Ushtaraku Aliko Disha nga Turani i Tepelenës, la si “pasuri” plagët e luftës, kontributin për vendin dhe emrin e mirë

1322
Përparim HALILI
Histori vuajtjesh, brengash, sakrificash, kurthesh, gëzimesh e arritjesh brenda 89 viteve të njeriut me zemër të madhe
Disa ditë më parë, ishim në shtëpinë e tij, pas një bisede me të bijën, për të shkruar diçka për jetën dhe punën e 89-vjeçarit Aliko Sulo Disha, tepelenasit që gjithë jetën dhe punën e tij ia kushtoi familjes dhe Atdheut, duke treguar qartazi e me prova konkrete dhe të shumta, se ishte dhe mbeti një personalitet i heshtur, por i shquar për urtësi, korrektësi, përkushtim e mençuri. Ditën që ishim më të, mësuam se kishte kaluar një krizë shëndetësore, duke u trajtuar në spital, më tepër për shkak të moshës (siç thoshte), por edhe prej vuajtjeve e lodhjeve që i ranë mbi supe qysh në moshën 10-vjeçare, mbi të gjitha përpjekjet e pandalshme për ecurinë e fëmijëve. Pasi e regjistruam bisedën me të, me lutjen e tij, pritëm edhe disa fakte të tjera (siç na tha) me emra miqsh, të afërmish, shokësh e kolegësh mes të cilëve kishte kaluar jeta dhe puna e tij si fëmijë jetim, si argatë e punëtorë krahu, si i ri energjikë me ëndrra për jetën, të cilën e kalo pa fjalën dhe pa ndihëm e babait të tij të nderuar në krejt zonën e Tepelenës e të jugut, burrit të zakonit Sulo Disha, që ai e përmendi disa herë edhe me lot në sy, si të ishte ende fëmijë! Ndërsa prisnim pjesën shtesë të rrëfimit, dje erdhi në redaksinë e gazetës “Telegraf”, vajza e tij e cila na tha, se babai saj, Aliko Disha ishte ndarë nga jeta 3 ditë pas bisedës që zhvilluam me të. Sot, në vend të intervistës me pyetje-përgjigje, po publikojmë të plotë atë pjesë të rrëfimit të dhënë prej tij…
Disa fakte, nga fëmijëria e vështirë e Aliko Dishës dhe dalja partizan
“Kam kaluar një jetë të vështirë në fëmijërinë time. U linda më 22 mars 1928, në fshatin Turan të Tepelenës. Në moshën 6-vjeçare, babai me la jetim mua dhe vëllanë tim. Na rriti nëna. Si jetim që isha, në moshën 10-vjeçare me punësoi Novruz Ruka, në Teqenë e Turanit. Një vit më vonë, me mori në punë Filo Kuçi, punëtor në Rruga-Ura. Ne vitin 1939, na pushtoi Italia Fashiste e cila u vendos me bazën e saj ushtarake në Fushën te Tepelenës, ku ndërtoi edhe kazermat dhe çdo gjë që i duhej një bazë ushtarake. Ne punëtorët e rruga-urës, bënim çdo ditë rrugën Tepelenë-Dukaj dhe thyenim çakëll. Ne fshatin tonë në Turan, kishte ardhur çeta e Sinan Lopësit dhe po ngrinte Këshillin Nacional-Çlirimtar. Partizanët kishin më shumë se dy ditë që qëndronin në fshatin tim. Ishte mëngjes ora 8, kur pamë një tank që po vinte nga Sinanaj, për në Tepelenë. Në “Qafë të Duke” i del përpara Shyqyri Taraj, nga Dukaj, me një kartë të kuqë në dorë dhe e ndaloi. Pasi hipi në tank, ai iku bashke me të dhe u kthye për në Turan. Unë i rrash ka rrugës për shkurt dhe lajmërova partizanët. Ata ishin ulur në “Lëmë të Lole” dhe po pastronin armët. U them, se po vijnë italianët. Ata u ngritën e zunë pozicionet. Tanku nuk u ngjit dot në lëmë, por ushtaret erdhën dhe lufta filloi. Të gjitha ç’farë ndodhën atë ditë, i pashë me sytë e mi. Lufta filloi e ashpër. Partizanet kishin zënë pozicione në muret e shtëpive të Nexhip Dishës, Mehmet Lolës dhe tek plevica në shtëpinë tonë. Komandanti partizan Qani Dashua, mbante flamurin në dorë dhe kur oficeri italian, u afrua të merrte flamurin, ai i hodhi një granatë dhe e vrau. Aty pashë qametin e vërtetë. Komandanti partizan më kishte fshehur mbas trupit të tij. Isha 10-11 vjeç, asaj kohe. Nga ushtarët italianë, u vranë 16 vetë dhe u plagosën 9 të tjerë. Pas kësaj beteje, italianët u tërhoqën. Nga partizanet kishte 3 të plagosur dhe një i vrarë. Nëna ime ishte në Tepelenë, se ishte ditë pazari dhe sa erdhi në shtëpi, më mori mua e vëllanë dhe u larguam për një kohë të gjatë, tek dajua. Po atë ditë, italianët ishin kthyer e na kishin djegur shtëpinë, si hakmarrje, mbasi në shtëpinë tonë u vra komandanti i tyre. Bashkë me shtëpinë që na dogjën, na vranë bagëtitë dhe dy qetë e parmendës, me te cilët punonte gjithë lagjja. Mbetëm pa asgjë. U kthyem përsëri në vatanin tonë, por pa asnjë dorë bereqet dhe me shtëpi të djegur komplet. Na ndihmoi Këshilli i Fshatit dhe gjithë bashkëfshatarët tanë, që ngritëm shtëpinë sa për të futur kokën. Në moshën 14-vjeçare, unë dola partizan me çetën që ishte vendosur në Fushën e Luzatit. Atje gjeta një të njohur nga Shkoza, një fshat i Vlorës, të paharruarin Ferrik Shefedinin. Ai me mori me vete në Divizionin e Parë të Gjirokastrës me komandant grupi, trimin Dilaver Poçi. Atje qëndrova 6 muaj. Më vonë, u caktova në Brigadën e XXII-S, ku komandant ishte Refat Barjami nga Gumenica, nënkomandant ishte Mehmet Jahua nga Bolena, kushëri i Luftar Bolenës, komisar ishte Qemal Klosi nga Klosi i Mallakastrës, Komandant Batalioni ishte Adem Haska dhe Nënkomisar Qemal Haska. Dhe kështu nisi rruga ime si partizan. 
