Rritja e ndihmës ekonomike për 103 mijë familje duhej të niste më 15 maj, por shtyhet më 1 shtator

585
Përparim HALILI
Fondet do përdoren për postera, karburante, makina, foni, filmime, dieta, pagesa dhe ushqime militantësh gjatë fushatës elektorale
– Dy udhëzime të datës 8 maj 2017, shfuqizojnë dy vendimet e datës 17 shkurt 2017, ku përfshihej edhe rritja e “Bllok-Ndihmës Ekonomike” për 51 mijë personat e 13 kategorive sociale në trajtim shtetëror, ndryshojnë edhe dokumentet që duhen dorëzuar për çdo kategori familjesh dhe kategori sociale që aplikon për këtë pagesë
Të premtosh e të mos realizosh zgjidhjet sociale me të cilat kërkon dhe merr votat e popullit, kjo është një manovër e njohur e politikës shqiptare, si një “teatër” për të marrë pushtetin. Por, që të miratosh me vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) një mbështetje social-ekonomike dhe të mos e plotësosh ky quhet absurditet lojë tallëse me komunitetet dhe shtresat në nevojë emergjente të mbijetesës ekonomike. Këtë ka bërë “rilindja” dje, me një udhëzim skandaloz ministror, që rrëzon një vendim qeverie. Konkretisht, në muajin mars 2017, kryeministri urdhëroi me vendim të posaçëm, rritjen e ndihmës ekonomike për 103 mijë familjet dhe personat familje më vete, të cilët janë pa të ardhura financiare për shkak të papunësisë, vetmisë e braktisjes që nuk u mundëson asnjë burim financiar për të ngrënë një copë bukë! Siç dihet për këto familje që trajtohen me ndihmë ekonomike, shteti jep një pagesë qesharake maksimalisht 76 lekë të reja në ditë për person. Për efekt të fushatës së 18 qershorit, “rilindja” miratoi rritjen e ndihmës ekonomike mujore ne vlera po lëmoshë, për të cilën u miratua Udhëzim Nr. 4, datë 17.2.2017 “Për përllogaritjen e përfitimit të ndihmës ekonomike” dhe udhëzimin nr. 5, datë 17.2.2017 “Mbi përdorimin e fondit të kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike deri në 6% (përlind)”. Këto rritje të masës financiare të ndihmës ekonomike mujore dhe bllok-ndihmës ekonomike për kategoritë e veçanta, ishte vendosur të nisin në datën 15 maj 2017. Mirëpo vetëm 3 ditë para nisjes së pagesës me rritjen e shpallur zyrtarisht, dje u shpallën për zbatim, dy udhëzimet të reja nr. 9 e 10 të datës 8 maj 2015, të cilët shfuqizojnë dy udhëzimet nr. 4 e 5, të datës 17 shkurt 2017. Sipas dy udhëzimeve të reja, pagesa e rritur e ndihmës ekonomike dhe bllok-ndihmës ekonomike për 103 mijë familjet dhe për 51 mijë personat e 13 kategorive sociale në trajtim shtetëror, do të nis nga data 1 shtator 2017 dhe jo nga dita e hënë, datë 15 maj 2017. Kjo shtyrje afati për rritjen e pagesës lëmoshë, nuk bëhet për pagat dhe pensionet, dietat dhe shpërblimet e deputetëve, ministrave, zv.ministrave, drejtorëve, kryebashkiakëve, diplomatëve e nëpunësve të administratës shtetërore që kanë paga mujore nga 800 euro deri në 3 milionë lekë, por bëhen për familjet dhe personat që paguhen me ndihmë ekonomike mujore sa pagesa që u jepet deputetëve për 1 natë fjetje në hotele jashtë Tiranës, por brenda vendit, mbasi jashtë Shqipërisë 1 natë fjetje në hotel, u paguhet 100 euro! Cili është shkaku i moszbatimit të këtij afati, duke e shtyrë me 103 ditë pagesën e rritjes së ndihmës ekonomike për 105 mijë familjet në varfëri ekstreme dhe të “Bllok-Ndihmës Ekonomike” për 51 mijë personat e 13 kategorive sociale në trajtim shtetëror, ku bëjnë pjesë femrat ish-viktima të trafikimit dhe dhunës në familje dhe të moshuarit e braktisur prej fëmijëve, të cilët shteti nuk ka kapacitete trajtimi në rezidencat sociale? Sipas burimeve të gazetës “Telegraf” në ministrinë e Financave, thuhet se shtyrja e afatit të pagesës së rritjes që duhej të niste më 15 maj 2017 është bërë për shkakun e vetëm, se fondet e planifikuara për këtë rritje, “rilindja” do t’i përdor për postera, karburante, makina, foni, filmime, dieta, reklama e koncerte elektorale, pagesa dhe ushqime militantësh gjatë fushatës elektorale, ndërkohë që sipas KQZ, i janë akorduar 1 miliard lekë fonde nga buxheti i shtetit, pa llogaritur “llogaritë” dhe financimet ilegale të sponsorëve klientë tenderësh të saj!
Ja Udhëzimet nr. 9 e 10, që shfuqizojnë Udhëzimet nr. 4 e 5
Dy udhëzimet nr. 9 e 10, siç e thamë më lartë, shtyjnë për në datën 1 shtator 2017, afatin e zbatimit të rritjes së ndihmës ekonomike, përcaktuar e bërë ligj me udhëzimet nr. 4 e 5. Ja përmbajtja e dy udhëzimeve…

