Ne mos i marrshi nga shkurti e marsi, prisni tutje nga një prilli

736
Fejton nga Hyskë Borobojka 
Ata ishin tre, dy qytetare dhe një qytetar, që morën rrugën për të ardhur në zyrat e qeverisë të “Rilindjes se Re”, për ca ankesa e kërkesa të “vogla”. Halli, malli apo rastësia kishte bërë, që ata, edhe pse ishin nga zona të ndryshme të vendit, të bëheshin bashkë në zyrat e qeverisë. -Erdhët, mirë se erdhët, se na nderoni e na respektoni me ardhjen tuaj. Pa na thoni, si e keni hallin?! Çfarë kërkesa e ankesa keni, që t’ua zgjidhim me njëherë?-u thanë, pasi i përshëndetën. Fjalën e para e mori njëra nga qytetaret, që vinte, ku lumi kishte dalë nga shtrati e ishte futur në shtëpinë e saj, duke e kthyer në pishinë. -Kot i lodhe këmbët për të ardhur deri në zyrat e qeverisë. Na merrnit në telefon e do vinin ne atje! -I rashë telefonit sa m’u bënë gishtërinjtë me kallo, por s’ma ngriti njeri. Kjo më detyroi të merrja rrugën e të vija vetë! – iu përgjigj ajo. -Rri e qetë, moj zonjë e nderuar dhe e respektuar, se do marrim masa të forta që ta bëjmë zap lumin e pabindur! – e sqaruan e i premtuan. -Të lumtë goja e t’u bëftë flori. Por kur digjesh nga qulli i fryn edhe kosit. Edhe në vitin 2015, lumi i pa bindur na mbyti, jo vetëm arat, por edhe shtëpinë e katandinë, erdhën nga qeveria me makina luksoze, madje disa përfaqësues të saj kishin mbathur edhe çizme të reja llastiku. Na ngopën me premtime e u betuan për qiell e për dhe se, me të ardhur behari pa miza, do t’i vinin fre lumit të pabindur, që këto dukuri shkatërruese të mos përsëriteshin kurrë.. Për dëmet e shkaktuara do të na shpërblenin lekë më lekë. Por s’e di kush i mori premtimet e tyre, lumi apo era!? -Të drejtë ke, zonja qytetare, por qeveria e “Rilindjes së Re” ka halle, ka detyra e projekte të mëdha për t’i vënë në jetë. Por të jesh e sigurt e të flesh e qetë, se qeveria e “Rilindjes së Re” do ta rilindë ekonominë e Shqipërinë, prandaj duro, moj e duruar, Po qe se s’i more shpërblimet për dëmet e shkaktuara nga shkurti e marsi, do t’i marrish me siguri nga “1 Prilli”. -e mbylli sqarimin përfaqësuesi i qeverisë. Pasi e “sqaroi mirë e bukur” qytetaren që vinte nga zona e përmbytjeve nga shiu i dendur e lumi i tërbuar, iu kthye qytetarit, që me zi po priste mbarimi i bisedës. -Po ju, zoti qytetar, përse jeni lodhur e keni ardhur në zyrat e e qeverisë qendrore?- e pyeti.-Unë vij nga zona e naftës! -Hair ishalla, çfarë kërkesa e ankesa ke?-Çfarë të mos kem.?! U bë kaq kohë që s’e kemi parë lekun me sy. Punojmë badihava sa na bije bretku! Me se rrojnë njerëzit, ç’i rrit çiliminjtë?! – iu përgjigj ai- Vetëm ti s’e ke marrë pagën? – e pyeti. -Ka shumë! Por unë nxitova e erdha i pari, shokët e shoqet po vijnë pas!- iu përgjigj ai. -Dakord, i nderuari zoti qytetar! Pse të lodhesh, t’u hipish këmbëve e të vish deri në zyrat e qeverisë së madhe. Zona e naftës, si të gjitha zonat e tjera të vendit kanë pushtetin lokal. Pse s’trokite në zyrat e tij e t’i paraqisje kërkesën tënde shumë të drejtë e parimore?