Prof. Asoc. Dr. Holta Sina Kilica: HOMERIADA – Një shfaqje mes fjalës dhe muzikës, një katarsis i shpirtit!

92
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Holta Sina Kilica
Muzikologe, Pedagoge në Universitetin e Arteve, Tiranë

Në datën 27 shtator 2023, salla e Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, përcolli me mjaft emocion një koncert të veçantë recital të kompozitores, pianistes, studiueses dhe poetes Blerina Shalari. Blerina (siç e thërras unë ish-studenten tonë të Univeristetit të Arteve), është një thesar shpirtëror, emocional, intelektual e njerëzor që shikon me sytë e shpirtit. E diplomuar për kompozicion në Universitetin e Arteve, Blerina ka dëshmuar talentin e saj jo vetëm në këtë fushë, por edhe në letërsi, andaj edhe koncertin e dytë recital të saj ajo e titulloi Homeriada – shfaqje e integruar, koncert/dramë. Pritja për këtë koncert të integruar mes muzikës dhe dramës ishte parapërgatitur aq bukur nga vetë ajo, më së pari përmes postimeve të saj në faqen e FB, ku për çdo ditë (përgjatë një muaji), ne miqtë e saj realë e virtualë u mëkuam ëmbël me nektarin që do të kulmonte në këtë mbrëmje koncertore; u njohëm fillimisht me përjetimet e vetë krijueses, me zbulimin e ëndrrës së saj që po jetëzohej pak nga pak për të marrë formën e recitalit; me prezantimet e bashkëpunëtorëve të saj artistë nga TOB, UART dhe TK, që ajo si një regjizore (që përgatit dhe zgjedh me kujdes kastin) na i zbuloi ditë pas dite me shumë elegancë e dashuri.

Dhe dita e shumëpritur për të dhe për ne erdhi: e kush më mirë e më ngrohtë se motra e saj Alda Shalari pianiste dhe muzikologe, mund ta bëntë hyrjen në Homeriadë, duke intepretuar tre miniatura pianistike, njëra prej tyre dedikuar Shopenit shqiptar, poetit të pianos Tonin Harapi, ku mes notave ndjehej referenca tingullore prej mjeshtrit. Koncerti i përgatitur me një skenar sa poetik si një rrëfim për tingujt, aq edhe me ngjyra penelatash piktorike nga  vetë Blerina, krijoi matyrshëm rrjedhën e gjithë programit nën moderimin me elokuencë të Gentian Mingës, i cili ftoi në skenë sopranon Marina Kurti dhe flautisten Enalda Gjoni (të dyja artiste në TOB), të cilat intepretuan në vijim të njëra-tjetrës, nën shoqërimin pianistik të pedagoges së pianos, shumë të dashur të Blerinës dhe koncertmaestres së TOB Ingrid Pulizo, dy romanca vokale dhe dy pjesë për flaut. Nga këto krijime do të veçoja romancën e dytë të kënduar nga sopranoja M. Kurti, e cila erdhi në gjykimin tim e qëndisur si krijim dhe interpetim kurse prej flautit, ashtu si fyelli i Panit i ardhur nga lashtësia, edhe flauti i E. Gjonit duket sikur pikturoi lashtësinë ilire në pjesën e parë solo. Në vijim, suita për piano (koha e parë e saj) e krijur prej kompozitores në periudhës universitare, ishte një dedikim shpirtëror dhe një homazh për profesorin e saj të ndjerë (që u nda nga jeta para pak kohësh), profesorin e kompozicionit Riza Zdrava. Kjo suitë, me gjurmë gershwin-iane nga jazz-i dhe bluz-i amerikan, krijoi një kontrast të ndjeshëm me pjesët paraardhëse, përmes dinamikës së lojës pianistike e plot nerv të studentes Sara Luka. Ndërsa dy vallet me katër duar të intepretuara nga pianistet Ardita Bufaj (pedagoge në UA) dhe Oneila Llanaj (studente), sollën një tjetër tablo: atë plot ngjyra të ndezuara e temperament kërcyes nga veriu ynë, duke gjallëruar mjaft atmosferën në sallë. Programi eci rrjedhshëm drejt dy pjesëve të tjera premierë: njëra për violonçel e piano dhe tjetra për violinë e piano, të cilat sollën intepretimin e ngrohtë e lirik të pjesës së parë për violinë nga spala i orkestrës së TOB Gëzim Bulçari si dhe lojën e vizatuar (që në krijim) me nuanca sa lirike aq edhe dramatike të violonçelistes së re e të talentuar Jona Çegrani – të dyja këto pjesë u integruan me shoqërimin pianistik të I. Pulizos, e cila mbajti një peshë jo të vogël në këtë koncert, si koncertmaestre, por edhe si organizatore. Ndërsa, kompozimet për piano “Lundrim në det” dhe “Muzika e gjetheve kur bien”, ishin dy krijime që ashtu si “pandehmat ngjyrore” të Rembrandt-it, Van Gogh-ut e të tjerë artistëve të ‘tingullit të ngjyrave’ , u përcollën nga vetë Blerina plot natyrshmëri teknike dhe emocionale në lojë (lirshmëri që i’a jepte edhe vetë kredoja e krijueses), mbështjellë herë me akuarelin e valëve të detit debysian e herë-herë me dritëhijet e natës mbi detin mbërëmësor vangogian, por edhe me ‘fëshfërima’ tingujsh poetikë të gjetheve kur bien në vjeshtë.

