Prof.Dr. Zydi Dervishi: Letërsia si vark shpëtimi në dallgët e kujtesë-harresës

709
Sigal

Një libër – risi me studime e kritika letrare i Prof. Dr. Fatmir Terziut

Letërsia si varkë-shpëtimi në dallgët e kujtesë-harresës

– Diamante të bukurisë edhe nëpërmjet kristaleve të dhimbjeve

Prof. Dr. Zyhdi Dervishi

Shkrimtari, kulturologu dhe eseisti i njohur botërisht, Oscar Wilde ka argumentuar se kritika më e lartë, duke qenë formë më e pastër e refleksioneve vetjake, është po aq krijuese sa edhe vetë krijimi artistik, letrar. Kjo ide vlen për të karakterizuar në mënyrë sintetike bashkëpunimin profesional ndërmjet shkrimtarit, studiuesit, estetit e kritikut, Profesor Doktor Fatmir Terziu dhe shkrimtarit Uran Butka, që mishërohet edhe në librin “Diskursi i bukurisë së dhimbjes në krijimtarinë e Uran Butkës” (botimi i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, Tiranë 2019, f. 192). Me krijimtarinë e gjerë në prozë, që trajton një problematikë komplekse të shoqërisë shqiptare, Butka përvijon një prirje novatore në letrat shqipe të tre dhjetëvjeçarëve të fundit, ndërkohë që shoqëria shqiptare ka përjetuar dhe përjeton zhvillime të vrullshme, përgjithësisht kontradiktore dhe me prani shqetësuese të proceseve anarkike. Këtë prirje të re, me profile jo vetëm letrare, por edhe më gjerë, e ka skanuar me nivelet më të epërme të profesionalizmit, të shqyrtimeve teorike studiuesi dhe kritiku i mirëkualifikuar i disa fushave të artit dhe veçanërisht i letërsisë, Prof. Dr. Fatmir Terziu.

 

  1. Shkollë avangard

Studimet dhe kritikat e konstruktuara me profesionalizëm nga Prof. Dr. Fatmir Terziu (pedagog dhe studiues profesionist prej shumë vitesh në universitetet e Londrës) në fusha të arteve, veçanërisht në atë të letërsisë, formësojnë një shkollë të mirëkonsoloduar, avanguardiste që ka tejkaluar mjaft mangësi, dukuri problematike, të provokuara edhe nga mendësi të politizuara skajshmërisht dhe praktika të vrazhda të hujit që kanë çoroditur hulumtimet dhe trajtesat kritike të fondeve letrare të shoqërisë shqiptare që nga mëvetësimi prej Perandorisë Osmane deri në ditët tona. Studimet dhe kritikat letrare Prof. Dr. Fatmir Terziu i ka konceptuar dhe zhvilluar në lëmë të letrave shqipe si shkenca multidisiplinare, që profilohen në mënyra holistike, duke u bazuar në disa korpuse të konsoliduara mendimi si ai filozofik dhe estetik, sociologjik dhe eseistik, të evoluara që nga hamendësimet gjeniale të filozofëve të antikitetit si Platoni, Aristoteli etj. deri te prijësit e mendimit modern dhe pastmodern në këto fusha, si Friedrich Niçe e Hana Arend, Anri Lefevri e Stephen Bonycastle, Riçard Rorty e Michael Morgan, Susan Leggert etj. Në kundërvënie të një prirje me profile të errëta egocentrike që i ysht mjaft studiues shqiptarë për të mos përfillur mendimet e të tjerëve të afishuar si të anës tjetër të spektrit ideopolitik, Terziu e qëmton nektarin e reflektimeve teorike që referon pavarësisht nga pozicionimet politike të autorëve të tyre. Në rilevimin e vlerave të krijimtarisë letrare të Uran Butkës, Prof. Dr. Terziu sintetizon edhe arritje të mendimeve më të argumentuara teorikisht të shkrimtarëve dhe kritikëve letrarë shqiptarë si Visar Zhiti e Adriatik Kallulli, Halit Shamata, etj. Qëmtime të tilla profesionale e thellojnë, e konkretizojnë dhe e zgjerojnë diapazonin e analizave teoriko-letrare në këtë libër dhe afrojnë një model me standarde të ideales në realizimin e parimit të universalizmit, siç do ta karakterizonte studiuesi amerikan bashkëkohës Robert King Merton. Në shqyrtimet studimore të Prof. Dr. Fatmir Terziut arritjet më të përparuara të mendimit teorik të vendeve të tjera gërshetohen harmonishëm me idetë origjinale për çështje analoge të studiuesve dhe shkrimtarëve shqiptarë. Pa një harmonizim të tillë nuk do të shkruhej ky libër-risi në fushë të studimeve letrare shqiptare. Pas shpërbërjes së regjimit socialist totalitar, që nga fillimi i viteve 1990 deri në ditët tona, letrat shqipe janë pasuruar me fonde mjaft të vlefshme të veprave letrare të shkruara nga një plejadë poetësh e shkrimtarësh të persekutuar në shkallë të ndryshme nga strukturat përkatëse të shtetit socialist totalitar. Krahas me rritjen e përsosjen e kësaj letërsie u formësua edhe stereotipi studimor për të interpretuar atë kryesisht si letërsi të vuajtjeve të shumëfishta, të dhimbjeve deri shpërfytyruese, të pesimizmit të trishtë pa kurrfarë drite shprese etj. Kjo degë e letërsisë shqipe, e përfytyruar ose e trajtuar si e tillë, e humbet shpejt shumicën e lexuesve, rëndësia e saj artistike e shoqërizuese, tkurret më shpejt se rrjedha e vrullshme e kohës në shoqërinë moderne. Duke tejkaluar një prirje të tillë shkrimtari Uran Butka ka arritur t’u ofrojë lexuesve vlera letrare komplekse, të qëndrueshme, origjinale.

