Sesilia Plasari: Tek Enver Hoxha më çoi profesioni i aktorit

3734
Sigal

INTERVISTA/ Flet regjisorja dhe aktorja Sesilia Plasari

Në regjimin komunist kishte luajtur disa filma, njëkohësisht ishte dhe pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, në degën e dramës. Në vitet e para të demokracisë  pati fatin të merrte një ftesë nga shkolla e famshme franceze “Florent” për të bërë një eksperiencë të cilën ia ofroi  z.François Florent, krijuesi dhe drejtuesi i të kësaj shkolle franceze e internacionale. U nis drejt Parisit të famshëm ku prindërit e saj hynë në borxh për ti paguar biletën e avionit. Komedia “Edhe ashtu edhe kështu”, me regji dhe skenar të Bujar Kapexhiut, me muzike të Ardit Gjebresë është prodhuar në vitin 1989 nga Kinostudio Shqipëria e Re. Aktorët kryesorë: Mirush Kabashi, Sesilia Plasari, Frederik Ndoci, Agim Bajko , Robert Ndrenika, Met Bega,etj.. Sesilia në këtë film dallohet me rolin e Almës .

-”Kasollja e vogël” është një kryevepër e komedisë franceze, me autor Andre Roussin pse patët dëshirë për ta sjellë në Shqipëri dhe kush ju ndihmoi në këtë ndërmarrje?

Ndihmesën që unë të mund të realizoj një vënie në skenë në Shqipëri e filloi Ambasada Franceze nëpërmjet Këshilltarit të kooperimit dhe aksionit kulturor zotit Hubert Le Forestier de Quillien, i cili më premtoi se do më mbështeste financiarisht dhe e mbajti fjalën. E falënderoj nga zemra. Ekonomikisht ndihmesa ishte modeste por e mjaftueshme për ta inkurajuar Teatrin Kombëtar të Komedisë  – që për shkak të buxhetit të vogël është i etur për këto lloj bashkëpunimesh – ta shikonte me përparësi kandidaturën time. Paraqita dy projekte nga të cilët prioritari nuk u mundësua për shkak të kostos më të lartë dhe u zëvendësua nga i dyti, më modest (siç e thotë edhe titulli) « Kasollja e vogël ». Një ndihmë e vogël financiare dhe ja, dy kombe mund të ndajnë të njëjtën gosti artistike, të njëjtin eliksir humori e mençurie. Më pëlqen tek kjo vepër humanizmi përtej konvencioneve e tabuve, skicimi për tu admiruar i psikologjisë së personazheve, fakti që ata mbeten njerëz të bukur e simpatikë,  e që sfidojnë çdo lloj karikature duke luftuar deri në ekstrem për lumturinë e tyre. Toleranca, respekti, dhembshuria që ata kanë për njeri tjetrin edhe pse jeta i ka kapur të tre, (si fluturat e personazhit të Filipit), në një «rrjetë» nga e cila nuk dalin dot…

-Ku i mbaroi studimet për regji Sesilia dhe kush ju nxiti në këtë rrugë të vështirë të artit?

Unë kisha studiuar tashmë një vit regji në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Në Francë Instituti i Studimeve Teatrale të Sorbonës, por edhe zelli me të cilin i ndërmora studimet në këtë Institut më hapi një dritare që nuk e kisha parë as në ëndërr. Është krejt ndryshe mënyra e të mësuarit atje, një mënyrë që më erdhi krejtësisht për shtat. Atje mëson të vrasësh mendjen. Mëson të vësh trurin në punë, mëson se si të mësosh gjithë jetën.  Asnjëherë nuk mund t’i mësojmë dhe as ti dimë dot të gjitha; por të gjesh fillin e kuq të vetvetes në një profesion dhe të rrugëtosh në xhunglën e tij duke çpështjellë, pra, këtë «lëmsh», atë të vetvetes – dhe rruga të jetë e jotja, e ideve të tua, e shijeve të tua – këtë nuk do dija ta bëja – besoj – pa studimet në Francë. Por jo vetëm studimet: shfaqjet e shikuara për vite rresht, aq e aq libra të lexuara mbi profesionin, konferenca, stazhe… dhe sidomos ajo që i konkretizoi dhe i konfirmoi njohuritë e akumuluar: puna në profesion, krahas regjisorësh dhe aktorësh shumë të zotë e të kulturuar – të gjitha këto më kanë mësuar e frymëzuar. Dhe s’ka nxitje më efikase se frymëzimi e akumulimi në rrugën e artit. E bukura të «fryn», me një frymë të shenjtë dhe ti fluturon si një tullumbace e kërkon të biesh lehtas e bukur diku: në ndonjë skenë, sigurisht…!

