Prof. Dr. Jaho Cana
Rektor i Universitetit “Eqrem Çabej”

Ishtë nder i veçantë që Universiteti “Eqrem Çabej” mirëpriti këtë aktivitet kushtuar gjuhës shqipe, një gjuhë që nuk është thjesht mjet komunikimi dhe pasuri kulturore, por shtylla rreth së cilës është ndërtuar identiteti ynë kombëtar. Gjuha është territori ynë më i vjetër dhe më i qëndrueshëm; ajo ka qenë shtëpia që na ka mbrojtur edhe kur nuk kishim shtet, edhe kur nuk kishim institucione, edhe kur nuk kishim liri.
Historia e shqipes është histori qëndrese. Populli ynë ka një veçanti që e dallon në hartën e kombeve evropiane: jemi ndër të paktët, në mos i vetmi komb, që kemi heronj të rënë për mbrojtjen e gjuhës. Nga mësuesit e shkollës së parë shqipe në Korçë, te djalëria e Rilindjes që rrezikoi jetën për të shpërndarë libra dhe abetare, deri te klerikët, intelektualët dhe patriotët që u përballën me ndalime, persekutime dhe burgje vetëm sepse mbronin të drejtën për të folur dhe shkruar shqip.

Këto janë fakte që nuk duhen harruar, sepse gjuha jonë, me gjithë lashtësinë e saj, nuk ka ardhur deri tek ne e paprekur, por e ruajtur, e mbrojtur dhe e ringritur çdo herë kur është rrezikuar. Dëshmi se gjuha shqipe nuk është trashëgimi e dhënë, por e fituar me sakrificë.
Në këtë takim janë mbledhur figura të shquara të akademisë dhe kulturës shqiptare. Pjesëmarrësit përbëjnë ajkën e intelektualëve shqiptarë, njerëz që me punën e tyre e mbajnë gjuhën të gjallë, të pastër dhe të aftë t’i bëjë ballë sfidave të kohës. Prania juaj e nderon këtë institucion dhe forcon bindjen se debati shkencor është mënyra më e mirë për të mbrojtur identitetin tonë.
Nuk mund të mos përmend këtu emrin që mban Universiteti ynë: Eqrem Çabej, një prej mendjeve më të ndritura që ka pasur ky komb. Ai na la si trashëgimi jo vetëm studime monumentale, por edhe një qasje metodike e të ndershme ndaj gjuhës, kulturës dhe historisë. Do të doja të flisja më gjatë për të, por e them me sinqeritet akademik: për Çabejn nuk flitet lehtë. Për të duhet marrë leje. Çdo studiues i gjuhësisë shqiptare e di se sa i thellë është kontributi i tij dhe sa i kujdesshëm duhet të jesh kur flitet për punën e tij. Ai është një mal i dijes që na ka lënë themele të patundura për ta kuptuar origjinën, historinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Ne përpiqemi çdo ditë të jemi të denjë për emrin që mbajmë.
Sot, përballë presionit të globalizimit, ndikimeve gjuhësore të huaja dhe mënyrave të reja të komunikimit që shpesh dëmtojnë pastërtinë e shprehjes dhe na largojnë nga përdorimi korrekt i shqipes, roli ynë bëhet edhe më i rëndësishëm. Ruajtja e gjuhës nuk është një detyrë e thjeshtë linguistike; është akt qytetar. Është mënyra më e drejtë për të mos e ndërprerë zinxhirin e trashëgimisë kulturore që kemi marrë nga brezat para nesh. Pikërisht për këtë arsye, diskutime të tilla janë të domosdoshme. Ato na kujtojnë se ruajtja e gjuhës nuk është akt nostalgjie, por detyrë që lidhet me të ardhmen.

Ky aktivitet nuk është vetëm një ceremoni nderimi. Ai është një hapësirë reflektimi për të kuptuar se gjuha shqipe nuk ka nevojë për retorikë, por për kujdes të vazhdueshëm. Ka nevojë për shkolla që mësojnë shqipen si duhet, për media që e përdor si duhet, për institucione që e mbrojnë dhe e nderojnë me seriozitet.
Në emër të Universitetit “Eqrem Çabej”, shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuesit që e bënë të mundur këtë takim. Këto përpjekje e vendosin gjuhën shqipe aty ku duhet të jetë: në qendër të vëmendjes sonë kombëtare. Nisma të tilla i japin universitetit dimensionin më të lartë të misionit të tij: të jetë vend i dijes, i debatit intelektual dhe i ruajtjes së vlerave kombëtare.
Gjuha shqipe është shtylla jonë e identitetit. Mbrojtja dhe kultivimi i saj është detyrim i secilit prej nesh. Ju faleminderit!

Rëndësia e takimit për gjuhën shqipe
Ende në Gjirokastër vazhdon jehona e takimit kombëtar për gjuhën shqipe. Një takim që për nga rëndësia mund të themi se ishte vazhdim i Kongresit të Drejtshkrimit, i cili u zhvillua nga data 20 nëntor deri në 25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë. Në Kongres u përfaqësuan gjerësisht forcat e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare. Aty ishin të pranishëm 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi si dhe arbëreshë nga Italia. Në takimin e Gjirokastrës ishin rreth 55 delegatë po nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi si dhe arbëreshë nga Italia. Konkretisht në datën 15 nëntor Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, në Gjirokastër në sallën kryesore të Universitetit “Eqerem Çabej” organizoi takimin Kombëtar “ GJUHA SHQIPE IDENTITETI YNË”, Në këtë takim mbresëlënës merrnin pjesë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, akademikë dhe profesorë të gjuhës shqipe, shkrimtarë, studiues, anëtarë të shoqatës Labëria, grupi lab i Bënçës me Golik Jaupin, grupi lab i Çipinit me kryetar Tomorr Lelon, si dhe studentë të Universitetit. Salla ishte e tejmbushur për vetë temën e organizimit të këtij takimi. Sipas pedagogëve të këtij Universiteti kurrë më parë salla nuk ka qenë e tejmbushur me personalitete të artit, kulturës dhe shkencës.



















