Një mik, një bashkëshorte dhe figura e përjetësuar

557
Prof. Dr. Hektor VESHI, shkrimtar
( Pas vdekjes ) 
Kur seria e botimeve me krijimtari shkencore pedagogjike etj të shkruara nga Prof. Dr. Shefik Osmani po zgjatej, dikush e pyeti të shoqen e tij: Ku po i gjeni forcat (?), e nderuara Urti, ajo u përgjigj afërsisht: Edhe unë nuk e di. Po shtytësi më i vendosur për nismën ishte shoku i ngushtë i tij i moshës e i shkollës, doktor, që një ditë ma propozoi nismën dhe unë i thashë se nuk mundem, nuk jam as e zonja as mosha rreth 85 vjeçe nuk më lejon. “Nuk do, jo nuk mundesh!”- nguli këmbë ai dhe iku në Durrës, gjasme i pakënaqur me mua…”
E prekur në sedër, po, natyrisht nga dashuria në çift, aq e admirueshme nga të gjithë sa e kanë njohur, ia nisi vërtet krijimtarisë dhe gjetjes, sistemimit, shtypjes e botimit të gjithë krijimtarisë së profesor Shefik Osmanit, e cila fillon qysh nga viti i largët 1942 vazhdon për 70 vjet deri më 2012, kur, ai u nda nga kjo jetë. E gjithë vepra e saj, për të, familjen e punën, përmblidhet në dhjetë vëllime. Përveç Fjalorit të Pedagogjisë, vepër e parë, origjinale e solide e tij, e vlerësuar lart si në përmbajtje edhe në paraqitje. Këto ditë të vitit 2017, dikush e kishte pyetur zonjën Urti Osmani, tashmë në vitin 89 të jetës “me se po merresh?” “Nuk di çfarë të bëj…”- ishte përgjigjur. Nënkuptimi për këdo është se ka dëshirë, ka edhe mundësi duke e mposhtur moshën, lodhjen me vëllimin që kërkon korrektesa në përgatitjen e librave. Por edhe pafundësinë e dashurisë për ish bashkëshortin, me të cilin është ndarë prej korrikut 2012, atëhere kur ai ishte pikërisht në moshën e saj tani. S’ke ç’thua! Grua, bashkëshorte, bashkëpunëtore dhe vijuese e veprës së tij, në rolin e edukatores se brezave, përmes dijes, e cila përmblidhet, me autorësinë e të dy bashkëshortëve të rrallë në rreth 75 vëllime!Të gjithë personat, miq, shokë, bashkëpunëtorë, ish nxënës, personalitete të shkencave të ndryshme, sidomos të shkollës e të pedagogjisë sonë, i kanë shprehur me fjalë ose edhe kanë shkruar me vërtetësi e admirim zonjës Urti, për punën e bërë. Shumë prej tyre gjejnë edhe veten aty, përmes veprimtarive brenda e jashtë vendit me Prof. Dr. Shefikun dhe në vijim, me atë vetë gjatë përballimit të punëve për botimet e realizuara, ndër të cilët përmendim; Bibliografinë dhe Albumin me fotografi, pasqyra të evoluimit e ngritjes së njeriut e personalitetit shumëdimensional, Profesor Doktor SHEFIK OSMANIT.
Unë, autor i këtyre radhëve, i hodha në letër, këto pak fjalë për çiftin model, “Mësues i Merituar” Shefiku dhe “Mësuese e Popullit” Zonja Urti, i shtytur edhe nga një dëshirë qytetare ndaj zonjës Sadie Agolli, bashkëshortja e nderuar e shkrimtarit të madh e të dashur Dritëro Agolli. Kam dashur t’i shkoj në shtëpi, posaçërisht, për ta pyetur zonjën e nderuar, që i sherbeu me aq dashuri e përkushtim njeriut aq të admiruar e të dashur si shkrimtar… për çdo shqiptar: A kini mundur dot të bëheni ( apo mund të bëheni edhe tani) një “Ekerman”, siç u bë adhuruesi, ish sekretari i tij, J.P. Ekerman për Gëten?
Pyetja bëhet vetëm nga nderimi e respekti. Por edhe nga bindja se ju kini e mund të rikujtoni shumë për të e ne, gjithë sa e pamë, lexuam me admirim e shijuam embëlsinë e vërtetësinë prekëse të çdo krijimi jo vetëm poetik të DRITËRO AGOLLIT. Përfshi edhe rrethanat si krijoi në tema e gjini të ndryshme. 
Sigal