Ramazan Çeka: 3 netë magjike në Aulonën e Lashtë e Vlorën e re

588
Sigal

 

-Mbresa nga edicioni i XIII-të i “Aulona Inter Folk Festival”-

 

Det me valltarë,/Dritë me grupe artistike,/Diell shqiptar,/N’mes të Vlorës historike!

“Aulona Inter Folk Festival” ky emër sa motivues po aq edhe autentik, shpalosi siparin e edicionit të XIII-të tij në qytetin e mrekullive ku bashkë me të katër pasuritë e natyrës; relievin, ajrin, diellin dhe detin u gërshetuan krejt këndshëm arti, kultura, tradita dhe dinjiteti i këtij qyteti, pritshmëritë e të cilit sa vijnë e rriten, falë edhe konkurencës panoramike që e kishte transformuar  Vlorën në një perlë, ç’ka bënte t’i shtohet rëndësia, vlera dhe kuptimi, këtij festivali multikulturor  me pjesëmarrje ansamblesh dhe grupesh artistike kombëtare e ndërkombëtare.

 

I përfshirë në brendësi si publicist dhe gazetar, u informova edhe për detajet e organizimit të këtij festivali dhe stafit të punës, të cilët rezultuan të jenë të gjithë njerëz të artit e kulturës, specialistë  të trashëgimisë  kulturore dhe pasionantë të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kulturore shpirtërore: Kryesonte Sejmen Gjokoli, “Mjeshtër i Madh”, drejtor i përgjithshëm i festivalit me bashkpunëtorë, prof. Vaso Tole, udhëheqës artistik, Petrit Ruka “Mjeshtër i Madh”, regjisor, Kozma Billa, drejtor organizator, Arben Beqiri, koordinator me jashtë, Anka Paparizo, koordinatore me bashkinë, apo Arben Bllaci, drejtor i gazetës së festivalit, si dhe mjaft persona të tjerë që merreshin me pjesën skenike dhe shoqërimin e grupeve konkurrente.

Në shenjë mikpritjeje edhe përshëndetëse për pjesëmarrësit, siparin e edicionit të 13-të të “Aulona Festival” e hapën të zotët e shtëpisë me grupin e valleve të Qendrës Kulturore të bashkisë Vlorë, ku vajza të reja pasionante të folklorit, të përgatitura nga koreografja Anxhela Kapllani u paraqitën me një valle me motive të Jugut.

Në skenë u ngjitën me rradhë Ansambli “Emin Duraku” nga Shkupi me një CV mjaft të pasur artistike, si një nga ansamblet shqiptare që gjallon në kryeqytetin e vendit fqinj me një histori të pasur veprimtarie brenda dhe jashtë vendit për rreth 73 vite. Themeluar në vitit 1948 në Shkup, në Maqedoni, me shqiptarë e për shqiptarët. Në repertorin e këtij ansambli ka mjaft koreografi, ku burimi i tyre folklorik rrjedh nga trojet shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe jashtë saj.

Ky grup i mrekullueshëm kishte edhe një udhëheqës të mrekullueshëm, artistin e mirënjohur koreografin Fadil Zeneli. Ky ansambël ka marrë pjesë në shumë manifestime kulturore, koncerte, regjistrime televizive, festivale mbarëkombëtare në Kosovë e Shqipëri, si dhe ato ndërkombëtare: në Itali, Ukrainë, Rumani, Turqi, Bullgari, Gjeorgji, etj, ku është vlerësuar me çmime nderi.

Për të ruajtur këtë gërshetim ndërkulturor organiazorët ishin kujdesur që grupet të performojnë sipas listës së regjistrimit si pjesmarrës, ndaj i treti në rradhë që shkeli skenën e festivalit, ishte Ansambli “Silvana” nga Rumania, i cili vinte për herë të parë. I themeluar në vitin 1975, cilësohej si ansambli më emblematik i qytetit Deva, si dhe i krahinës së Transilvanisë në Rumani.

Ky grup përbëhet nga të rinj, djem e vajza nga qyteti i Devas dhe rrethinat e tij, të cilët ruajnë dhe interpretojnë vallet tradicionale nga zonat e vendit. Në civinë e tij, ky grup kishte një jetë të pasur me aktivitete dhe pjesëmarrje në festivale brenda e jashtë vendit, si në Egjipt, Belgjikë, Francë, Zvicër, Itali, Greqi, Turqi, Serbi dhe shumë vende të tjera.

Në “Aulona Festival” u paraqit me disa valle tradicionale që janë specifike për zonën nga ata vijnë nën kujdesin e koreografit Gabor Andrei. Në skenë u ngjitën njëri pas tjetrit pastaj grupe valltarësh nga Elbasani dhe Memaliaj me performancë këngësh dhe koreografi të spikatura aq bukur sa emocionet ishin të pashmangshme, çka u përkthye në duartrokitje të zjarrta nga spektatorët e shumtë.

