Koncerti recital “100 vjet romanca shqiptare”, të “Mjeshtrit të Madh” Kastriot Tusha, ishte një ndër dhuratat më të bukura që mund t’i bëheshin publikut muzikdashës shqiptar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, por, nga ana tjetër, kjo buqetë romancash e ripunuar, e rindërtuar, e riinterpretuar dhe e botuar në versionin e orkestruar për një formacion kamertal, do të mbetet një gur i çmuar në arsenalin e trashëgimisë sonë kulturore. Këtij botimi ia rrisin vlerat edhe mendimet kritike mbi interpretimin e këtyre romancave nga tenori i mirënjohur prof. as. Kastriot Tusha, të cilat janë shumë racionale, praktike dhe një ndihmesë e vyer për artistët e rinj. Mbledhja, ripunimi, interpretimi, regjistrimi dhe botimi i këtyre vlerave tona muzikore janë një gur i rëndësishëm në trashëgiminë tonë kulturore dhe në identitetin tonë kombëtar. Tenori Tusha, me zërin e tij karakteristik ka interpretuar me shumë sukses në të gjitha gjinitë vokale, duke filluar nga opera deri te romanca e kënga. Eksperienca shumëvjeçare dhe talenti i padiskutueshëm kanë bërë që ai të përballojë me mjaft sukses çdo lloj vepre muzikore që i është ofruar. Në këtë kuadër, edhe realizimi i koncertit “100 vjet romanca shqiptare”, ai ishte i përkryer në të gjitha drejtimet. Të gjitha momentet emocionale që përçoi, si: lirike, hyjnore, elegjiake apo epiko-heroike, ishin të realizuara mjaft mirë. Duke i uruar Kastriotit suksese të mëtejshme, do të ftoja të gjithë artistët shqiptarë të bënin të njëjtën gjë në evidentimin dhe ripunimin e muzikës shqiptare, sepse ka ardhur koha të rinjohim vlerat tona të vërteta kulturore.
BIOGRAFI
Kastriot Tuha u lind në Elbasan, më 14 prill 1963. Shkollën e mesme artistike e kreu në qytetin e lindjes. Në vitin 1988 diplomohet në Akademinë e Arteve të Tiranës për kanto, me rezultate shumë të mira. Një vit më vonë, më 1989 fiton vendin e solistit në Teatrin e Operës dhe të Baletit (TOB). Gjatë periudhës 1999-2006 emërohet pedagog i jashtëm në katedrën e kantos të Akademisë së Arteve dhe që nga viti 2006 e në vazhdim është pedagog pranë Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve. Përveç aktivitetit pedagogjik, ku i është dhënë titulli “Profesor i asociuar”, aktiviteti artistik i tij ka qenë shumë i ngjeshur dhe i larmishëm. Disa prej roleve të realizuara me nivel të lartë artistik janë: Bepe te “Pagliaci”, Kola te “Paja”, Nadiri te “Peshkatarët e perlave”, Alfredo te “Traviata”, Doda te “Mrika”, Ruizi te “Trovatore”, Duka te “Rigoleto” etj.. Ka realizuar mbi 100 koncerte vokale-instrumentale, si dhe një numër të konsiderueshëm koncertesh recitale. Është themelues i koncerteve të “Tre tenorëve” në Shqipëri dhe vazhdon t’i përballojë me sukses dhe përgjegjësi këto koncerte. Kastrioti ka realizuar një numër të konsiderueshëm koncertesh brenda dhe jashtë vendit, si: në Itali, Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqi, Rumani, Francë, Maqedoni, Mal të Zi etj.. Në vitin 2010 është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” nga ish-Presidenti i Shqipërisë z. Bamir Topi. Akademia e Çmimeve “Kult”, në vitin 2013 e nderon me çmimin “Këngëtari lirik i vitit” me “Romanca shqiptare”. Kastriot Tusha është një nga zërat më të bukur, më të veçantë dhe të papërsëritshëm të muzikës shqiptare, duke gëzuar vlerësim dhe respekt maksimal nga publiku i gjerë.