  1. Letërsia si varkë-shpëtimi në dallgët e kujtesë-harresës

Kujtesa dhe harresa janë procese psikike të kundërta dhe me ndikime kontradiktore sidomos për popujt që kanë përjetuar rrjedhoja problematike të ngjarjeve të rënda si luftëra të shumta kundër pushtuesve të ndryshëm, diktatura të ashpra të dy llojeve si diktatura të diktaturave dhe diktatura të anarkisë. Ndër popuj të tillë është edhe populli shqiptar, ndoshta më i përvujtuari në historinë e njerëzimit, së paku në Erën e Re. Në rrethana të tilla për shqiptarët është jetike çështja e përpjesëtimeve optimale ndërmjet kujtesës dhe harresës për ngjarje të caktuara të së kaluarës, veçanërisht për ato të periudhës së regjimit socialist totalitar, është jetike të filtrohet memoria përmes aparaturave konceptuale të përpunuara prej kombeve numerikisht më të mëdhenj të vendeve më të urbanizuara. Duke shqyrtuar një problematikë të tillë të përthyer në rrjedhat rrëfimtare të Uran Butkës, studiuesi Fatmir Terziu nënvizon: “Procesi i ripunimit të memories, nga e shkuara në një kënd të ri vështrimi për kohën është një anë krijuese komplekse në krijimtarinë letrare, pasi është një proces grumbullimi, hulumtimi, referimi dhe përshtatjeje për hapësirën, kohën dhe vendin” (F. 129). Pra përvojat e vendeve të tjerë lipsen aplikuar të modifikuara me racionalizëm, sipas veçorive origjinale të shoqërisë shqiptare.

  1. Pasurime të kodeve simbolike

Terziu ka argumentuar në mënyrë të detajuar se letërsia narrative e Uran Butkës ndërtohet natyrshëm edhe me struktura simbolike të shumëllojshme. Veçanërisht në romanin “Miti i Haxhi i Qamilit” shtjellohet një gamë e gjerë, komplekse e kuptimeve simbolike që kanë të bëjnë me shumëçka tjetër të jetës së shoqërisë shqiptare të dy dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX dhe sidomos me spektrin e ngjyrave. Madje Terziu thekson se, romancieri Butka, operon jo vetëm me kuptimet simbolike tradicionale të dy ngjyrave kryesore: e zeza dhe e bardha, por edhe pasuron kuptime të tilla me mesazhe më të nuancuara. Përgjithësisht ngjyra e bardhë simbolizon shtresat fisnike të shoqërisë, forcat politike të djathta, paqen e paqëtimin në sheshbeteja. Në këtë roman të Butkës, argumenton Terziu, “e bardha” është edhe simbol i rezistencës dhe i vetëmohimit në luftën kundër errësirës së injorancës (f. 148). Dhe ballafaqime të tilla shumëplanëshe janë të përhershme ndërmjet dritës së përparimit dhe vulgaritetit të prapambetjes. Autori argumenton se në këta ballafaqime fati përcaktohet nga thelbi i qëndrueshëm, racional i kulturës shqiptare, i ngjizur në përballje të shumta të popullit shqiptar me sfida të rënda, të llojllojshme në rrjedhën e historisë. Me mënyrat se si e rilevon “universin” e kuptimeve simbolike në këtë roman të Butkës, studiuesi Terziu i ndihmon lexuesit të deshifrojnë natyrshëm, përmes ëmbëlsisë artistike nuancimet fine të simboleve kulturore, i ndihmon letrarët e rinj të përvetësojnë teknikat simbolike, si një prirje moderniste dhe pastmoderniste në krijimtarinë letrare të vendeve më të urbanizuara të perëndimit dhe përgjatë viteve të fundit edhe në hapësirat letrare shqiptare.

