Xhahid BUSHATI/ Xhevahir Spahiu, poeti i ngjyrave, i fluturimit dhe hapësirave

954
Sigal

 Krijues i talentuar që i ka mbetur besnik poezisë

   -Në ditëlindjen e tij-

      Poeti i shquar Xhevahir Spahiu, si vetë emri që e identifikon, i tillë është në panteonin poetik të letrave shqipe, po i tillë është edhe në letërsinë për fëmijë e të rinj, me librat poetikë që ka botuar, si: “Ti, qytet i dashur…” (1973), “Zambakët e Mamicës” (1981), “Ekrani i kaltër” (1982), “Kitaristët e vegjël” (1987), “Kryeartëzat” (1988), “Dielli i lodrave” (1990). Poezitë më të mira e më të bukura të këtyre vëllimeve poetike janë përmbledhur në librin “Zogj të kaltër” (Shtëpia Botuese “Mësonjëtorja e Parë”, Tiranë, 1999).

       Krijues i talentuar që i ka mbetur besnik poezisë!.. Si poeti Xhevat Beqaraj. Këtu, tek poezia, duhet ta kërkojmë: origjinalitetin, perceptimin poetik, tiparet, etj., të krijimtarisë letrare të Xhevahirit. Këtu, te poezia, ku nuk gabojmë po të themi se është “vendlindja” e tij. Sepse nga kjo “Vendlindje”, erdhën këto libra, që u botuan brenda një periudhe 17 -vjeçare. Duke i shfletuar, njihemi me plot motive jetësore, interesante dhe të perceptuara me syrin e poetit e të fëmijës-lexues. Brenda asaj bote libri ‘gëlojnë’ hapësirat përrallore me fantazi të besueshme e të pabesueshme, me rrjedhat e burimit, lumit e të detit që e ndjekin njeriun në udhëtim, që i shfaqen në gjumë dhe në zemër i buçasin. Brenda asaj bote libri ndrit dielli i shtëpisë si një dashuri e madhe, me lodrat e ëndrrat për to, me abetaren që rri në krye, me fjalën magjike: Të lumtë dora!; me dritaren në kohë; me zërat e fëmijërisë e të kujtimeve; me gjurmët në jetë e në muze, me fluturime të kaltra e fluturime shqiponjash… Kjo është dhe arsyeja që Xhevahir Spahiu, duke qenë poet i hapësirës, shprehet kështu: “Dëgjomëni mua: ju duhet të mbeteni fëmijë sa më gjatë. Pa shihmëni në sy: herë-herë jam fëmijë e shkuar fëmijës. Mburrem me këtë. … Po të mos u zija pusi fëmijëve të mi, juve, vetes sime, t’i merrja bukuritë e shpirtit fëmijëror, ato do të humbitnin sikur të mos kishin qenë kurrë dhe një mjerim i madh, i pasosur do ta mbulonte këtë botë!…  Kam vetëm një kërkesë: mbaroni njëherë librin së lexuari dhe, pastaj, të drejtën e autorit le ta mbrojë botërisht një trup gjykues i përbërë nga: një shqiponjë, një kalë dhe një lis.”[1]

       E, duke marrë shkas nga parathënia, e cila është konceptuar e tëra si një polifoni  tingëllimash e ritmikash të larme poezie e vibrim kohor, është e pamundur të mos vësh re rrëfimin e sinqertë të poetit si në poezitë e tij, komunikimin dhe marrëdhëniet me lexuesin-fëmijë si në poezitë e tij, shprehësinë emocionuese, figuracionin e pasur artistik e spontanitetin si në poezitë e tij. Malli për fëmijërinë e tij, malli për zemrën e lexuesit të vogël, si dhe malli i zemrës së lexuesit të vogël për zemrën plot motive pafund e të befta të poetit, që depërton aq bukur në botën shpirtërore të fëmijës; mbetet i pashuar dhe me një dritë kujtimesh, që, vërtet të merr malli.  Dhe… po sjell ca fragmente nga magjia e Xhevahirit:

‘Vogëlush, o vogëlush,

vogëlush që s’të ka kush,

sado lart që fluturon

zogu çerdhen s’e harron’ (poezia: A s’më thuaj, si e qysh?..)

