A mund ta ndryshojnë personalitetin tonë ngjarjet (e papritura ose jo) që na ndodhin gjatë jetës?

166
Sigal

Ndryshimi i tipareve të personalitetit është i zakonshëm. Për shembull, nëse mendojmë për njerëzit me nivele si të ulët, mesatar ose të lartë për një tipar të caktuar personaliteti, rreth një e treta e tyre do të ndryshojnë nivelet gjatë viteve të ardhshme.

Pse?

Shumica e psikologëve supozojnë se mënyra se si njerëzit sillen, mendojnë dhe ndihen, formohet nga përvojat e tyre. Nëse po, duhet të presim gjithashtu që tiparet e personalitetit të ndryshojnë për shkak të ndryshimeve në rrethanat e jetës.

Por kjo ka qenë çuditërisht e vështirë për t’u provuar. Për shembull, nuk ka pothuajse asnjë provë të qartë që ngjarjet e zakonshme të jetës që mund t’u ndodhin shumicës së njerëzve ndryshojnë tiparet e tyre të personalitetit në mënyra të parashikueshme.

Disa studime kanë raportuar se ngjarje të tilla si divorci, të qenit e ve ose fillimi i një karriere mund të shkaktojnë ndryshim të tipareve, por këto efekte kanë qenë të vogla dhe rrallë herë janë konfirmuar nga studime të tjera. Ngjarjet e rënda traumatike mund të kenë efekte më të forta në personalitet, por ato janë të rralla dhe nuk mund të shpjegojnë pse ndryshimi i tipareve është kaq i zakonshëm.

Pra, çfarë po ndodh?

Në një skenar ideal, psikologët do të donin të kishin një katalog të përvojave jetësore që formojnë tiparet e personalitetit në një mënyrë të parashikueshme.

Për shembull, ata – dhe me siguri, punëdhënësit – mund të dëshirojnë të shohin se fillimi i një karriere i bën shumicën e njerëzve më të ndërgjegjshëm. Ata do të donin të shihnin prova të pagabueshme se fillimi i një lidhjeje afatgjatë i bën shumicën e njerëzve më të këndshëm etj. Psikologët më pas mund të parashikonin se si njerëzit ndryshojnë ndërsa përjetojnë një ngjarje ose një tjetër.

Por nuk ka rezultuar kështu

Në një nga studimet më të forta deri më tani, tiparet e personalitetit të mijëra të rriturve holandezë u ndoqën për disa vite. Kishte pak prova që ngjarjet e jetës si martesa, lindja e fëmijëve, divorci ose humbja e partnerit/es – shkaktuan ndryshime të parashikueshme dhe të qëndrueshme të personalitetit.

Studime të tjera të tilla nuk kanë sjellë përfundime shumë konkrete.

Ky model është në përputhje me llojet e tjera të kërkimit. Për shembull, të jetuarit në të njëjtën familje nuk i bën personalitetet e fëmijëve shumë më të ngjashëm dhe tiparet e partnerëve nuk bëhen më të ngjashme me kalimin e kohës. Dhe, ndryshe nga një mitipopullor, rendi i lindjes nuk ka rëndësi për personalitetin.

Pjesërisht, kjo mungesë befasuese e provave mund të lidhet me kufizimet e kërkimit, por ky nuk është “justifikim”. Nëse përvojat e jetës do të kishin formësuar me të vërtetë tiparet e personalitetit të njerëzve në mënyra të thella dhe të parashikueshme, studiuesit do të kishin identifikuar të paktën disa nga efektet e tyre deri tani.

Pse ndryshimi është kaq i pakapshëm?

Kjo mungesë provash nuk do të thotë automatikisht se përvojat e zakonshme nuk ndikojnë aspak në tiparet e personalitetit. Ndryshimi i tipareve është i zakonshëm dhe diçka duhet ta shkaktojë atë, në fund të fundit.

Por efektet mund të jenë thjesht të paparashikueshme:

Përvojat mund të ndikojnë te njerëzit në mënyra të ndryshme. Ndryshimi i tipareve në çdo individ të caktuar mbetet i paparashikueshëm thjesht nga përjetimi i ngjarjeve të caktuara.

Mund të mos jenë ngjarje të jashtme që i ndryshojnë njerëzit, por vetë njerëzit mund të dëshirojnë të ndryshojnë dhe shpesh e arrijnë këtë, qoftë me ose pa ndihmë.

Disa ndryshime të tipareve mund të jenë thjesht të rastësishme, pa asnjë shpjegim për të gjetur.

Psikologu Rene Mottus shkruan:

“Nëse personalitetet tona do të formoheshin në mënyrë të parashikueshme nga shorti i përvojave që ndodh të na sjellë jeta, kjo mund të ishte goxha e padrejtë. Imagjinoni që një person të humbasë punën dhe si rezultat, t’i ulet vetëbesimi, ndërsa shoku i tij gëzon një përvojë të qëndrueshme pune dhe bëhet gjithnjë e më i sigurt në vetvete.”