Naxhi Kasoruho: Në Gjirokastrën time të dashur ku më “flasin” edhe gurët e kalldrëmit

Një ditë të bukur në vëndlindje

-Impresion-

Sigal

Nga: Naxhi Kasoruho, “Mjeshtër i Madh”

Vite më parë një shoku im Ing.Veiz Lluka më takon dhe më tregon mbresa nga qëndrimi i tij disa ditë në Gjirokastër, mbasi të dy jetojmë në Tiranë larg qytetit tonë të dashur.

-Naxhi- shiko ç’më ndodhi një ditë në Gjirokastër kur po qëndroja me disa shokë te Mesi i Pazarit.

– Duke vështruar kalldrëmin m’u duk se po lëviznin disa gurë duke u ngritur nga toka. E vura re përsëri dhe thashë do të jetë tërmet prandaj iu thashë shokëve që të shikonin edhe ata. Ndërkohë ata m’u përgjigjën ç’na the o Veiz ku ka gurë që lëvizin! Dhe unë vazhdova përsëri, ja, pra shikoni gurët që po hidhen lart madje dëgjoj edhe zëra, iu thashë.

Shokët të çuditur m’u drejtuan se po shikon ashuçilacione apo tallesh me ne? Unë vazhdova përsëri, ja çfarë thonë: -“Pse s’vjen Naxhiu në Gjirokastër”? Shokët u çuditën dhe thanë se ç’të shkoi në mendje, që e stise këtë histori me Naxhiun!

Duke më treguar këtë histori Veizi filloi të qeshte dhe më tha se: “Ti Naxhi e do shumë Gjirokastrën e mban në zemër dhe ke shkruar me shumë dashuri në librat e tu dhe kur takohemi nuk pushon së treguari për qytetin e gurtë që i meriton të gjitha ato që ti shkruan.

Ndonëse ky tregim ishte një fantazi e tij unë qesha dhe i thashë se të gjithë që largohen nga vendlindja e marrin atë me vete dhe kudo që të shkojnë ai mall ia u bëri jetën më të bukur. Kjo histori më ngeli në memorie dhe herë pas here e kujtoja si një gjë të veçantë.

Anetë gjirokastrite, këto ikona të mirësisë, dashurisë, të thjeshtësisë kur ndonjë pjestar i familjes largohej nga qyteti e shtëpia e përcillnin deri tek “Porta e Madhe” dhe iu thoshin: “Do të të marrë malli edhe për gurët e sokakut.” Dhe të gjithë ata që janë larguar nga qyteti e kanë ndjerë këtë porosi.

E kam dëgjuar këtë porosi të aneve tona qysh në fëmijërinë time të hershme, por që malli të merr dhe për gurët e kalldrëmit nuk e kisha menduar. Ndonëse kjo metaforë është e çuditshme dhe në antitezë me porosinë e aneve më pëlqen ta pranoj dhe të fantazoj vetë se vërtetë gurët e kalldrëmit kanë mall dhe duan të ndjejnë trokitjet e këpucëve dhe hapat e gjirokastritëve fisnikë që kanë kaluar në këto sokakë në vite e shekuj që nga Bajo e Çerçiz Topulli, Idriz Guri, Musine Kokalari e Bule Naipi, Xhevat Avdalli, Papa Foti, Hoxha Maman Çene, Basho Thoma Papapano, Myzafer Asqeriu, Dr. Vasil Laboviti e të gjitha ata që kaluan mbi këta kalldrëmë që oshëtinin në ditët e dasmës kur krushqit me nusen në kalë këndonin:

“Çka sokaku që gjëmon

o lejmon more lajmon.

Nuse Astrit beut shkon

me takëme të verbon.”

Këto po mendoja të shtunën e 18 shkurtit 2026 kur isha në Gjirokastër për të promovuar volumin e parë të librit “ Gjiokastra”, enciklopedi kulturore si pjesë e kolanës me 5 volume ku promovohet trashëgimia në tërë hapësirën dhe dimensionin e saj.

Me shokë, kolegë, bashkëpunëtorë, dashamirës të trashëgimisë kulturore u mblodhëm tek “Odaja e madhe” e shtëpisë së Kadaresë ku shpesh promovoj librat e mi dhe flasim me mall për trashëgiminë kulturore dhe qytetërimin gjirokastrit si kontribut dhe vlerë në kulturën tonë kombëtare.

“Ne e duam Gjirokastrën dhe Gjirokastra i do të gjithë“