Naxhi Kasoruho: Profesor Agron Fico Magelani i gjuhës shqipe

1141
Sigal

Profesor në tre kontinente

Profesor Agron Fico Magelani i gjuhës shqipe

-Impresione në ditët e pandemisë-

 

Nga: Naxhi Kasoruho,

“Mjeshtër i Madh”

 

O moj Gjirokastra mëmë,

Në New York dëgjoja zënë,

Dëgjoja këngët e tua,

Si melhem ishin për mua.

Dëgjoja Xhevat, Arjanë,

Çerçizin me kapedanë,

Gjirokastrës nam i dhanë!

Këtë këngë që kish ngritur  vetë këndonte nën zë sapo ngrihej në mëngjes aty në New Yorkun e largët Profesor Agron Fico, ky gjirokastrit fisnik që e mbante në zemër qytetin e gurtë, vendlindjen e tij, Gjirokastrën e bukur, të mençur e të ditur.  Kur fillova të njihesha e të qëndroja me profesorin këtu e disa vite më parë, gjithmonë më fliste me pasion, mall, e dashuri për Gjirokastrën, siç e njihte ai qysh këtu e 80 -vite më parë kur lindi aty në Hazmuratin e bukur në fisin e nderuar të Ficajve. Kur më merrte në telefon në mëngjes nuk më përgjigjej apo si u gdhive, por nga ana tjetër e telefonit vinte melodia tradicionale e këngës gjirokastrite kësaj perle të polifonisë shqiptare, që Prof. Fico e këndonte me zë të kumbueshëm, të bukur dhe emocionues që e dëgjoja me vëmendje dhe kur mbaronte e falenderoja që më jepte këtë dhuratë të bukur në fillimin e ditës, ku më kujtonte vendlindjen time të dashur.

