Ylli Baka: Nuk e mendoj të mirem kurrë me politikë, unë i përkas vetëm muzikës shqiptare

766
Bisedat me të janë gjithmonë të këndshme. I qeshur, i dashur shumë i lidhur me grupet muzikore, por dhe me të gjithë ata që e duan këngën. Nuk është vetëm lëvizja që e bën këngëtarin më të dashur dhe më të kërkuar, por është dhe puna e tij e vazhdueshme për këngë të reja, për gjetje të reja, për interpretime ndryshe. Dhe këtë mënyrë ndryshe të komunikimit me spektatorin ai e arriti si risi me këngën tashmë hit dhe më të dëgjuar “Vullkani kuq e zi”, që i kushtohet kombëtares sonë të futbollit që arriti rezultatin më të lartë të të gjithë kohërave, atë të kualifikimit Euro 2016. Një bashkëpunim i frytshëm me vagabondin dhe me DeVox bëri që të dalë një këngë që për ditë barazohet me himnin e kombëtares. Përveç këngës, ai ka dhe një shok tjetër të ngushtë cigaren. Jo se nuk e heq nga buzët, por në momente qetësia duket sikur i përcjell imazhe muzike për të nxitur një krijimtari të re. Dy djemtë binjakë studiojnë për piano dhe ai dëshiron që krahas instrumenteve të lidhen dhe me këngën. Ylli është ftuar në më shumë se 30 vende ku ka emigrantë shqiptarë, kështu ai është bërë një ambasador shëtitës i kulturës shqiptare, që bashkon, vëllazëron, ofron shqiptarët dhe u përcjell atyre mesazhin e dashurisë për atdheun. Këngët patriotike janë këngët më të kërkuara në emigracion dhe pikërisht janë ato këngë që atij i ndezin shpirtin e zemrës për të nxjerrë në pah gjithë aftësitë dhe mundësitë. Kur këndon, Ylli është tjetër njeri, është Ylli i muzikës shqiptare që ka kënduar dhe këndon vetëm melodi dhe muzikë të mirëfilltë shqiptare. 
Flitet shumë për këngën tuaj të fundit, të re, si u realizua ajo, kush ishte shtysa dhe me kë e realizove?

Kënga e re titullohet “Vullkani kuq e zi” për nder të kualifikimit në Euro 2016 në Francë. Kjo ishte një ide e një këngëtari Hip Hop, Vagabondi që u lidhëm me Gramoz Kozelin dhe DeVox. Kishim një ide për të vënë një bashkëpunim të tillë. Sa dëgjova muzikën e propozuar mendova që kjo këngë ti kushtohej kombëtares sonë. Kjo këngë mund ti përshtatej ritmit, entuziazmit të tifozerisë sonë për këtë arritje të madhe për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar. 
Mos vallë t’u ngjiz ndonjë poezi, para se të shkoje te kënga?

Po. Gjithmonë ideoja që të bëja diçka për këtë fitore dhe herë pas here formoja vargje se si mund ti përshtatja në një këngë të tillë. Pra ideoja një refren të fuqishëm. Kështu lindi kënga ku fillova bashkëpunimin me poetin Arben Duka dhe Jorgo Papingji. Kënga na mori kohë një javë. Filluam bashkëpunimin për realizimin në studio me FolkPlus. Është një këngë bërë me shumë zemër. 

Kur mbaroi kënga dhe u hodh në CD në treg?

Pas një muaji kur filluam realizimin. Punuam në grup poet, këngëtarë dhe kompozitor. Duhej që kjo këngë të ngjitej në nivelin e rëndësisë së fitores. Ishte një ngjarje që do e rriste rëndësinë edhe nëpërmjet këngës. Kishim shumë besim dhe ashtu doli. Sa doli në tregun mediatik këngë u përpi. Kërkesat ishin të shumta. Kudo që shkonim shikonim se e para ishte kjo këngë. Nuk u zhgënjyem. Ajo për 20 ditë u kthye në një këngë hit. 

