Sigal

Pas pengesave, vështirësive dhe tensioneve që përjetuam gjatë periudhës që kaloi, gjendemi tashmë në një rrjedhë më të qetë të gjërave. Ka mundësi që gjatë kësaj jave të na preokupojnë çështje të njëjta me ato të në muajit korrik dhe për zgjidhjen sa më të mirë të tyre ndoshta do të duhet të investojmë ekonomikisht apo emocionalisht. Në 29 gusht Mërkuri kalon nga pika ku ishte zhvilluar eklipsi i datës 11 gusht, kjo mund të jap shkak për disa ngjarje, si dhe probleme që na preokupuan atëherë. Këto probleme do të marrin një rrugëzgjidhje, pozitive apo negative varet nga horoskopi personal i secilit.

DASHI

Më në fund erdhi ora të vendosni në lëvizje planet tuaja dhe të pretendoni ato çka dëshironi dhe ju intereson. Shmangni tendencat për sjellje agresive ju të lindurit në ditët e fundit të shenjës dhe përdorni arsyetimin dhe argumentet për të arritur qëllimet e dëshiruara. Çështje ekonomike, sentimentale si dhe marrëdhëniet me bashkëpunëtorët që ju preokupuan gjatë periudhës së kaluar (korrik- gusht) do të marrin rrugëzgjidhje këto ditë

Këshillë: Bëni lëvizje dhe investime nga fundi i javës dhe më pas.

DEMI

Kaloni një periudhë të bukur, gjatë të cilës kryesorja është të ndiheni dhe të jetoni të lirë, duke shijuar çdo moment dhe pavarësisht nga fakti se pushimet kanë mbaruar, ju do të keni mundësinë të bëni një udhëtim. Çështje familjare si dhe probleme në marrëdhëniet tuaja që ju preokupuan në korrik dhe në dy javët e para të gushtit do të dalin në sipërfaqe. Ndërkohë përpiquni për zgjidhjen e tyre nga fundi i muajit e më pas.

Këshillë: Pasi të keni menduar me pjekuri, është momenti për të marrë vendime në fushën sentimentale apo financiare.

BINJAKËT

Kjo javë ju gjen shumë komunikues dhe ndoshta do të teproni në disa raste, prandaj kini mendjen se çfarë do të thoni dhe si do t’i interpretoni ato që do të dëgjoni, veçanërisht në ambientin e punës. Gjatë këtyre ditëve dëshira për të jetuar momente erotike do të jetë e madhe dhe nuk përjashtohet mundësia të gjeni interesant një rast nga ambienti juaj miqësor. Disa nga ju do të bëni shpenzime për fëmijët tuaj, ndërsa disa të tjerë do të shpenzoni për probleme apo çështje që dolën në sipërfaqe në korrik.

Këshillë: Kushtoni kohën e duhur shtëpisë dhe familjes tuaj.

GAFORRJA

Është koha të pretendoni ato që dëshironi, të cilat do t’i arrini me sukses, por mund të jetë e nevojshme të vendosni kufijtë atje ku duhet. Ndoshta në mënyrë të pandërgjegjshme mund të keni dhe një sjellje pak agresive ndaj të tjerëve në disa raste. Gjatë kësaj periudhe merruni me zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me ju dhe familjen tuaj dhe që ju kishin preokupuar në korrik. Ndërsa çështje financiare që ju preokupuan në gusht do të marrin rrugëzgjidhje nga fundi i javës, sidomos nga e premtja e tutje. Këshillë: Do të keni tendenca të merrni pjesë në lojërat e fatit, por mos e teproni.

LUANI

Pushimet mbaruan dhe puna që tashmë ka filluar sa vete dhe bëhet më kërkuese ndaj jush, duke ju detyruar të organizoni sa më mirë kohën dhe mënyrën e jetesës, me qëllim që të duroni lodhjen dhe të arrini me sukses rezultatet e dëshiruara. Shmangni diskutimet financiare në familje deri të enjten dhe merruni me zgjerimin e biznesit, duke nxjerr në pah talentin tuaj krijues si dhe shfrytëzoni datat 29, 30 gusht për rritjen e të ardhurave.

Këshillë: Përqendrohuni në biznesin apo karrierën tuaj dhe rritja e të ardhurave është e garantuar.