– Shkolla shqiptare e regjisë a është e niveleve europianë?

Nëse e keni fjalën për shkollën si shkollë, si institucion formimi, do thoja se është interesant një fakt:  ndonëse shkollat e regjisurës në Evropë ekzistojnë dhe kryejnë sigurisht një funksion të rëndësishëm, ekziston pareshtur një debat i hapur e i ndezur për legjitimitetin e ekzistencës së tyre. Ato vazhdojnë të jenë shumë të kontestuara për faktin e thjeshtë që gjithsekush e di në profesion : shkolla nuk të bën dot regjisor. Regjisura nuk mësohet dot. Ajo varet nga një koktej aftësish që vështirë se t’i jep dot një shkollë. Njeriu që e ka për vokacion mund t’i ndjejë dhe mund t’i perfeksionojë ato aftësi, duke gjetur mënyrën për të plotësuar çfarë i mungon. Nuk ka asnjë rregull mbi të cilin mund të mbështetesh, asnjë faktor stabël dhe përsëritës. Duhet të adaptohesh gjithë kohës, duhet ta vësh veten në pikëpyetje sistematikisht. I vetmi element mbi të cilit mund të mbështetesh është instinkti. Më duket se regjisura është një nevojë.  Nuk e njoh shkollën e regjisurës në Shqipëri dhe nuk jap dot opinion për të. Por, si edhe në Evropë, mund të ndodhë që ajo të nxjerrë breza të tërë regjisorësh nga të cilët ndoshta asnjë nuk do bëhet dot regjisor, ose nuk do “jetë”, edhe po e ushtroi.  Ndërkohë që, një djalë apo vajzë e ardhur nga shkolla e aktrimit, e skenografisë, e filozofisë, e letërsisë etj., mund të bëhet një regjisor/e  shumë i/e  mire!  Për mendimin tim, kushti i të pasurit  diplomë në paraqitjen e projekteve të regjisorëve si të teatrit, por edhe të filmit është i rrezikshëm dhe diskriminues.  Nëse e përdorni fjalën «shkollë» në kuptimin e tendencës, e rrymës, do thoja se një tendencë, një rrymë, mund të lindë po aq në vendet e tjera të Europës sa edhe në Shqipëri! Origjinalitetin, vizionin, shpërthimin e një prurjeje të re mjetesh shprehëse në përshtatje me domosdoshmërinë për të trajtuar në mënyrë origjinale një përmbajtje “vullkanike”, le të themi, mund ta gjejmë fare mirë në çdo cep të globit. Kur kjo pastaj bëhet rrymë, tendencë, etj., nuk është më Teatër, me T të madhe, është ripërtypje e një ushqimi, të cilit i kanë mbetur fare pak vlera ushqimore…

-Kur konkurruat në regji, kush ishte në juri dhe  çfarë performuat?