Kush është e veçanta e kësaj kënge hit?

E veçanta kryesore është se kjo këngë u pëlqye nga të gjitha grupmoshat dhe nga të gjitha trevat. Pra nuk u pëlqye vetëm nga rinia por edhe nga fëmijët dhe kam vënë re se këndohet nga të gjithë. Madje sa herë e këndojmë të gjithë çohen në këmbë dhe këndojnë me ne. E veçanta tjetër është se kjo këngë ka karakter të theksuar kombëtar, pra është një himn I dytë që ka tone të forta bashkimi, vëllazërimi në emrin e përbashkët shqiptar. Këtu edhe zëri më ka ndryshuar ka marrë një ngjyrim tjetër që plotësohet nga Vagabondi, që hyjnë në harmoni në muzikë, zë dhe tekst që e bëjnë këtë këngë shumë të pëlqyeshme. Pra ka ritëm, temp, harmoni, zë të fuqishëm dhe realizmi i klipit është bërë në Durrës me BBF televizion. Është një këngë jashtë natyrës së përditshmërisë dhe natyrës së këngëve të mia dola nga natyra, u bëra më i moderuar. Ishte një eksperiencë që doli me shumë sukses ku ende d he sot e kësaj dite rezultatet dalin në pah vazhdimisht. 

Kur është kënduar kjo këngë jashtë kufijve tanë?
Është kënduar në vitin e ri 2016 është kënduar në New Xhersi, në Cikago, dhe në disa shtete të tjera. Në Çikago ishim në një sallë me rreth 3 mijë veta ku kënga u kthye tre herë. Jam befasuar. Këtë këngë e këndova dhe me këngëtarin dhe bateristin Ilir Suku, i cili ka një eksperiencë në këtë fushë. Ishte një natë e magjishme që nuk më shlyhet nga kujtesa. Kjo vjen pasi kohët e fundit është rritur ndjenja kombëtare. 
Realizimi:

Ylli Baka dhe Vagabondi. Muzika; Gramoz Kozelin dhe DeVox
Teksti Ylli Baka, Arben Duka dhe Jorgo Papingji
Le të flasim për albumin e fundit. Sa këngë ka ky album dhe përse e titullove në mënyrë poetike?

Albumi i fundit ka 9 këngë dhe titullohet “Kënga mjaltë i dashurisë”. I vendosa këtë emër sepse ishte dhe kërkesa e poetit Jorgo Papingji. Ai e studio këtë album dhe mendoi për këtë emër. Unë e përkraha. 

Cilët janë bashkëpunëtorët në këtë album?

Poetë janë Jorgo Papingji, Arben Duka por edhe unë në disa këngë. Kompozitor. Klodian Qafoku, Genci Malaj, Alfred Tase, Kozeli, Ilir Suku etj…
A ka xhelozi mes këngëtarëve?

Nuk e di. Mund të them se mund ët ketë xhelozi profesionale xhelozi që të shtyn të ecësh para. Unë nuk shikoj ç’bëjnë të tjerët por ç’bëj unë. Dua të di ku jam dhe sit ë eci para. Por dua të them se janë future shumë në vallen e këngës. Por koha bën të vetën, ajo ecën dhe sjell seleksionimet. Koha të teston dhe të tregon sa vlen. Mua më pëlqen konkurrenca. Pa konkurrencë nuk ka zhvillim. 
A ka ndikim tek muzika juaj muzika e huaj?

Unë këndoj 100 % muzikë shqiptare. Nuk dua të kopjoj. Më pëlqen muzika jonë, kemi muzikë të bukur origjinale, me traditë që vërtet pëlqehet kudo. Unë kam kënduar dhe do këndoj vetëm muzikë shqiptare të pastër. Kështu më pëlqejnë kudo, kështu më respektojnë kudo që ka shqiptarë. Edhe ën Kosovë Mal të Zi, Maqedoni dhe kudo ku ka mërgimtarë mua më pëlqejnë vetëm me këto këngë dhe kurë nuk ka marrë mundimin të këndoj këngë të huaja apo muzikë të huaj. Përderisa muzika jonë ka një melodi ndryshe dhe të pëlqyer përse të shkoj të kërkoj gjetiu?

