Ramazan Çeka: Nata e Këngës Shkodrane

465
Kështu ishte titulluar koncerti, pasi magjia e këngës shkodrane na ndjek në çdo gëzim familjar, na i çel zemrat, na kënaq me aromën e luleve e me zërin e bilbilave. Kështu atë natë gëzuan e kënduan të gjithë, me këngëtarët shkodranë të mrekullueshëm, një natë magjike mes shumë artistësh në ambientet e Hotel “Rozafa” në Shkodër, me këngë qytetare shkodrane me rastin e festave të fundvitit. Një mbrëmje e paharruar, titulluar “Nata Shkodrane” me një repertor të përkryer e mbushur me tinguj muzikorë, u organizua me prezantimin e këngëve shkodrane nga këngëtarë më të dashur të skenave shqiptare në ambientet e Hotel “Rozafa”, eveniment që mban firmën e “Mjeshtrit të Madh” Bujar Qamili, i cili di të sjellë aq bukur emocion para kolegëve të tij shkodranë që ruajtën kudo këto këngë të pazëvendësueshme, duke sjellë atmosferën e tyre. Ajo mbrëmje dhjetori në festat e fundvitit ishte shumë e nxehtë, sepse sallën e turizmit nuk e ngrohën kondicionerët, por këngët aq të bukura si një fllad që në verë frynë lehtë nga mali, nga liqeni, nga lumi, nga deti. Koncerti filloi me këngën “Rreth e rreth Shkodrës jam sjell”, kënduar nga Bujar Qamili, shoqëruar me pasion e mjeshtri nga instrumentistët profesionistë të qytetit, me udhëheqës artistik Anton Kaftalli dhe Qemal Kajushi, të prezantuar me kompetencë dhe profesionalizëm nga moderatorja simpatike, Ketlin Pjalmi. 

Një eveniment shumë i veçantë në llojin e tij, me pjesëmarrjen e këngëtarëve të rinj, por edhe të vjetër me shumë vite karrierë. Në këtë mbrëmje të madhe, merrnin pjesë artistë shkodranë, që u dalluan jo vetëm për nivel të lartë artistik, por edhe për emocionet e forta dhe larminë e këtij show spektakolar. Në këtë spektakël madhështor, emocione dhuruan këngëtarët shumë të njohur që kishin ardhur në “Natën Shkodrane”: Bashkim Alibali, Mukades Çanga, Adnan Bala, Hajro Pepa, Blerta Cina, Orjeta Kelaj dhe Eli Sina, por si thuhet ëmbëlsira lihet për fund: “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili pa të cilin nuk kishte si të merrte kuptim ky spektakël. Një larmi e veçantë ishte edhe performanca e grupit “Karafilat që ka Shkodra” me repertorin e tyre brilant. Pas suksesit të këtij spektakli, kërkova me sy dhe gjeta në mes të kolegëve dhe admiruesve, këngëtarin e mirënjohur shkodran Bashkim Alibali, të cilit i kërkova opinionin e tij duke i thënë, nuk po di se si të drejtohem, si shkodran, a si tiranas, apo si këngëtar që aktualisht i nderon të dy këta qytete, pasi ju vazhdimisht jeni i angazhuar në të gjitha aktivitetet që organizon Shkodra, si dhe jeni i pranishëm në evenimente artistike që organizojnë herë pas here televizionet në Tiranë.

Me buzë në gaz dhe humor mu përgjigj: “Kurrë s’i harroj këngët shkodrane me të cilat jam rritur. E sa për spektaklin sigurisht që e prita me shumë kënaqësi dhe e falënderoj shumë kolegun tim Bujar Qamilin për ftesën, i cili më përzgjodhi në këtë mbrëmje kaq të bukur dhe kaq madhështore, siç ishte “Nata Shkodrane”, ju them të drejtën e prita me shumë entuziazëm”.

Si ndiheni sonte në mes kolegëve tuaj në këtë eveniment kaq madhështor?
“Shumë bukur për deri sa isha i rrethuar nga kolegët e mi, që i respektoj shumë, ishte kënaqi pa diskutim, është kënaqësi të jesh në mesin e kolegëve dhe në mesin e këtij publiku kaq të madh edhe kaq të zjarrtë, siç dinë të jenë shkodranët. Ju falënderoj miqtë e mi te zemrës…Ndjehem i privilegjuar nga kjo shoqëri që më rrethon, nga ju që m’i shtoni vlerat dhe që më publikoni herë pas here në komentet tuaja, mbetem gjithmonë borxhli ndaj jush…Respekt për të gjithë ju. Unë gjithmonë kam me mbetë shkodran”, u shpreh ai plot emocion dhe buzëqeshje, duke cituar dhe disa vargje të dala nga shpirti i një artisti të vërtetë:
“Shkodër kangën po ta këndoj/ Se të du pa fund, pa anë/ Jetën time n’ty shikoj/ Se më dhe emrin shkodran”. Kënga popullore shkodrane është vërtetë e mrekullueshme, ndaj të gjithë duhet të krenohemi për këtë. Është një melodi e paarritshme, qëndisur me fjalë zemre, që shpesh na shoqëron në përkundjet e ëmbla të djepit të mrekullueshëm shkodran. E kush ma bukur se këngëtarët shkodranë do t’i sjellin këto këngë tek ky spektator i nderuar. “Me vend ishte titulli i këtij spektakli “Nata Shkodrane” që ka një gjetje jashtëzakonisht të bukur, të gjithë këngëtarët ishim të bashkuar dhe i dhamë këtij evenimenti një koncert jo vetëm me këngë shkodrane, por edhe këngë që i përkasin të gjitha brezave, dhe për këtë dua të falënderoj sinqerisht të gjithë kolegët e mi që kontribuuan për këtë koncert, orkestrën e përzgjedhur, por veçanërisht një falënderim dhe mirënjohje të madhe kam për ndihmesën e dhënë në organizimin e këtij koncerti, prania në çdo moment e drejtorit të progamacionit Elvis Nabolli, puna e palodhur e kameramanëve, si dhe e regjisorit në studion televizive Valmir Hysa. 

Unë personalisht si Bujar u ndjeva jashtëzakonisht mirë mes kolegëve, të cilët më nderuan dhe më respektuan me duartrokitjet e tyre të ngrohta. Ju uroj të gjithëve një vit të mbarë dhe të suksesshëm. Gëzuar Vitin e Ri 2016!” Ishin këto fjalët, vlerësimet dhe urimet e Bujar Qamilit. Ky koncert do të transmetohet natën e Vitit të Ri nga TV Rozafa. Dhe kështu u mbyll edhe koncerti. Torta zbukurohet kur mbi të vihet një qershi. E këtë natë qershia mbi tortë ishte “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili, i cili një jetë në skenë, një jetë me këngën shkodrane, me një repertor për tu admiruar, i ftoi në skenë të gjithë këngëtarët pjesëmarrës, të vjetër dhe të rinj, që nëpërmjet një kolazhi të improvizuar, i dhuruan publikut të pranishëm një kartolinë urimi të shkruar me tingujt e pavdekshëm të këngës popullore qytetare shkodrane, një kartolinë që e “lexuan” të gjithë së bashku. Këngët e interpretuara bukur kanë magjinë dhe suksesin e të gjithë artistëve që i mbeten memories së artit shqiptar.
Sigal