Vepror Hasani: Hasani i madh i Frasherit dhe Butka

“Hasani i madh i Frashërit dhe Butka”, vjen si një libër befasues mbi historinë e Frashërit, krejt ndryshe nga ç’është shkruar deri më tani. Aktualisht po sjellim në mënyrë të shteruar, dëshmi e kujtime nga më të vjetërit, nga librat dhe dokumentet arkivore lidhur me familjet e mëdha të Frashërit. Madje unë sjell një histori të përmbysur, ndryshe nga ajo e historianit Kristo Frashëri dhe e dy vëllezërve Alfred dhe Neki Frashëri.

Gjithashtu unë nuk marr në konsideratë historinë e Ajaz beut nga Stanimaka (origjina e tij), as nga Tomorica e Skraparit, dhe as nga biri i tij, Bondo, si krijues të familjeve të mëdha të Frashërit, sepse Ajaz Beu erdhi në Frashër pas vitit 1700 dhe u vra bashkë me birin e tij Bondon, me ferman të sulltanit më 1731, pra ata qëndruan në Frashër më pak se 30 vjet, kur Frashëri që nga zanafilla e tij 1431-32 deri në ardhjen e Ajaz Beut pas 1700-ës, kishte 268 vjet jetë; fiset dhe familjet e mëdha ishin krijuar. Në 30 vjet nuk mund të bëhej asgjë nga Ajaz beu.

Sigal

Gjithashtu, që nga viti 1506 kur Frashëri mori statusin e “Derbendit” deri në vitin 1700 e ca kur erdhi Ajaz beu me të birin, frashërllinjtë vendas kishin 200 vjet në shërbim të qeverisë turke për mbrojtjen e urave, shtigjeve, vendkalimeve dhe karvaneve të tregtisë, gjë që solli pasurim të shpejtë të familjeve të Frashërit.

Pra, edhe me kaq kuptohet se Ajaz beu (i Tomoricës), nuk mund të ishte krijues i familjeve të mëdha. Fisi më i madh i Frashërit ishin Nikollat me 11 familje të krishtera, nga këto familje (fill pas ndërrimit te besimit fetar nga ortodoksë në myslimanë), u krijuan familjet e mëdha, dhe të parët ishin Hasanas-it. Në libër (çdo i interesuar) mund të gjejë krijimin e familjes së vet të argumentuar.

Gjithashtu, në librin tim, familje të mëdha mbeten: Sulejmanbellinjtë, Velibellinjtë, Vilakët, familja e tre vellezërve Frashëri (Dukollarët), Skënderasit, Kasollarët dhe Lakçenjë, – kurse Aliçkat – siç shkruan edhe Mit’hat Frashëri, – nuk ishin familje parësie.

Katragjyshi i familjeve të mëdha ose krijuesi i tyre, ishte Hasani i madh i Frashërit, prej këtij kryegjyshi rrjedh edhe autori i këtij libri, Vepror Hasani