Çuditesha me optimizmin që e fillonte ditën dhe gjente këngën gjirokastrite për të përcjellë këtë pozitivitet edhe tek të tjerët dhe në përfundim të këngës qeshte me shpirt dhe më drejtohej: “ E shikon Naxhi, sa e bukur është Gjirokastra jonë që e duam të gjithë”. Sa herë që botonte shkrime për Gjirokastrën në shtypin e përditshëm dhe  ua dërgonte miqve të tij në  në Amerikën e largët, menjëherë Dr. Adem Harxhi, e merrte në telefon dhe e falenderonte që ua sillte Gjirokastrën në kujtesën e tyre për të mos e harruar kurrë. Shkrimet e Prof. Agron Ficos për Gjirokastrën, tregojnë mallin dhe vlerësimin e lartë që ka për Gjirokastrën e gjirokastrirët, të cilat i ka përherë në memorien e tij. Në një nga këto shkrime ka vendosur një titull interesant të veçantë, të bukur e domethënës ku e quan vendlindjen e tij “Gjirokastra e manxurasë“, këtë bimë aromatike që an ët tona të mira e mblidhnin në kuti të veçanta dhe e vinin në parvazet e dritareve e muret e avllisë që përhapinin aromën në gjithë sokakun e shtëpisë. Prof. Fico jo vetëm në shkrimet e tij, por edhe në komunikimin e përditshëm në biseda me gjirokastritë, që i donte dhe respektonte shumë do të fliste me dashuri dhe shprehte mendime të vyera për vlerat dhe prosperitetin e këtij qyteti që mbrohet nga UNESCO. Një mëngjes kur më mori në telefon më tha: “Naxhi do të dalësh të rufisim një kafe tek “Këculla”. Ju përgjigja i befasuar! Profesor ke shkuar në Gjirokastër dhe po pi kafe tek lokali në “Këcullë“. Qeshi me të madhe dhe m’u përgjigj: Jam tek kafja poshtë pallatit, këtu në Tiranë, por këtej e tutje do ta quajmë “Këculla”, si kodra dominuese në krye të Gjirokastrës, madje më lart edhe se kalaja historike. Agron Fico ky intelektual i kohës sonë, personalitet i shquar i kulturës tonë kombëtare na befason duke na sjellë përherë në studimet e librat e tij mendime të vyera me integritet të lartë akademik ku vlerëson maksimalisht trashëgiminë kulturore të Gjirokastrës. Nëse do të vazhdoja të tregoja për dashurinë e Ficos për vendlindjen jo ky shkrim, por edhe një libër voluminoz nuk do të mjaftonte.  Në kopertinën e librit “Profesor në tre kontinente” ai ka paraqitur simbolet që përfaqësojnë tre kontinentet si: Muri i madh kinez për Azinë, – Statujën e Lirisë, për Amerikën dhe lagjen  “Hazmurat”, të Gjirokastrës për Europën. Si simbol të Europës zgjodhi lagjen e tij të lindjes dhe Gjirokastrën dhe jo psh. Kullën “Eifel” të Parisit, apo Koloseun e Romës dhe Akropolin e Athinës, por vendlindjen, duke i dhënë asaj dimensione globale.  Kjo nuk është një tendencë por mall, dashuri, respekt, mirënjohje dhe promovim i Gjirokastrës dhe Shqipërisë që profesori dëshiron ta shohë të përfaqësuar dhe vlerësuar, prandaj punoi me përkushtim për lartësimin e vlerave të saj.  Për të gjitha këto Gjirokastra e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” dhe Universiteti “Eqrem Çabej” me titullin “Doktor Honoris Causa”. Ashtu si Magelani që udhëtoi rreth botës për të zbuluar atë edhe Prof. Agron Fico nisi rrugëtimin e tij nga Tirana në Pekin e New York për të përhapur gjuhën e bukur shqipe, që siç e cilëson Naimi i Madh si: “Gjuhë Perëndie”.  Ishin vitet 60-të të shekullit të kaluar kur Profesor Fico do të nisej për në Kinë i cili do të jepte mësimin e gjuhës shqipe në Universitetin e Pekinit. Ishte një djal ë i ri plot ëndërra dhe me pasion për të punuar në këtë fushë të gjuhësisë, që do ta përhapte atë në tre kontinente. Kishte mbaruar gjimnazin e Gjirokastrës me “Medalje Ari”, dhe mandej edhe Universitetin e Tiranës me “Medalje Ari”. Pas përfundimit të studimeve do të kthehej në Gjirokastër, por tani si profesor i gjuhës shqipe. Ndonëse punoi vetëm një vit, ai la përshtypje mjaft të mira, fitoi vlerësimin dhe respektin tek nxënësit dhe kolegëve të tij që ishin në atë kohë. Në vitet që pasuan punoi në Tiranë në institucionet që vareshin nga Umiversiteti i Tiranës ku u vlerësua për studimet dhe temat shkencore çka bënë që ai të shkonte në Kinë. Por nuk mbaroi këtu rrugëtimi i tij. Pas një pune të shkëlqyer në Tiranë pas kthimit nga Kina, Prof. Fico iu kushtua shkencës së gjuhësisë dhe folkloristikës tonë kombëtare, ku në studimet shkencore mbështetur në punën kërkimore me takimet në terren në shumë treva etno-muizkore me interpretues të vlerave të folklorit, tonë do t’i prezantonte këto në simpoziume e konferenca shkencore. Ky formim akademik e intelektual do ta shtynte profesorin të niste një udhëtim të ri drejt Amerikës ku në New  York do të jepte në universitet gjuhën shqipe për amerikanët. Ky është një kontribut i vyer që  ka dhënë për përhapjen e gjuhës shqipe në tre kontinente. Këtë dekadën e fundit ai punoi në Tiranë pas kthimit nga Amerika. Në Universitetin e Mjekësisë ai do të jepte gjuhën angleze, ndoshta si një respekt për amerikanët mësuar nga profesori gjuhën shqipe. Gjatë këtyre viteve kam qëndruar shumë afër tij, që si një nxënës i zellshëm e dëgjoja me vëmendje ku shpaloste një kulturë të gjërë akademike, vlerë integritetit intelektual dhe qytetar si përfaqësues i denjë i fisnikëve të fisit të dëgjuar të Ficove të Gjirokastrës. Prof. Fico ishte fisnik në pamje, shpirt, kulturë, i donte e respektonte shumë njerëzit. Shpesh në biseda me të mundohesha të tregohesha modest kur botoja ndonjë libër dhe ia jepja që sa e merrte në dorë më uronte për punën e lodhshme krijuese që e quante si të punoje në minierë, prandaj s’ka vend për modesti dhe s’jemi të gjithë të barabartë.  Duke e ditur se ai gëzohej kur botoja ndonjë libër menjëherë librin e parë ia dhuroja gjithmonë atij. Kështu më ndodhi edhe në mesin e këtij marsi, kur kishte filluar karantina e pandemisë dhe i telefonova e i thashë se sot mora kopjet e para të librit të ri me titull “Gjirokastra, universi i gurtë“ dhe jam i nderuar që kopjen e parë t’ua jap Juve. Hajde tek “Këculla” dhe takohemi se nuk na lë karantina të dalim jashtë. Kur e mori librin në dorë u gëzua shumë sikur e kish krijuar ai vetë dhe më tha: “Naxhi do të bëjmë një promovim ku të vijnë shumë gjirokastritë dhe të shohin se djali i tyre nuk e harron vendlindjen dhe e nderon atë me krijimtarinë e tij”. Në atë moment nuk e mendoja se ky do të ishte libri i fundit që do t’i dhuroja profesorit të nderuar.  Ishte një ikje e parakohshme dhe e dhimbshme. E ndoqa me lot në sy funeralin e këtij gjirokastriti fisnik dhe vlerë në kulturën tonë kombëtare. Kur i vendosën kurorat mbi varr më bëri përshtypje një kurorë me mbishkrimin: “Profesor Agron Ficos nga Amabasada Kineze në Tiranë, për kontributin e jashtëzakonshëm që ju mësoi kinezëve gjuhën shqipe”. E përjetova këtë moment sikur kombi i madh kinez përkulej me respekt e mirënjohje përpara Prof. Agron Ficos. Kanë kaluar muaj nga ajo ditë dhe akoma nuk jam mësuar me këtë humbje. Sa herë që bie zilja e telefonit në mëngjes, menjëherë e marr dhe pres të dëgjoj zërin e tij dhe këngën që e këndonte gjithmonë. Por jo. Më duhet të mësohem me këtë mungesë të çmuar, e ndoshta do të zgjasë shumë. Lamtumirë i dashur Prof. Agron Fico.

U prefsh në Paqe! Amin!