1. Udhëzimi nr. 9, datë 8.5.2017 “Për një ndryshim në udhëzimin nr. 4, datë 17.2.2017, për përllogaritjen e përfitimit të ndihmës ekonomike për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, dhe Kreut IV, pika 2 të vendimit nr. 95, datë 7.12.2016, të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave, dokumentacionit dhe masës së përfitimit të ndihmës ekonomike”, vendos: 

1. Pika 15 e udhëzimit nr. 4, datë 17. 02. 2017 “Për përllogaritjen e përfitimit të ndihmës ekonomike”, shfuqizohet. Ky udhëzim hyn në fuqi me botimin në “Fletore Zyrtare” dhe i shtrin efektet, duke nisur nga data 01. 09. 2017. 

2. Udhëzimi nr. 10, datë 8.5.2017 “Për një ndryshim në udhëzimin nr. 5, datë 17. 02. 2017 “Mbi përdorimin e fondit të kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike deri në 6%”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 21, të ligjit nr. 9355, datë 10. 03. 2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, të Kreut IV, pika 2 të vendimit nr. 955, datë 07. 12.2016, të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave, dokumentacionit dhe masës së përfitimit të ndihmës ekonomike”, UDHËZOJ: 

Pika 13 e udhëzimit nr. 5 datë 17.2.2017 “Mbi përdorimin e fondit të kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike deri në 6% (përlind)”, shfuqizohet. Ky udhëzim hyn në fuqi me botimin në “Fletore Zyrtare” dhe i shtrin efektet e zbatimit, duke nisur nga data 01. 09. 2017. 
Udhëzimi nr. 4, datë 17 shkurt 2017: Rritja e ndihmës ekonomike nis nga 15 maji 2017
1. Pavarësisht nga përbërja e saj, masa maksimale e plotë e ndihmës ekonomike për familjen nuk mund të jetë më e lartë se 8 000 (tetë mijë) lekë në muaj. 
2. Masa e ndihmës ekonomike, në muaj, për prindërit me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh është: 
a) Për trinjakë, 3000 (tremijë) lekë për çdo fëmijë
b) Për katërnjakë, 4000 (katërmijë) lekë për çdo fëmijë
c) Për pesënjakë, 5000 (pesëmijë) lekë për çdo fëmijë 
Kjo ndihmë ekonomike përfitohet deri në moshën 18 vjeç 
3. Pagesa për viktimat e trafikimit është 3000 (tremijë) lekë në muaj dhe përfitohet pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre. 
4. Pagesa për çdo viktimë të dhunës në marrëdhëniet familjare që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore, është 3000 (tremijë) lekë në muaj dhe jepet gjatë periudhës së vlefshmërisë të urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të përcaktuar në vendim gjykate. 
5. Pagesa për çdo jetim është 3000 (tremijë) lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet nga jetimët që nuk janë në qendrat sociale, deri në çastin e punësimit të tyre. 
6. Masa e ndihmës ekonomike për familje llogaritet: 
a) Pagesë 1800 (njëmijë e tetëqind) lekë për anëtarin e parë të familjes sipas renditjes në certifikatën familjare 
b) Pagesë 1260 (njëmijë e dyqind e gjashtëdhjetë) lekë për anëtarët e tjerë të familjes mbi moshën 18 vjeç 
c) Pagesë 900 (nëntëqind) lekë për anëtarët që janë në dhe nën moshën 18 vjeç. 
8. Kur në familje mbetet vetëm 1 anëtar, masa e ndihmës ekonomike për këtë të fundit është ajo e llogaritur për këtë anëtar.
9. Kur familja ka vetëm 1 anëtar, i cili është mbi moshë pune, pagesa e ndihmës ekonomike është 2.600 lekë. 
10. Anëtarët e familjes, fëmijë, për të cilët vërtetohet që ndjekin arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç, marrin një shtesë në masën 300 (treqind) lekë në muaj gjatë vitit shkollor. 
11. Anëtarët e familjes, fëmijë, për të cilët vërtetohet që janë vaksinuar sipas kalendarit të vaksinimit marrin një shtesë në masën 100 (njëqind) lekë, për çdo vaksinë të kryer. 
12. Për bashkëshortët në proces zgjidhje martese, kur ende nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë, masa e ndihmës ekonomike për secilin bashkëshort, do të jetë e përllogaritur në bazë të strukturës së familjes. 
13. Për anëtarin e familjes në nevojë, që është person me aftësi të kufizuar, invalid pune, nuk llogaritet masë ndihme ekonomike në strukturën e masës së ndihmës ekonomike për familjen. 14. Të drejtën për ta tërhequr dhe marrë në dorëzim ndihmën ekonomike për familjet në nevojë e ka bashkëshortja. Për rastet kur në strukturën e familjes bashkëshortja mungon të drejtën e tërheqjes e ka kryetari i familjes. 15. Ky udhëzim hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 15 maj 2017. 
(Por u shty, për në datën 1 shtator 2017)
Sigal