Shkolla “Floran” që kam ndjekur fillimisht në Francë përgatit aktorë, kurse Instituti Teatral i Sorbonës, ku studiova më pas nuk përgatit as aktorë as regjisorë. Ajo është Universitet Teatri, të pajis me një formim të shëndoshë për gjithçka që ka lidhje me teatrin : historinë, estetikën, dramaturgjinë, regjisurën, kritikën, pedagogjinë, shkrimin dramatik, specifikën e përkthimit të teksteve dramatike etj., etj., të gjitha aspektet e teatrit atje preken e trajtohen. Sigurisht, edhe regjisura. Nuk është shkollë me konkurs. Është një universitet, që mund ta ndjekë kushdo. Shanset ju jepen të gjithëve. Pastaj jeta bën seleksionimin… Shkolla ime më e madhe e regjisë ka qenë formimi në përgjithësi, duke filluar që tek Estrada e Shtetit ku punonte im atë kur isha foshnje, Pallati i Pionierëve, njerëzit e spektaklit që kam frekuentuar pareshtur, si këtu, si në Francë etj., etj., e deri tek shkollimet, por edhe stazhet dhe formimet pasuniversitare në Francë. Ndërsa praktikën, kurajon dhe besimin ma ka dhënë puna si asistente e disa regjisorëve francezë, dy prej të cilëve janë më të mëdhenjtë e Francës.

-Përse zgjodhët Francën si vend jetese dhe pune, ishte ndonjë ëndërr rinore, apo një ndihmë apo ofertë miqësore?

Ishte vendi ideal për mua meqë isha rritur në kulturën dhe gjuhën franceze falë gjyshes sime, e cila kishte jetuar e ishte shkolluar në Francë. Por ishte edhe çështje rastësie se, duke qenë pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) në degën e dramës, pata fatin të merrja një ftesë nga shkolla e famshme franceze “Florent” për të bërë atje një eksperiencë «që do ta përmirësonte cilësinë e punës sime për përgatitjen e brezit të ri të aktorëve shqiptarë »  – siç thoshte letra me të cilën drejtori  i shkollës zoti François Florent i kërkonte ambasadorit francez të atëhershëm të më akordonte vizën si dhe të drejtën e një leje qëndrimi afatgjate. E kam thënë ndoshta edhe gjetiu dhe e përsëris: I jam thellësisht mirënjohëse zotit Florent për kthesën që i dha jetës sime me këtë ftesë.

– Ju në vitin 1978 keni dalë në një foto me Enver Hoxhën, si keni dalë në këtë foto, kush ju çoi në duart e Enverit dhe si e përjetuat atë çast? Je penduar që e keni bërë atë takim?

Prej vitesh në Pallatin e Pionierëve (sot për të rinjtë duhet ta përkthejmë se çfarë ishte ky institucion) ndiqja me sukses rrethet e recituesve e të teatrit, madje si fillim edhe atë të korit. Pra tek Enver Hoxha më çoi profesioni i aktorit. U zgjodha, me audicion, midis të gjithë aktorëve të vegjël, të luaja rolin e Vitit të Ri. Isha në rol. Madje, duhet të bëja sikur isha çun. Ishte shfaqja që u dha për festën e jashtëzakonshme dhe unike  që u bë në Pallatin e Brigadave me nxënësit më të dalluar të gjithë Shqipërisë. Sigurisht, isha e lumtur si kurrë ndonjëherë. A jam penduar ? Përse ? Unë atëherë Enver Hoxhën e doja me gjithë shpirt, si të gjithë fëmijët e pafajshëm – të cilëve prindërit, si tek pjesa “Spiuni” i Brehtit, ju ruheshin. Dhe kurrë nuk duhet të pendohet njeriu që ka dashur. Edhe sikur në vend të gabuar të ketë vajtur dashuria ! As Perëndia nuk do ta dënonte një fëmijë që e jepte çiltërisht gjithë dashurinë e tij atje ku i kishin thënë se ishte drita. Pse duhet ta ndëshkoj unë, atë fëmijë që isha? Unë jam e lumtur që nuk e kam humbur aftësinë për të dashur gjatë zhgënjimeve të jetës. Mund ta kem humbur përkohësisht, por për ta rigjetur edhe më fort. Ai që di të dojë, di ta gjejë dritën e vërtetë, edhe kur ajo duket se ka humbur. Në burimin që nuk mund të të zhgënjejë më…  Dhe dashuria është shpëtimi i njeriut!