Krijimtaria e Blerinës në këtë natë koncertore erdhi në një progresion rritës krijues e artistik; këtë e dëshmuan më së miri veçanërisht dy kompozimet për kuartet harkor: dy valle në kontrast me njëra-tjetrën, të interpretuara nga kuarteti i TOB (G. Bulçari – violinë, A. Shuteriqi – violë, J. Çegrani – cello dhe S. Katroshi – c/bass), ku e para një valle ‘gracioze’ me pizzicato me motive nga veriu i Shqipërisë, ndërsa e dyta – një vajtim me ‘lotin’ tosk, lanë një mbresë të veçantë për qartësinë në koncept, emocionin e përcjellë dhe, mbi të gjitha, për pjekurinë artistike e kompozicionale të përftuar, të artistes në fjalë. Por, kuminacioni i kësaj nate emocionesh erdhi pikërisht në pjesën e dytë të saj, ku Homeriada e shumëpritur me 300 vargjet e krijuara si libret nga vetë Blerina, me një mjeshtëri të përkorë nën stilin homerian, të linte pa frymë për forcën e mendimit dhe potencën e talentit. Ashtu si (uni)teti i arteve në lashtësi, ku poeti-rapsod ishte vetë krijuesi i fjalës, por dhe i muzikës e i këndimit (ky un’ i ka ndjekur rapsodët në shekuj), ashtu edhe kësaj drame në vargje iu bashkua natyrshëm edhe shoqërimi gati improvizativ në piano – me tinguj e jehona që vinin nga ‘zëri i të parëve tanë’. Interpretuar po aq mjeshtërisht, me emocion e pathos nga aktori i Teatrit Kombëtar Dritan Boriçi (një aktor mjaft potent e fin në të njëjtën kohë) dhe shoqëruar në piano nga vetë Blerina (e me vokal pa fjalë në momentet kulminante, që të ‘ndillnin’ vajtimin e Ajkunës për Omerin), kjo dramë-monolog me një akt, zbuloi para nesh Homerin rapsod me dilemat e së shkuarës mijëravjeçare mes stuhish heleninane e luftrash trojane, por edhe Homerin e sotëm që, edhe pse pas 3000 vjetësh, këndon njësoj me lahutë për të tjera luftra e stuhi mes njërëzish dhe mes ‘vedit’. Ky teatër antik i Iliadës dhe Odisesë, i konceptuar në binomin muzikë-fjalë, erdhi si një klithmë për të sotmen dhe të ardhmen e jetës njerëzore; erdhi me një mesazh të fortë të këtij ‘Homeri’ të kohëve tona, që si një profet i njërëzimit parashikon të ardhmen, kohën që po jetojmë – kohën pa kohë!

HOMERIADA – një akt emancipimi, një katrasis i shpirtit, një përballje me vetveten, një sfidë me realitetin/tet kudo dhe kurdoherë!  Ashtu si forca që përcolli para publikut në vite monodrama “Apologjia e vërtetë e Sokratit” – katarsisi i tij (shkruar nga shkrimtari modern grek Kostas Varnalis, mbështetur në “Apologjinë e Sokratit” të Platonit), nën intepretimin brilant të aktorit tonë Mirush Kabashi, ashtu edhe vargjet e “Homeriadës” apo Homeri ‘i kohës pa kohë’ të të shumë talentuarës Blerina Shalari (mbështetur te “Lufta e Trojës” nga kryevepra Ilida e Homerit) – po aq katarsisi i tij, ardhur mrekullisht nga dyshja Boriçi-Shalari, duhet të shohë sërish e gjatë dritat e skenës. Jam e sigurt që suksesi do të jetë po aq i plotë! Janë të pakta fjalët në mbresat që kjo mbrëmje koncertore la tek unë dhe publiku në sallë, pasi Homeriada shpalosi dimensionet e shpirtit të mbushur artistik të Blerinës në shumë fusha të krijimtarisë dhe interpretimit, duke tejkaluar dhe thënien e vetë asaj se ‘veshi është syri im’, ndërsa do të thoja dhe rrithoja bindshëm se sytë e shpirtit dhe të mendjes janë sytë më të bukur, janë drita e syve të saj, janë muza e frymëzimit të saj!