  1. Diamante të bukurisë edhe nëpërmjet kristaleve të dhimbjeve

Nëpërmjet aparaturave konceptuale më të avancuara të Prof. Dr. Terziu arrin të skanojë me përparësi indin e bukurisë edhe aty ku është më pak i dukshëm, në spazma të dhimbjeve që i janë imponuar kohë pas kohe “segmenteve” të caktuara të popullit shqiptar nga struktura politike, shtetërore, vendase dhe të huaja. Këtë linjë risish artistike ka vlerësuar në mënyrë holistike kritiku dhe studiuesi Fatmir Terziu, i cili me argumente të shumta e të natyrave të ndryshme provon se të përvuajturit respektohen jo thjeshtë duke përshkruar artistikisht vuajtjet e tyre, por duke i pasqyruar në atë mënyrë që prej tyre të ngjizen margaritarë të bukurisë sublime, e cila është e qëndrueshme në kohë dhe ndihmon për të fisnikëruar jo vetëm bashkëkohësit, por edhe breznitë e ardhshme. Ky libër i Prof. Dr. Terziut është shumë i rëndësishëm për jetën shkencore dhe letrare të shqiptarëve kudo ku punojnë e jetojnë, në hapësirën shqiptare në Ballkan ose si emigrantë në vende të tjerë sepse përbën, nga njëra anë, një themel të shëndoshë për kritikën letrare me standarde shkencore më të epërme dhe, nga ana tjetër, shërben edhe si etalon që orienton modelet më të përparuara të zhvillimit të letërsisë shqiptare, veçanërisht të krijimit prej saj të së bukurës së pazhbëshme, të së bukurës më fisnikëruese, që ngrihet si feniksi mbi plagët më traumatike, fizike dhe sidomos shpirtërore. Në hierarkinë e dhimbjeve e të vuajtjeve ato shpirtërore janë më traumatike se dhimbjet ose vuajtjet fiziologjike. Njerëzit nga natyra janë të prirur përgjithësisht t’i shmangen shqetësimeve të tilla në mënyra të ndryshme, t’i sfidojnë ato. Dhe në rrethana të tilla, para së gjithash, çdo njeri ka si detyrim fisnik të mos u shkaktojë trauma të tjerëve, por t’i shërojë të tjerët nga spazmat tjetërsuese. “Në mënyrë që të kemi mëshirë për të tjerët, arsyeton Terziu, – ne duhet sipas disa tregimeve të Butkës, të jemi në gjendje të ndjejmë vuajtjet e tyre me ta, për ta kthyer dhimbjen për tjetrin në një ndjesi dhe mesazh të qartë solidariteti njerëzor” (f. 126). Vetëm duke hyrë, si të thuash, nëpërmjet procesit psikologjiko-abstrakt të empatisë në lëkurën e njëri-tjetrit, shqiptarët arrijnë të kuptohen më mirë ndër vete, arrijnë të ndihmojnë realisht njëri-tjetrin për të përballuar më me lehtësi vështirësitë, sfidat e shumëllojshme të jetës, veçanërisht ato psikokulturore. Terziu zbulon se tregimet e Butkës, në kompleksitetin e vet, kultivojnë edhe një nga ndjenjat më fisnike, që shumëfishon fisnikërimin e njerëzve, ndjenjën e empatisë. Kjo ndjenjë është një margaritar i rrallë shpirtëror, por që shumëfishohet ndër shqiptarët edhe nëpërmjet fuqisë ndikuese të veprimtarisë letrare të Uran Butkës dhe ndriçimit të kësaj dukurit nga analizat teorike më të përparuara për kohën nga Prof. Dr. Fatmir Terziu. Në këtë punim monografik të mirëargumentuar në shumëçka Terziu zbulon se me krijimtarinë e vet letrare Uran Butka nuk kujton në mënyrë të thjeshtësuar dhimbjet, traumat e shumanshme të popullit shqiptar, nuk realizon radiografinë e tyre me mekanizma qaramanë e me nota të errëta pesimizmi vrastar. Përkundrazi, nga kronikat e dhimbjeve të shumanshme ai, si të thuash, distilon arin e bukurisë. Këtë situatë, risi në letrat shqipe studiuesi dhe kritiku Terziu e karakterizon në mënyrë përgjithësuese dhe lakonike:“Ky shkëlqim, më së shumti i formës, rrëfen mes leximit të Butkës se thelbi i bukurisë së dhimbjes shkëlqen në një shumëllojshmëri të pafund mënyrash. Një herë është shkëlqimi i ndjeshëm i ngjyrës ose i tonit, një ritëm ose një ekuilibër harmonik ose përsëri reflektimi mbi gjërat e një mendimi njerëzor apo hyjnor, por mbi të gjitha është shkëlqimi i thellë i shpirtit të tij, që ndriçon Bukuria e dhimbjes, është në një mënyrë relative riqasje shpirtdhimbëse…” (Terziu, F. 2019:22, 20). Kësisoj, sipas argumentimeve shkencore të studiuesit profesionist Terziu, vetëm një letërsi cilësore mund të sintetizojë mjaltë mirësie, dritë optimizmi e largpamësie edhe nga dhimbjet e plagëve psikokulturore më traumatizuese për individin dhe shoqërinë.