Vepra e socializmit kushtoi 2 miliardë në 1953, u shit për 200 mijë lekë në 2016

502
Sigal

Institucionet e shtetit, pazare me botën
e krimit dhe korrupsionit

Nga Maksim TUFA

Gazeta Telegraf/ Duket se krimet
në institucionet e këtij shteti që funksionon pa ligje, nuk kanë të sosur. Kudo
dëgjohen raste të zhvatjes së milionave me tenderët, me shitjet dhe blerjet, me
shpërblimet dhe aferat e tjera të pista, që po pasurojnë si me magji  zyrtarët e këtij shteti. Kudo zbulohen raste
nga më flagrantet, që janë akuzë ndaj atyre që “Rilindja” me bujë i emëroi në
krye të institucioneve, drejtorive, ministrive, dhe organeve të tjera
ekzekutive. Në dikastere nuk rreshtin aferat korruptive, duke nisur nga rritja
në masën 35 për qind e gjobës që merret për çdo tender, e duke vazhduar me
abuzimet  me “tregun” e punësimeve,
gllabërimin e trojeve dhe objekteve të tjera kryesisht në zonat bregdetare dhe
industriale të vendit, për të pasuruar bizneset e ministrave, deputetëve dhe
kodoshëve të tyre në selinë qendrore dhe ato lokale të “Rilindjes”. Prej 3
vitesh rilindasit i janë sulur edhe ish-veprave të kohës së socializmit, duke
mos kursyer asnjërën prej tyre. Lënia e qëllimshme deri në degradim, ka patur
dhe ka si synim shitjen e tyre badiava, për një vlerë qesharake, ose sa vlera e
tre muajve të ndihmës ekonomike. E tillë ishte edhe shitja e ish-TEC-it dhe
ish-Kantierit të Cërrikut, dy veprave të radhës së kohës së socializimit, që
janë shitur për 200 mijë lekë të vjetra, me letra dhe dokumentacion të
rregullt, me të gjitha vulat e institucioneve përgjegjëse të këtij shteti.

Flet inxhineri i TEC-it, Nesti Shala

Një
ish-inxhinier i TEC-it të ndërtuar qysh në 1953, Nesti Shala tregoi se
“degradimi i veprave të kohës së socializimit 
ka qenë gradual, i qëllimshëm, në një kohë që vlera e tyre ishte në atë
kohë mbi 2 miliardë lekë, me një teknologji të përparuar  ruse, më pas kineze dhe gjermano-lindore të
asaj kohe, ndërkohë që mësuam se ato janë shitur për copën e bukës, njerëzve
dhe miqve të një ministri që po ble muajt e fundit gjithë Cerrikun dhe disa
objekte tepër të rëndësishme edhe në Elbasan”. Pra kodoshët e “Rilindjes”, edhe
pse nuk e dinë se 2017 do t’u sjellë ndoshta fitoren ose ndoshta edhe humbjen
në zgjedhje, u janë sulur grabitjes së pronave të shtetit, atyre pronave që
ligjërisht janë dhe duhet të jenë në inventarin e shtetit, dhe shitja e tyre
duhej bërë me ankand dhe sipas të gjitha kritereve ligjore. Ish-inxhinieri i Cërrikut
me dhimbje tha se “të shesësh një vepër madhore dikur krenaria e energjitikës
tonë sa vlera e tre muajve ndihmë ekonomike, duke e degraduar me qëllim fitimi,
është krim i madh, në një kohë, që atje janë veç objektit edhe mbi 20 mijë
metra katrore hapësira që mund t’i përdorësh për qëllime të tjera biznesi, duke
lënë me gishtin në gojë 1200 punëtorët e dikurshëm, që derdhën djersën dhe
gjakun e tyre atje”. Aktualisht sot TEC-it të Cërrikut i kanë mbetur vetëm me
disa mure të rrënuara dhe asgjë tjetër, ndërkohë që hapësira e tij gjigande, ka
vend të ndërtohen e pakta 10 pallate, dy spitale, shkolla etj.

Pakti i rilindasve me botën e krimit

Shitja e
pasurisë kombëtare, e asaj pasurie e cila u ndërtua me krahët e shqiptarëve të gjysmë
shekullit të kaluar, tregon se pakti i “Rilindjes” me botën e krimit dhe
korrupsionit, mbetet sa pasionant aq edhe solid. Të dy palët, përputhen dhe
përfaqësojnë denjësisht interesat e tyre, që mbrohen nga përfaqësuesit e
mandatuar që kanë arritur të futen në Parlament dhe qeveri. Madje kjo e fundit,
numëron sot nga qendra deri në bazë një armatë të madhe zyrtarësh, të veshur me
kostume dhe kollare të shtrenjta, që mbajnë në xhepa diplomat e blera në
kioskat universitare, por që në fakt nuk janë asgjë tjetër veç kontribues të
zellshëm të botës së krimit dhe korrupsionit. Janë ata që firmosin dhe vulosin
grabitjen e parave në tendera, ata që mbushin çantat me 35 për qindëshin e milionave,
janë ata që edhe pse nuk dinë të protokollojnë (pasi shpesh thonë portokollojmë) shkresat zyrtare, kanë shkelur dhe
vazhdojnë të shkelin ligjet e këtij vendi, duke zhvatur gjithçka, mbi tokë dhe
nën tokë. Shitja dhe blerja e objekteve të ish-kohës së socializimit, pa
zbatuar asnjë kriter dhe predispozitë ligjore, mbetet krimi dhe shkelja më e
rëndë ligjore që zyrtarët e “Rilindjes” po bëjnë në heshtje, butë-butë, duke
favorizuar botën e krimit, e cila do të jetë nesër jo vetëm financuesja
kryesore e fushatave të saj, por edhe burimi nga ku rilindasit të kenë
mundësinë të shtojnë dhe të shumëfishojnë milionat e tyre të pista. Deklarata e
ministrit të Brendshëm zotit Tahiri se “kohët e fundit janë shtuar shumë lajmet
me burim Prokurorinë”, ishte sa ironike aq edhe e thumbuese për vetë çunat e
tij. Po është e vërtetë, sepse edhe lajmi për TEC-in, veç ish-inxhinierit, ka
burim edhe organin e akuzës. Duke dashur të bëjë ironi, Tahiri nuk e kuptoi se
po thumbonte pa dashje drejtorët dhe shefat e komisariateve, që janë bërë si zëdhënësit
e hashashmenëve. Padyshim që lajmet do të kenë një burim, dhe është fat që ky
burim gjithmonë është organi akuzës, pasi policia ka kohë që ka mbyllur çdo
portë informacioni për median.