- e kritikoi për këtë nënvleftësim të qeverisë së vogël. -A vajta, thuaj?! Sikur njëherë e dy! -Dhe s’të sqaruan e s’ta zgjidhën problem tënd kaq të drejtë, duke punuar angari pa pagesë? – vazhdoi pyetjet ai, sikur donte t’i merrte intervistë. Ata më “sqaruan” se kompania “Armo”, është në gjyq me qeverinë, se paska dalë me këpucë të kuqe, prandaj bëni durim deri sa të përfundojë gjyqi, që qeveria ta detyrojë kompaninë fajtore t’ju paguajë të gjitha rrogat e prapambetura, madje me gjithë kamatë!- e “sqaroi” –Mirë, more zotni, por ku ta di unë i gjori, kur përfundon ky viran gjyq, për Shën Gjergj apo Shën Bitër?! –iu përgjigj ai me gjysmë zëri. -Më shumë ditë vijnë se shkojnë. Prandaj flije mendjen. Në mos i marrësh për Shën Gjergj, me siguri absolute do t’i marrësh për Shën Bitër, shumë shumë, në vitin tjetër. Mos harro se gjyqet tek ne fillojnë me ditë, vazhdojnë me javë e muaj e s’përfundojnë me vite! – e mbylli ankesën e kërkesën e qytetarit dhe vazhdoi me qytetaren tjetër: -Pa na fol ti e treta e vërteta! Çfarë kërkesa e ankesa keni nga qeveria e “Rilindjes së Re”, që po e “rilind” vendin?!- e pyeti. -Që the zotrote, ta marrësh vesh zotrote, unë vij nga ato familje që e mbajnë frymën me ndihmë ekonomike! – iu përgjigj ajo. -Qeveria e “Rilindjes” përpiqet e mundohet, me mish e me shpirt t’ua rrisë ndihmën sociale!- e ndërpreu ai. -Le që s’po na e rrit, por kemi dy muaj e ca që s’po e marrim fare! – u ankua qytetarja. -E ke gabim, zonjë e nderuar! S’e ke dëgjuar ministrin e Financës, që sa herë del ne ekranet e televizorëve, deklaron se kemi rritje të ndjeshme të ekonomisë. Madje nuk lëshon fjalë në erë, por me statistika e përqindje konkrete! -Që the zotrote, ta marrësh vesh zotrote, ne s’po shohim ndonjë rritje ekonomike, veçse dëgjojmë Evropën e Botën, që thonë se jemi të fundit në gjendjen ekonomike, jo në “Kontinentin e Vjetër”, por edhe në Ballkan! Në vend të rritet ndihma jonë ekonomike, pagat e pensionet, rriten taksat e qeverisë e të bashkive!. Qeveria premton se ka hapur e do të hapë kaq e aq vende pune, po ku, hiç. Djali e vajza ime kanë marrë rrugët e Evropës për të punuar e s’e di ku kanë qëndruar. Dy fëmijët e tjerë s’paguajnë dot librat e fletoret e shkollës! -E ke gabim, madje dy herë gabim, moj zonjë e nderuar!. Qeverinë e “Rilindjes së Re” s’e zë gjumi, jo vetëm ditën, por as natën për të siguruar begatinë e lumturinë e qytetarëve, pa dallim krahine, feje e bindje partiake. -Ta lulëzojë e zbukurojë vendit me lustromani, siç ka zbukuruar qendrat e disa qyteteve, si reklamë- e ndërpreu ajo, – dhe vazhdoi: – Të drejtë ke, zoti qeveritar i nderuar dhe tepër i respektuar. I ngopuri nuk e kujton të uriturin. Prandaj, që the zotrote, ta marrësh vesh zotrote, kur do kujtohet qeveria të na i japë për çdo muaj atë të paktën ndihmë sociale që të mbajmë frymën gjallë?- Do e japë se s’bën, si dy e dy që bëjnë katër. Në mos e marrshi nga fundi i shkurtit, do ta merrni në mes të marsit. Me siguri fare, në një prill! – e sqaroi qytetaren e tretë dhe iu drejtua të treve:

– Besoj se mbetët të sqaruar!


Sigal