Surprizat e natës së çmimeve “Oscar”

534
Ajo është ngjarja më e rëndësishme e botës së filmit, e njëkohësisht është edhe një shfaqje e shumëpritur për industrinë e modës. Natën e “Oscar”-ëve, e gjithë bota i kthen sytë nga tapeti i kuq, e sigurisht ekspertët janë gjithë sy e veshë për të analizuar veshjet, kush shkëlqeu e kush doli huq. Një prej tyre, Sam Saboura shpreson që aktorja suedeze, Alicia Vikander, e nominuar për aktoren më të mirë joprotagoniste falë interpretimit të saj te “Vajza daneze”, do të vazhdojë të eksperimentojë me “look”-un provokues.
Në ceremoninë e çmimeve “Bafta” në Londër, 27-vjeçarja kishte veshur një fustan të zi lëkure të “Louis Vuitton” zbukuruar me kristale, pesha e të cilit thuhet të ketë qenë diku te 15 kg. “Ka disa kohë që luan me dizenjues si Louis Vuitton, që është disi avangardist dhe jo një emër që e dëgjon apo sheh shpesh në tapetin e kuq. Për këtë arsye edhe më pëlqen ‘look’-u i saj. Alicia duket që merr përsipër të rrezikojë, por ne duam të rrezikojë edhe më shumë”, tha Sam Saboura, ekspert mode. Në vëmendje, sipas tij do të jetë edhe e nominuara në kategorinë e aktores më të mirë, Brie Larson. Larson është fytyrë e re në mbrëmjet e “Oscar”-ëve, kështu që, edhe përzgjedhjet që do të bëjë sa i takon veshjes, padyshim ngjallin kërshëri.
Sigal