Me po të njëjtin entuziazëm u mirëpritën edhe Ansamblet “P & E”, Vlorë, si dhe Folk Grup “Bilbili” nga Vlora, i cili gjithashtu me një background të pasur artistik përgjatë këtyre 27 vite të ekzistencës së tij, i cili vetëm mbas pak ditësh do të përfaqësojë Shqipërinë në Folkloriadën e 6-të Botërore, Rusi 2021.

Me shumë dinjitet artistik u paraqitën edhe anëtarët e shoqatës “Migjeni” të ardhur nga Sllovenia dhe konkretisht nga kryeqyteti i vendit, Lubjana, falë edhe ndërmjetësimit të Ambasadës tonë atje, të cilën gjej rastin edhe në emër të organizatorëve ta falenderojmë për bashkëpunimin dhe gadishmërinë e treguar me këtë rast.

Ansambli nga qyteti i Gjilanit dhe që mban emrin e tij ishte surpriza e festivalit, nisur nga performanca në nivele dinjitoze patriotiko-folklorike. Themeluar në vitin 2003 nga një grup artistësh të qytetit të Gjilanit, me qëllim ruajtjen dhe kultivimin e vlerave etno-kulturore të melosit shqiptar të krahinës së Anamoravës.

Mjaft surprizues ishte edhe Ansambli “Skënderbeu” i qytetit të Korçës, i cili nën kujdesin e Qendrës Kulturore të Bashkisë së këtij qyteti dhe koreografit profesionist Bardhi Pojani shpalosi vlera të jashtzakonshme kulturore. Është nga ansamblet më të suksesshme në Shqipëri, duke patur në përbërje dhe të pandara orkestrinën popullore dhe grupin e valleve. Ka përfaqësuar Korçën dhe vendin tonë në shumë ngjarje artistike dhe festivale kombëtare e ndërkombëtare, me një gjeografi të gjerë shtetesh si Francë, Spanjë, Hollandë, Rusi, Ukrahinë, Greqi, Maqedoni, Turqi etj. Mban dhjetra trofe e vlerësime për nivel të lartë artistik dhe interpretim të shkëlqyer të vlerave folklorike të trashëgimisë tonë tradicionale.

Pa dyshim, magjia e “Aulona Fest” 13 ishte Ansambli “Gojus” që vinte nga Lituania, nga pjesa që laget nga Balltiku. I përbërë nga grupi i valleve të Qendrës Kulturore Lituaneze ‘Anykšciai’ i krijuar plot tri dekada më parë. “GOJUS” është emri simbolik që lidhet me vendin më të bukur natyror, me një biodiversitet të pasur me pyje, me florë dhe faunë autentike, ku po aq të ndryshëm për nga karakteri janë edhe anëtarët e këtij grupi folklorik; studentë dhe njerëz të profesioneve dhe shkollave të ndryshme, të cilët dëshirojnë të ruajnë vlerat e trashëgimisë shpirtërore të kombësisë së tyre duke e mbrojtur nga asimilimi kulturor.

“Gojus” u dallua për kërcimet dhe muzikën e mahnitshme të periudhës së Rilindjes të shoqëruara me kostumet unike mbretërore të shekujve 15 – 16 dhe fisnikërisë oborrtare të asaj kohe. Pjesëmarrës në shumë festivale ndërkombëtare si në Letoni, Austri, Poloni, Belgjikë, Hollandë, Itali, Suedi, Bullgari, Kroaci, Çeki, Turqi, Jordani etj.

Ky ansambël vjen për herë të parë në Shqipëri ekskluzivisht për “Aulona Inter Folk” dhe për paraqitjen tepër dinjitoze, në natën finale u vlerësua me Kupën e festivalit, të vetmin trofe që ndan ky festival ndërkombëtar folku.

I mahnitur nga perfeksioni skenik i subjekteve artistike, si dhe magjia që i fali skenës moderatorja e mrekullueshme e këtij festivali Migena Kraja, për tre net me radhë, mbështetur mbi një libret artistikisht dinjitoz dhe shumë profesional e mbylli këtë pasqyrë përshkrimi me vlerësimet maksimale për organizatorët, pjesmarrësit, operatorët famozë të RTSH, i cili pati eksluzivitetin ta filmonte i vetëm këtë aktivitet mbarëkombëtar, të vetmin në llojin e tij në Shqipëri e, më gjerë. Për realizimin televiziv ka meritë të veçantë edhe regjisori i këtij televizioni, i pasionuari dhe i palodhuri Llesh Nikolla.