‘Rri atje mbi kodër

Dhe mendon, mendon…

Ulli katragjysh,

ç’ngjarje po kujton?

Tregoja filizit

Që bri teje mbiu.

Gjelbëro ulli,

o mik i njeriut!’ (poezia: Katragjyshi i drurëve)

‘Hënë e bukur, hënë,

qofsh për yjet nënë,

nëpër shtigje malesh

llampë udhëtarësh!

…………………………..
Pa kur del në degë,

skuq si kokërr shegë,

dorën zgjat fëmija

t’i shuhet uria.’ (poezia: Hënë, e mira Hënë)

       Kjo botë poetike shfaqet plot ndjenja e mendime të freskëta. Në shpirtin e saj gjallon bashkëkohësia. Reflektojnë motivet e ditës, por edhe në kohë e në hapësirë. Trajtesa poezish në mënyrë origjinale, larg skematizmit e stampave të krijuara, larg krijimeve të pavlera e motiveve të përsëritura, larg vargëzimeve të thata e porosive didaskalike të rëndomta e të mërzitshme, të cilat jo pak e mundojnë në këto vite letërsinë për fëmijë e të rinj.

Të mos harrojmë se, Xhevahir Spahiu vjen nga letërsia për të rritur. Në dimensionet e saj, ai ka shfaqur dinjitetshëm portretin e tij poetik. I ngjan një guri të çmuar. Për vlerat dhe kontributet e shfaqura, me të drejtë një studiues thotë: ‘Xhevahir Spahiu është ndër zërat më të spikatur dhe më autentikë të poezisë bashkëkohore shqiptare’.

Në këtë periudhë të mirëseardhjes në letërsinë për fëmijë e të rinj, ai pasuron më tej larminë e individualiteteve poetike që besnikërisht shkruajnë për fëmijë dhe i janë kushtuar asaj, siç ishin: O. K. Grillo, Xh. Beqaraj, A. Mamaqi, T. Gjokutaj, B. Harxhi. Ndërsa poezisë për fëmijë të tri niveleve i jep frymëmarrje më të gjerë, veçanërisht me trajtimin e temave të njerëzores, të vlerësimit të dinjitetit, humanizmit, qytetarisë dhe socialitetit, etj; të cilat realisht i mungonin kësaj letërsie. Ardhja e Spahiut nga letërsia për të rritur në letërsinë për fëmijë, është e njëllojtë edhe me ardhjen e poetëve, si: Moikom Zeqo, Llambro Ruci e më vonë Anton Papleka, e më vonë Pandeli Koçi (Sazan Goliku). Te Moikomi: krahas fabulave, legjendave, gojëdhënave, përrallave (shpesh edhe në prozë), motivi i detit merr përparësi, bëhet metaforë e krijimtarisë së tij. Te Llambroja: zëri i historisë është i pashuar, meloditë e pavdekshme të Jugut ‘strehohen’ natyrshëm e plot finese në vargjet e poezive, aftësia komunikuese mbart emocion dhe ngjyrë. Te Anton Papleka (prozë: legjenda, përralla e tregime dhe poezi) kujtesa historike për të mos e humbur vjen si një muze i gjallë, motivet poetike ruajnë pastërtinë dhe freskinë e bjeshkëve duke i trajtuar me një këndvështrim origjinal. Te Pandeli Koçi (Sazan Goliku): (prozë: përralla, legjenda e tregime dhe poezi), gjejmë besnikërinë ndaj fabulës, spektrin ngjyror të fjalës dhe zhdërvjelltësinë në ecurinë e veprimeve të personazheve.

       Në këto 17 vjet të krijimtarisë poetike për fëmijë e të rinj, është e pamundur gjatë leximit e rileximit të poezive të xhevahirta të Xhevahirit, të mos ndalesh në disa tipare, të cilat janë fjalë-çelësa për të njohur dhe shijuar këto krijime.