Cigarja, si duket nuk të ndahet?

Jemi shokë të ngushtë. Qajmë hallet e njeri-tjetrit. Sidomos me kafen e mëngjesit sa më shijon. Pastaj kur pijë dhe një gotë verë në drekë më shokët, oh sa mirë. Pastaj pas koncerteve dhe lodhjes me këngë dhe të rrethuar me njerëz që të respektojnë, obobo, dy herë sa mirë. Por nuk e teproj, brenda asaj që e shijoj. Pavarësisht se mungon kënga e duhanit por shkojmë mirë pa e tepruar me njeri tjetrin. 
Ku e bazon suksesin?
Tek këmbëngulja, zëri, puna tek miqtë. Kam miq shumë, punoj shumë, por dhe respektoj shumë punën, vlerat. Nuk fyej dhe nuk shaj por gjithmonë respektoj atë çka përbën një gjë ndryshe dhe që është e pëlqyeshme. Për të gjitha këto që thashë kam bërë këngën “Jeni miqtë e mi të nderit ndaj ju them faleminderit”. 
Ju keni tre fëmijë (një vajzë, dy djem) dy binjakët, a ju ngjajnë djemtë në fushën e muzikës?

Djemtë binjakë i kam futur në këtë fushë. Ata studiojnë për muzikë. Ata studiojnë për piano. Dua që të vazhdojnë rrugën time, pse jo të bëhen dhe ata këngëtarë, përveçse instrumentistë. Rruga e tyre është e hapur, pasi i kanë të gjitha mundësitë. 

Keni objektiva të tjera së afërmi?

Objektiva kemi shumë, por mos të flasim para kohe, tashmë sapo nxora në treg klipin “kur kaloj nga Korça”

Pse kur kaloj nga Korça dhe jo na Tepelena, Gjirokastra, apo Vlora?

Po ja. Isha në Tepelenë, kalova në Mezhgoran, pastaj tek Ura e Dragotit, Leslkovik, Pogradec, Korçë, kthim në Elbasan dhe pastaj në Tiranë, ku kam vendqëndrimin e përhershëm tani. Ndaj që qyteti më i skajshëm i kësaj lëvizjeje me koncerte ishte Korça. 

Harrove Tepelenën?

Jo. Tepelenën nuk e harroj dhe e kam gjithmonë me vete. Kudo që të shkoj, kudo që të këndoj, do këndoj edhe për Tepelenën, por në çdo lëvizje patjetër do të shkoj dhe në Tepelenë. Nuk jam egoist, por dua të them se Tepelenën, ku kam lindur dhe jam rritur e kam shumë për zemër. Këngën e parë timen e kam bërë për Tepelenën. Ndaj nuk dua të bëj këngë të dytë, por tashmë kam fillua këngë për shumë fshatar me emër të Tepelenës, si Bënça, Uji Ftohtë, Memaliaj, Arrëz, dhe do dal në Progonat. Ne jemi vend I vogël me bukuri të madhe. Ndaj në një këngë thotë “Lemë o zot të rroj, të rroj të shijoj bukuritë e vendit tim”. Kam shkuar që nga Australia deri në Amerikë por Tepelenën por edhe Shqipërinë e kam me vete. Ne kemi një klimë si verë në të katër stinët me lumenj, dete, liqene, male, fusha, kodra, vende përrallore. Dukemi shumë vend i vogël, por kur i shkel dukemi si kontinent
Keni menduar të merreni me politikë?