VIRGJËRESHA

Është një periudhë mjaft pozitive për ju si në fushën profesionale ashtu dhe në atë personale, duke ju dhënë mundësinë të jetoni momente të bukura erotike. Periudha është mjaft e favorshme dhe në fushën financiare, madje disa prej jush do të doni të merrni një risk në këtë drejtim. Mos u jepni rëndësi të madhe atyre që do të dëgjoni dhe mos u bëni pjesëtar në thashetheme, por njëkohësisht të jeni vigjilent që të mos humbisni rastet që mund të paraqiten. Mos i bëni planet tuaja të njohura tek të tjerët.

Këshillë: Vendosni fuqimisht në zbatim projektet që bëtë gjatë periudhës së verës.

PESHORJA

Çështje familjare do t’ju shqetësojnë gjatë kësaj periudhe, madje disa prej jush mund të bëni një lëvizje të shkoni të jetoni në një shtëpi tjetër apo të bëni punime në ambientin e saj. Njëkohësisht do të jeni të preokupuar me marrëdhëniet dhe bashkëpunimet, të cilat do t’ju ndihmojnë në promovimin dhe realizimin e planeve tuaja profesionale dhe kryesisht në çështjet financiare që hasët gjatë këtij muaji.

Këshillë: Përfitoni nga rrjeti shoqëror dhe të njohurit që keni dhe kapni mundësitë e paraqitura për ju.

AKREPI

Kjo është një periudhë e rritjes së mobilitetit në mënyrë që të realizoni sa më mirë detyrimet e përditshme, prandaj mirë është të shmangni nxitimin dhe nervozizmin. Në të njëjtën kohë, probleme profesionale apo me biznesin që u paraqitën në dy javët e para të gushtit do të marrin rrugëzgjidhje. Ndërsa problemet e komunikimit në ambientin familjar do të marrin fund duke rivendosur harmoninë në komunikim midis jush.

Këshillë: Vendosni synime të larta dhe filloni fuqimisht veprimtarinë për realizimin e tyre.

SHIGJETARI

Kërkesat e biznesit apo të punës janë shtuar gjatë kësaj periudhe. Financat kërkojnë një pjesë të madhe të vëmendjes suaj, pasi të ardhurat nuk janë të mjaftueshme për t’ju kënaqur. Njëkohësisht është e mundur t’ju preokupojnë detyrime financiare ndaj të tjerëve, bankat, tatimet, bashkëpunëtorët etj, të cilat mund të kishin dalë në sipërfaqe edhe gjatë korrikut. Nga ana tjetër, në fushën sentimentale do të duhet të merrni një vendim për evoluimin e një marrëdhënie që krijuat në gusht.

Këshillë: Një udhëtim i bukur me bashkëshortin apo bashkëshorten tuaj do t’ju ringjallë.

BRICJAPI

Jeni hedhur në veprim për promovimin dhe realizimin e planeve të biznesit tuaj. Çështjet lidhur me marrëdhëniet personale dhe profesionale, të cilat ju preokupuan në korrik do të dalin në dritë këto ditë dhe do të duhet të merrni disa vendime për të parë se si do të ecin në vijim. Nga ana tjetër, çështje financiare që lindën në gusht dhe që kishin të bënin me një investim apo me bankat, vendosini për rrugëzgjidhje nga e enjtja dhe tutje.

Këshillë: Merruni me një projekt financiar duke shfrytëzuar të dhënat që do të keni në dispozicion.

UJORI

Është periudha e aktivitetit intensiv, veçanërisht në fushën e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimeve plot me bisedime dhe takime, që kanë si qëllim kryesor zhvillimin e biznesit dhe investimet. Në të njëjtën kohë jeta juaj personale dhe sentimentale është mjaft interesante, madje disa nga ju mund të keni një lidhje të fshehtë. Përfundimisht, probleme që ju preokuponin në korrik mund t’i zgjidhni më kollaj tani, pasi terreni është më i favorshëm.

Këshillë: Jepni rëndësinë e duhur shëndetit pasi kjo periudhë është më e qetë dhe ju jep mundësinë për diçka të tillë.

PESHQIT

Rutina juaj e përditshme është mjaft intensive dhe ju jeni mjaft aktiv për të promovuar qëllimet tuaja dhe planet e biznesit, rezultatet e të cilave do t’i shihni dhe në financat tuaja. Kjo jetë e përditshme, në fakt kërkon që ju të miratoni një mënyrë jetese më të shëndetshme për të përballuar lodhjen dhe tensionin. Nga ana tjetër në fushën sentimentale ruani ekuilibrin dhe përpiquni të çoni gjërat atje ku ju dëshironi.