7 llojet e pushimeve për të cilat ka nevojë çdo njeri

409
Sigal

Në botë që ecën shpejt, me projekte të shumta, me punë që mbingarkohen vazhdimisht, mund të jetë e vështirë që njerëzit të gjejnë momentet e paqes. Megjithatë, historia ka treguar se shmangia e pushimeve, dhe nuk e kemi fjalën vetëm për pushime fizike, ka treguar se pasojat janë të rënda dhe shkojnë nga nervozizmi te depresioni.

7 llojet e pushimeve për të cilat ka nevojë çdo njeri

Saundra Dalton-Smith është mjeke, studiuese dhe autore e librit “Pushimi i Shenjtë: Rikupero jetën, Rinovo energjinë, Rivendos mendjen e shëndoshë”. Puna e saj është paraqitur në Fast Company, FOX, MSNBC dhe Psychology Today. Në seritë e botuara në TED Ideas, “How to Be a Better Human” (Si të jesh një njeri më i mirë), ajo thekson shtatë llojet e pushimit për të cilat njerëzit kanë nevojë.

1 – Pushimi fizik: Ky është lloji i parë i pushimit që na duhet dhe mund të jetë pasiv ose aktiv. Pushimi fizik pasiv përfshin gjumin, ndërsa pushimi fizik aktiv nënkupton aktivitete qetësuese si yoga, masazh ose stretching (shtrirja e muskujve).

2 – Pushimi mendor: Mund të mendoni se keni nevojë për pushim mendor kur flini dhe të nesërmen ndiheni sikur nuk keni fjetur kurrë. Planifikoni pushime të shkurtra ditore për të ngadalësuar ritmin e punës.

3 – Pushimi ndijor: Ky lloj pushimi lidhet me shqisat tona dhe i referohet dritave të ekraneve, zhurmave dhe bisedave të shumta. Gjatë ditës, duhet të shkëputeni qoftë edhe për një minutë nga këto ndikime të jashtme.

4 – Pushimi krijues: Ky lloj pushimi është shumë i rëndësishëm për njerëzit që punojnë në projekte të cilat kanë lidhje me idetë dhe krijimin. Një shëtitje në park ose në oborr mund t’ju sigurojë pushimin që ju duhet. Ky lloj pushimi nuk lidhet vetëm me natyrën, por edhe me artet ose vende dhe aktivitete të tjera frymëzuese.

5 – Pushimi emocional: Ky pushim nënkupton që njerëzit kanë nevojë për hapësirë për të shprehur lirisht ndjenjat, të cilat mund të jenë të vështira për t’u thënë.

6 – Pushimi social: Ky moment lidhet me ndarjen e marrëdhënieve që na sjellin të mira dhe marrëdhënieve që na bëjnë dëm. Pushimi social ka të bëjë me qëndrimin me njerëz pozitivë dhe që na mbështesin.

7 – Pushimi shpirtëror: Pushimi i fundit është ai shpirtëror dhe është aftësia për t’u lidhur me diçka, përtej fizikes dhe mendores. Mund të jenë aktivitete shpirtërore, si lutje ose meditim.