Me politikë? Jo, jo, as që mendohet. Më kanë thënë që të merrem, më kanë ftuar shumë parti politike, por unë i përkas partisë së këngës, partisë së atdheut tim. Unë kam fansa sa të majtë edhe të djathtë dhe nuk dua t’i ndaj. Politika s’është në natyrën time. Politika do tjetër prerje. 
Kemi dëgjuar se do kandidosh për Kryetar Bashkie në Tepelenë?
Ahaaaaaaaaaaaaaaaaaaa (qesh) …edhe këtë nuk e kisha dëgjuar. Si duket duan që t’ia fus mikut tim Tërmet Peçit. Por tërmeti mbetet tërmet, të shkund nga rrënja…ahahaha. . E ç’më duhet mua Bashkia kur kam këngën, kur kam miqtë, kur kam zërin, kur kam investuar një jetë të gjithë. E ku jam unë për politikë. . . hahahaha. Unë bëj politikën e këngës, të atdheut, të dashurisë, të patriotizmit. 
Mesazhi për fansat?
Unë jam një fans i madh i kombëtares. Edhe kur isha në Greqi gjëja e parë që bleva ishte sateliti për të parë ndeshjet e kombëtares. Ndaj ju them, se jam me ju kudo që jeni, në të katër anët e botës. Unë do i këndoj Shqipërisë, kombëtares së futbollit, do ju këndoj ju kudo që të jeni pa dallim, me thënien e famshme “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Inshallah pëlcet “cunami” dhe kualifikohemi më lart në Francë, se kënga ime për ta nuk do shteroj. Ku ka rrjedhur do pikojë dhe unë do jem pranë tyre kudo ata që duan dhe me këngët që ata më sugjerojnë. Ju dua të gjithëve, shëndet, lumturi, mbarësi dhe me sytë nga Franca 2016. Ju jeni frymëzimi im
Sot shumë njerëz janë penduar për profesionet e zgjedhura, po Ylli hyn në këtë kategori?
Aspak! E them me bindje se më pëlqen profesioni im, në të cilin sot bëj pjesë. Madje e them me po kaq bindje, se jam i gatshëm që t’i shkoj deri në fund të kësaj rruge që kam nisur të bëj. Edhe nga ana ekonomike mund të them që unë si këngëtar jam shumë i kënaqur, pasi ana ekonomike është e lidhur ngushtës me suksesin. Jashtë ekonomisë mua më ka bërë të zgjedh këtë profesion pasioni dhe përkushtimi ndaj muzikës. 
Çdo këngëtar ka momente të vështira. Cilat kanë qenë për ju këto?
Gjithmonë fillimet janë shumë të vështira. Dhe në ecje e sipër gjithmonë përballesh më barriera të shumta. Çdo material, çdo këngë, çdo sukses, ka vështirësitë e veta, por ajo superohet me punë dhe seriozitet maksimal. Në çdo profesion në çdo zanat ekziston fjala popullore: “Duhet 99% punë dhe 1% talent”. 
Jeni vetë këngëtarë, por keni dhe preferencë. Cilët janë këngëtarët tuaj më të preferuar?
Më pëlqen muzika popullore e mirëfilltë, si e shkuara edhe e tashmja. Plus kësaj pëlqej dhe muzikën e mirëfilltë të lehtë shqiptare dhe atë kosovare. Ndërsa për sa i përket emrave nuk përmend asnjë, sepse do ketë qejfmbetje ! Janë shumë këngëtarë të mirë. 
Shumë këngëtarë kanë dhe profesion të dytë. Çfarë do të donte Ylli n. q. s s’do të bëhej këngëtar?
Mendoj se çdo njeri sot ka dy dhe më shumë profesione. Besoj se do bëhesha poet, sepse më vjen dorësh për poezi dhe madje gjysmat e teksteve i kam shkruar vetë. 
Çfarë vlerësoni tek një njeri?
Brenda njeriut ka shumë gjëra. Personalisht vlerësoj sinqeritetin e tij. Miqësia dhe shoqëria kanë qenë dhe janë gjithmonë të pandashme në jetën time. 
Sigal