Sigal

Ti me motrën/vëllain mund të ziheni për shumë arsye, madje në të shumtën e rasteve për arsyet më banale në botë. Ajo/ai të ka veshur bluzën pa të marrë leje dhe kaq duhet që në familje të nisë një super sherr që një Zot e di si përfundon.

Ndonëse deri në një masë zënkat mes fëmijëve janë normale, për prindërit kthehet në problem nëse kjo dukuri shpeshtohet. Çfarë roli duhet të mbajnë prindërit në këtë rast?

1. Duhet të dinë kur të ndërhyjnë dhe kur t’i lënë vetëm

Dhuna, bullizimi dhe shenjat e tjera abuzuese duhen ndërprerë me çdo kusht. Asnjë lloj zënke nuk e justifikon dhunën ndaj njëri-tjetrit. Nëse i shihni që debatojnë apo grinden nga larg, nuk është nevoja për ndërhyrje të menjëhershme. Lërini t’i zgjidhin vetë përmes argumentave, pasi duke bërë këtë jeni duke rritur qytetarë tolerantë të së ardhmes.

2. Mos mbani anë

Si të gjithë prindërit, ju i doni fëmijët tuaj njësoj. Ndonjëherë padashje ndodh të mos jeni në gjendje t’i trajtoni në mënyrë të barabartë kur ata zihen. Mbani anën e njërit dhe kritikoni tjetrin. Përpiquni të mos e bëni këtë. Mos mbani anën e askujt edhe nëse njëri ka të drejtë. Inkurajojini t’i zgjidhin vetë dhe ndihmojini të gjejnë problemin.

3. Ndaloje sherrin dhe vendosi një kohë të caktuar për t’ju rikthyer atij

Fëmijët mund të nxehen më shpejt se të rriturit, por në të njëjtën kohë janë sërish ata të parët që harrojnë. Nëse shihni që zënka mes tyre s’po ndalon, kërkojini të merren me gjëra të tjera. Përfshijini në punë shtëpie dhe kur situata të jetë qetësuar vendosi përballë njëri-tjetrit për sqarime.

4. Nxirrini jashtë për të marrë frymë lirisht

Një mënyrë e mirë për të shmangur zënkat mes fëmijëve është t’i lini të luajnë jashtë shtëpisë. Të çlirojnë energjitë dhe ngarkesat duke i dhënë biçikletës ose duke luajtur me top. Bashkohuni me ta nëse keni kohë.

5. Kaloni kohë me secilin në veçanti

Çdo fëmijë është ndryshe dhe s’keni pse i trajtoni në të njëjtën mënyrë. Duhet të silleni me ta siç e meritojnë. Nëse njeri ka dëshirë të shohë një film, shihe filmin bashkë me të. Nëse tjetri do të flerë teksa ti i lexon një libër, bëje. Eshtë e rëndësishme të kaloni kohë me secilin dhe t’i tregoni vëmendje të dedikuar.

6. Vendos pak disiplinë

Edhe pse s’është mirë të ndërhyni shumë apo të mbani anë, ka momente kur disiplina është e nevojshme. Harroje kur e nisi sherrin dhe vendosni rregulla për të dy.

7. Përpiquni të kuptoni dinamikat mes motrave/vëllezërve

Ka momente kur fëmijët tuaj duhen kaq shumë, aq sa ka momente të tjera që raporti mes tyre i ngjan një skene horror. Fëmijët kalojnë nga të gjitha fazat dhe kjo lidhet fillimisht me moshën e tyre. Ju duhet të përpiqeni të kuptoni dinamizmin e raportove të tyre dhe t’i lini gjërat të rrjedhin. Si prind ju duhet vetëm të kujdeseni për krijimin e një raporti jetëgjatë e të shëndetshëm, duke rikujtuar vlerat dhe cilësitë e familjes.