       -Edhe kur motivi është i njohur, Spahiu do ta konceptojë artistikisht dukurinë nga një kënd tjetër vështrimi, duke i mëshuar gjetjeve të reja, figurave origjinale, të thjeshta e të këndshme dhe në fund… një rrëfim i sinqertë fëmijëror: “Babi, babi, thuaji zogut: / “Zbrit një çikë, o yll!” / të këndojë në dorën time, / siç këndon në pyll. // Do ta puth në të dy faqet, / t’i them: – Fluturo! / Në mëngjes tek xhami, eja, / tak-tak-tak! Më zgjo… (poezia: Zgjim, f. 11)

-Poeti është vëzhgues i hollë i jetës së fëmijëve, njohës i mirë i psikologjisë së tyre. Ndaj dhe momentet poetike Xhevahiri i gdhend me mjeshtri: “Një ditë shkon. Pas saj vjen tjetra, / ti mbjell një pemë, një gur t’i vë; / nga guri, ja, u ngrit ndërtesa, / dhe pema pyll i madh u bë! // Koha vrapon. Vrapon si lumë; / nga kalendari fleta ra. / vetvetes pyetjen i bëj unë: “Ditës ç’i dhe e çfarë të dha?” (poezia: Një pyetje e domosdoshme, f. 92)

-Figuracioni është me shumë fantazi dhe merret po nga bota fëminore. Flladi lirik si një puhizë e ëmbël ‘shëtit’ në të gjitha germat e fjalët e poezisë, dhe më në fund ‘troket’ ëmbël në ‘portën’ e zemrës së lexuesit të vogël. Dhe ja se si: “Udha vetëm nuk kalohet, / udha shokun e kërkon; / është e gjatë – zvogëlohet, / është e rëndë – më pak rëndon. // Dora dorës i fal brigje, / fjala fjalës i jep zjarr, / Kur është vetëm nëpër shtigje / mban një shkop çdo udhëtar. (poezia: Shokët, f. 110)

       -Çdo fjalë në poezitë e Spahiut është e qëndisur me kujdes. E në këtë qëndisje nuk mungojnë që plot poezi mbyllen gjithmonë me një kurorë të bukur, me një gjetje të papritur, ku lexuesi krahas mahnitjes buzëqesh si vetë mosha. Mes shumë poezive zgjodhëm atë më titull: Dy shqiponja. Poeti rrëfen: “Dy shqiponja atje lart / çajnë qiellin e pamatë. // Njëra erdhi që nga malet, / ec e ec e s’di të ndalet. // Tjetra ngritur majë brigjeve / nga hareja e fëmijëve. // Njëra krahët rreh paprerë, / ulet, ngrihet, s’pyet për erë. // Tjetra është një shqiponjë, / vizatuar në balonë. // Djemtë e lagjes, ëndërrtarë, / me balona qiellin çajnë. // Dy shqiponja fluturojnë, / një e gjallë e një balonë.

       Librat poetikë të Spahiut, të para në optikën time studimore, janë letërsi e botës së madhe të fëmijëve, të cilët janë pafundësisht kureshtarë dhe pyesin pafundësisht… Shfletoni këto libra dhe mendimet e mësipërme do t’i gjeni të pasqyruara në shumë poezi, të cilat, siç thotë poeti janë ‘dritare në kohë’. Një bashkëbisedim me të, ti, lexues i dashur i çdo moshe, do të përpiqesh të njohësh dhe të përjetosh një botë të qytetëruar… Por… do të kuptosh se edhe në ç’pozicion je ti… Dhe kjo është arsyeja pse duhet të investohet për këtë letërsi… Një botë që duhet njohur!..

       Xhevahir Spahiu është një poet lirik. Si i tillë, peneli i ngjyrës, veçanërisht: të kaltrës është i pranishëm dhe metafora e saj flet dhe ka domethënien e saj… ndoshta… të fal qetësi e qartësi, ngjyrën e qiellit e të detit, të zogut e të malit, tendencat e një harmonie. Ndoshta… të fal akoma një fjalë të pathënë të autorit; eh, sa të fal!.. Poeti si një bashkëbisedues i mirë na lë të kuptojmë se përmes kësaj ngjyre, ai njeh mirë psikikën dhe interesat e fëmijëve.