Prof. As. Dr. Astrit BISHQEMI/ Fabula mjeshtërisht lakonike e Ferit Lamajt

1. E kam thënë edhe gjetkë: “Ezopi” ynë, Ferit Lamaj, mjeshtër i thurjes së vargut fabulesk, autor i mbi 5000 krijimeve në këtë fushë, është kaq i rrallë në krejt rruzullin, sa nuk do ta gjesh një të dytë edhe po të kërkosh me fenerin e Diogjenit.

Krijimtaria fabuleske e këtij autori është e begatë, sasiore e cilësore. Disa vëllime të tilla janë titulluar pikërisht me numrin progresiv të fabulave të krijuara: “201 fabula”, “555 fabula”, “1111 fabula”. Kohët e fundit numri i “fëmijëve” të tij, siç i quan me përkëdheli fabulisti, ka kaluar 5000. Ky është një tregues i qartë, i qenësishëm talenti e përkushtimi. Dhe ja, sot në dorë kemi një vëllim të ri të llojit, “Gjah dhe antigjah”.

Sigal

Kur pyet Feritin për këtë arritje, për këtë rekord sasior, ai të përgjigjet me thjeshtësi:

– M’i ofron vetë jeta…- E nis ta argumentojë, duke të të sjellë si shembull gjenezën e ndonjë krijimi.- Një ditë tek kaloja vijave të bardha, një motoçiklist nervoz e i paduruar nuk priti shenjën e blertë për t’u nisur, por i dha gaz motorit dhe fluturoi si i shkalluar. Për pak sa nuk aksidenti një fëmijë kalimtar… “Ky dashka dy të kuqe që të përmbahet!” tha i nxehur dikush, duke bërë me shenjë nga semafori… “…dashka dy të kuqe” – pikërisht kjo qe bërthama, fara e krijimit. Në fabulën time që m’u formësua duke ecur, unë ia shtova ato “të kuqet”, e bëra me tri, që t’i shkonte më përshtat tre “syve” që ka semafori.- Dhe poeti zuri të na e recitonte.

– Jo,- ia lëmë mënjanë modestinë ne,- merita nuk është vetëm e jetës, por jotja në radhë të parë, e autorit. Ti ke një shqisë të gjashtë, atë estetike, për të të zbuluar e për të peshkuar me imtësi poetike majanë fabuleske në jetë.  Dhe vërtet, Lamaj është një vërejtës i hollë, me nuhatje të mprehtë prej artisti, krijues me laboratorin e vet modern aktiv. Qoftë edhe duke lexuar vetëm vëllimin që kemi në duar, patjetër që do të kristalizohen disa veçanti të fabulës-perlë të autorit. Secila moshë gjen ushqimin e vet estetik faqeve të librit.

Ja një akullore e tij për fëmijët:

Bar – Kafe”// Nastradini hiç s’e zgjati,/ fët kërceu nga veshgjati:/ – Qenka klub edhe jo llafe,/ Ti ha bar e unë pi kafe…

Ja një limonadë njëvargëshe për të rinjtë:

Pispillosje”// Flokëllak, por bythëkakë…

Ja edhe një kafe për të moshuarit:

Qyqja”// Zogjtë e qyqes në lëndinë/ Ikën, morën arratinë.// Ç’brenga, halle, udhëkryqe;/ Zonja Qyqe ngeli qyqe…

Por le të përqendrohemi në disa karakteristika të përmbajtjes dhe të formës së kësaj krijimtarie.

Një mori temash

2. Fabula e Ferit Lamajt kap një mori temash, duke mos nënkuptuar thjesht larmi tematike. Ajo është e lidhur me problemet aktuale të popullit tonë. Ndalet jo vetëm në vese njerëzore, por edhe në dukuri shoqërore, në probleme të tranzicionit demokratik të tejzgjatur, në hallet e përditshme, qoftë edhe në pusetat që ua kanë vjedhur mbulesat për skrap, në tregun e mallrave që u ka kaluar afati i skadimit ose në ushqimet e modifikuara gjenetikisht. Me fuqinë goditëse të zhanrit ndaj dukurive negative, autori hyn shpatëzhveshur në pallatin e qeverisë (në pyll-shtetin, siç e quan ai në mënyrë figurative), në sallën e Kuvendit Popullor, në selitë e partive, në bashki e në gjykata. Godet mbi ta, mbi gjykatës dinakë e mjekë të pandërgjegjshëm. Të kuptohemi, jo mbi njeriun mbartës të vesit, por mbi veset e tyre.

                  Fabula nga Ferit Lamaj

      

       Derrit …Dajë!

Dosa sosi Drejtoreshë;

boll e zonja veç për peshë.

Çfarë lugati, çfarë lubie!

Që të gjithë u bënë me hije,

dyllë fytyrat – e verdhë veze:

s’i thonë “Dosë”, por i thonë …“Teze”!

 

 

  Kurnacëri prindërore

Lodra porsi shokët

po lyp vogëlushi.

Babi i prek flokët:

– Ja, ke …bibilushin!

 Dhëmballa e pjekurisë

Kjo Dhëmball’ e pjekurisë,

flasim ashiqare:

po më çmend e më bezdis,

…aguridhe fare.

Tradhti bashkëshortore

Plasi cipa fare,

Dhia broçkulliste:

“Pse qenkam tradhtare!

Jo, jam altruiste…”

 

         

         “DR. Lejleku”

Një Gic Kukësi qysh parvjet

ngriti stallën në bregdet.

Te klinika e një mjeku

kjo tabelë: “DR. Lejleku”.

Gicit noçka prush e flakë:

“Domethënë, je durrsak!”-

Plasën gozhdët dhe çekiçi,

fët tabela: “KU. Gici”…

                Flakë

Njërës flakë i mori dhoma.

“Thirr zjarrfikësin, ç’pret akoma?!”

Hëm kurnace, hëm debile:

“Kam dy orë që i çoj zile…”

           Top plehu

Një brumbull xhiron topin,

xhiron e argaliset:

“Nuk rrotullohet Globi;

jo, Globi rrokulliset…”