“Skena mbetet jeta ime”

602
Sigal

Hysen Bashhysa aktori i inspiruar nga Nikolin Xhoja dhe Vangjel Heba

Disa nga dramat dhe filmat, ku Hysen Bashhysa ka realizuar rolet e tij. ‘Çështja e inxhinier Saimirit”, ”Një shok i klasës sonë”, ”Të kam në zemër”, ”Fluturimi i breshkës”, ”Karnavalet e Korçës”, ”Marga”,”Lugajanët”, ”Kartela e verdhë”, ”Nusja e humbëtirës”, ”Besëlidhja shqiptare”, ”Dorina”,”Martesa” , ”Mirë se erdhe Elona”, ”Tango”, (ku vlerësohet si aktori më i mirë ), ”Kur  këndonim Margaritën”, ” ”Babai”, ”Seancë e jashtëzakonshme në parlament”, ”Hotel Ballkan”, ”Suita 51”, ”Heronjtë e Viagrës”  etj., etj.. Kinematografi: ”Një udhëtim i vështirë,”, ”Në pyjet me borë ka jetë”, ”Gjurmë në kaltërsi”, ”Vrasje në gjueti”, ”Rikonstruksioni”, ”Dorina”, ”Koha e komisarëve”, ”Zani partizani”, ”Kolonel Bunker ”Unë dhe Lenini” etj., etj..

-Pak ditë më parë dolët në  pension,si ndiheni?

-Një nga gjërat e mira të këtij profesioni është se aktori nuk ka moshë. Ndjej se energjitë e mia do vazhdojnë të digjen në skenë, për t’i marrë sërish nga publiku,ndjej se marrëdhënia unë-art do vazhdojë me pasion derisa Zoti të më japë jetë.

-Jeni penduar që keni zgjedhur këtë profesion?

-Edhe pse  për shkak të xhirimeve në vende të ndryshme,ose oraret e gjata të provave, më kanë detyruar shpesh herë të jem larg familjes, megjithatë nuk jam penduar kurrë.

-A mendoni sot se të jesh artist do të thotë që ke të ardhura të mira financiare?

-Të jesh artist është sikur të notosh në një det pasionesh,ta kesh shpirtin plot, të duan njerëzit për emocionet që dhuron. Të jesh artist do të thotë të jetosh me pasionin dhe të mos komentosh shumë anën financiare, e cila gjithmonë lë për të dëshiruar…

Ç’vite karrierë i kujtoni më shumë?

-Gjithçka, më kujtohet edhe dita e parë në teatrin “A.Moisiu”, kolegët e mi të atëhershëm prej të cilëve mësova mjeshtërinë e aktrimit,magjinë që të fal skena, seriozitetin në punë, dashurinë për çdo personazh dhe mbi të gjitha marrëdhënien e sinqertë mes kolegësh…

-A jeni ndjerë i nënvleftësuar në momente të veçanta nga njerëz të pa aftë dhe si keni reaguar?

-Njerëz të pa aftë ka gjithkund dhe në fakt duhet të ruhesh nga të tilla krijesa, por dashuria për skenën më ka bërë të fuqishëm ta mund edhe injorancën e arrogantëve, mendjemëdhenjve që përpiqen të të ngufasin me ligësinë e tyre….

-Çfarë vlerësoni më shumë tek njerëzit?

-Ndershmërinë. Është një virtyt që e fisnikëron së tepërmi njeriun dhe fatkeqësisht është duke u zbehur…

-Presim akoma gjëra të bukura nga ju?

-Gjërat e bukura ndodhin vetëm kur shpirti është i mbushur me entuziazëm, falë punës time, bashkëpunimit të shkëlqyer me kolegët,dashurisë së njerëzve të afërm,përbëjnë të gjitha kushtet që entuziazmi të mos më mungojë…

-Cila është moto me të cilën udhëhiqeni në jetë?

-Të jesh i ndershëm me njerëzit dhe t’i duash ata…