Plagosja, kurimi në Itali nga mjekët hungarezë, shkollimi si “Skënderbegas” dhe rruga si ushtarak
Nga Berati, ishim nisur për të çliruar Lushnjën, Fierin, Vlorën, Himarën, Sarandën e Delvinën. Na dhanë urdhër të kalonim lumin Shkumbin, paçka se lumi ishte me nivel e dallgë të shumta prej reshjeve. Dy nga shokët tanë vlonjatë që dinin not, u hodhën në lumë, lidhën litarët nga bregu në breg dhe ne filluam të kalonim lumin, kalim që na kushtoi me humbjen e jetës së njërit prej shokëve tanë nga Narta e Vlorës, të cilit nuk ia gjetëm dot as trupin e rrëmbyer prej rrjedhës së lumit. Të nesërmen, u njoftuan Brigadat e VII, VIII e XII dhe Brigada e XIV, se po vinte një auto-kolonë gjermane nga Greqia, prej 25 kamionësh me ushtarë dhe municione. pasi zumë pritë, nisëm përleshjen, betejë në të cilën na u vranë shokët dhe drejtuesit tanë Komandanti i Batalionit, i paharruari Shefit Hekali, Nënkomandanti, trimi Braho Sako nga Gjirokastra dhe 13 partizanë të tjerë. Aty u plagosa edhe unë e po kështu dhe nje shok nga Fratari. Mua më ndihmoi e më shpëtoi nga gjermanët, Sadik Lama dhe një shok tjetër nga Çorrushi. Në kohën që u plagosa nuk e kuptova se isha plagosur e i them shokut tim që kisha në krahë: “Më pickoi një bletë në këmbë”. Ai më tha: – Jo Aliko, je plagosur, po shpejt se mos mbetesh këtu”. Pastaj, më mjekoi infermierja dhe më nisën për në Kavajë, ku kalova atë natë. Të nesërmen na priste vapori që do na çonte për në Itali, sepse plaga ishte shumë e rëndë. Siç më tregojnë shokët, atje mbërrita pa ndjenja dhe më futën në reanimacion, ku qëndrova 33 ditë. Një mjek hungarez, pyeti infermieren e tij: – Po ky fëmijë? Ajo i tha: Është partizan, albanez! Mjeku nxori një si tip stilolapsi nga xhepi e më hodhi dy pika në hundë, mbas një gjysmë ore u përmenda. Më hodhi edhe 2 pika të tjera. Infermierja, i thirri komisarit tonë, që na shoqëronte, shokut Vaso Boshnjakut, nga Gjirokastra. Ai erdhi e me puthi në ballë, duke më thënë: Ia hodhe qerrata! Në Itali qëndrova 6 muaj. Kur u ktheva prej andej, Shqipëria ishte çliruar. Më dërguan në Brigadën e Sarandës dhe prej andej komanda e brigadës më dërgoi për Shkollën “Skënderbej”. Pasi u çmalla me nënën dhe vëllanë, u nisa për në shkollën ushtarake, ku bëra 2 vjet studime si “Skënderbegas”. Pas kësaj shkolle, më çuan 6 muaj specializim në Rusi. Nuk vonoi dhe na njoftuan të ktheheshim në Shqipëri, pa e mbaruar kursin 6 mujor. Më emëruan oficer madhor në Krujë. Mbas 3 muajve, më nisën për në Fushë-Bardh të Gjirokastrës dhe më vonë në Tepelenë. 
Intrigat që nuk më përlyen e nuk më thyen dot
Caktimi në detyra të larta në ushtri, krijonte smirën dhe ligësinë për të më goditur. Nisën të më sulmonin pavarësisht kontributit që kisha dhënë në luftë dhe në punën e madhe për ndërtimin e vendit. Por nuk dua të flasë fare për ato gjëra që çonin shpije e intriga tek udhëheqja e lartë për njerëzit e ndershëm e atdhetarë, shumë prej të cilëve përfunduan jo vetëm në internime e burgje por edhe në plumb… Këto ligësi i përballova me vështirësi por me shuam dinjitet, duke gjetur forcën tek morali im i pastër, tek përkushtimi në punë, tek besnikëri ndaj interesave të atdheut dhe tek familja ime qoi përjetoi ato situata… Sot jam i mbushur me kënaqësinë që me jep e kaluara ime e pastër, fëmijët e mi dhe fëmijët e tyre, të cilëve u lutem përditë të bëhen e të vdesin si njerëz të nderuar…
Sigal