Bashkim Hoxha tanimë është një “Emër i Madh” i letërsisë tonë. Nuk më çudit prodhimtaria krijuese e Autorit, i cili mjeshtërisht na sjell ngjarje e ndjesi veshur me figuracion tepër efikas. Romani i ri “VITO”, është arritja e një maje tjetër e Bashkim Hoxhës, ku spikat thjeshtësia në veçantinë e kahjes së ngjarjeve & personazheve në Universin e Tij, që të mrekullon. Nocionet filozofike, herë janë të drejtpërdrejta e herë veshur me mjete artistke. Lexuesi prek dukshëm realitetin e kohës me fenomenin e largimit veçanërisht të Rinisë, plagë që dhemb. Bashkim Hoxha i jep shumë rëndësi detajit. Tregon revoltën e Tij pa harruar dhe absurdet jo vetëm të së sotmes, por dhe të djeshmes. Bëra këtë hyrje se dua të evidentoj e të ndalem te prezantimi i personazheve. Ata janë njerëzit në të përditshmen e tyre, që përvec vlerave individuale e vështirësive që hasin, nxjerr të bukurën e shpirtit të tyre. Megjithëse në fshat kanë mbetur 7 gra. 1 vajzë e re dhe 4 burra, përmasa e raportit human e social është përcjellë me përmasa të dukshme nga forca e pesha e përshkrimit dhe e dialogut. Vito, personazhi kryesor, me vlera të padiskutueshme, vë talentin e saj krijues, shpirtin e bukur, në këngët e vajit, në shërbim të një tradite që i bëhet njeriut me të vërtetat e jetës. Ajo duke i bërë nderimin e fundit, jep jo pak nga vetvetja. Kjo Vajtojcë, na kujton se dhe me vajin e saj aq të ndjerë, na sensibilizon për kultivimin e vlerave të njeriut e të familjes. “Ajo merej me pengjet e jetës e I nxirrte në shesh për të lehtësuar rrugën e mundimshme për tu ngjitur në qiell”, cilëson autori për aftësinë e detyres së saj, jo të lehtë. Për të evidentuar vlerat e këtij persanazhi tepër të realizuar do të citoj: -“Po të mendoje sa vdekje kish kaluar duke qarë, do ishte si një trung i vjetër, i rrudhur e i gërryer. Po Ajo shkëlqente’ ose “Varrimin e dua të heshtur dhe kështu të ma bëni. Le të më përcjellin vetëm njerëzit që kanë mbetur në fshat. Pasi të më kenë hedhur edhe grushtin e fundit të dheut mbi varr, njoftoni kë të doni. Le të vijnë, kur t’u bëhet mbarë.” ose: -Mos më qani mua- u tha – qani veten tuaj. Një ditë Ajo kishte thirrur të birin, Saimirin dhe i kish thënë: – Ik biri im. Jeto jetën tënde. Do të ishte mëkat të jetoje jetën tënde, prangosur me jetën time. Unë i përkas ditës që ikën. Ti i përket ditës që vjen. Ik. Takohemi në ëndërra A nuk është koncentrat i mungesës së shpresës i kësaj heroine që nxit fëmijën me dhimbjen që e fsheh në zemrën e saj? Ndaj Pena e Bashkim Hoxhës më befasoi . Ai sbën moral. Thotë të vërtetat e familjeve e shoqërisë sot.

S’dua të krahasoj Viton me 2 vajtojcat e tjera, që shkrimtari i ka dalluar vetëm me këtë shprehje që s’ka nevojë për koment. “Qania ndihej e huaj në atë që vajtonte. Ishte si një spektatore me fatin e tjetrit, e ftohtë e largët”. Po vazhdoj të citoj.
– Vito ishte mjeshtre e zanatit të saj, po nuk kishte arritur dot deri aty sa t’i nxirrte nënat nga mpirja. Asnjë nga dy Vajtojcat e tjera në zonë, nuk kishte mundur t’i nxirrte nga humbëtira Nënat e mpira. Burrat e fshatit, Jani, Fatriu, Papa Kozmai dhe Niko me jetën e tyre dhe ardhja e Dritanit dhe Ardianit, që vijnë të mbledhin ullinj atje në fshatin e braktisur nxjerrin thelbin filozofik të Vetmisë të harruar dhe nga shteti… Lili, e vetmja vajzë e re, e bukur që shëndriste në fshatin vetëm me të moshuar., me një shpirt të mrekullueshëm, i dukej se po jetonte një ëndërr, kur pa një burrë të ri dhe ku i foli zemra, zemrës Në këtë roman të ri të Shkrimtarit B.Hoxha, jo shumë i trashë nga fletët, ka një universalitet vlerash. Tek e lexon, ndjen tjetërsim me përjetimet e përshkrimeve, ngjarjeve, që rrëfehen lirshëm, po ku secili do arsyetoje vetë. Po pa ndroje them se qartësia e pershkrimit e vështrimit me ndjesi e shkrimtarit në disa caste të ngjarjeve e skicimit të personazheve me detaje, herë të hidhëron shpirtin , herë të përjetosh ndjenjat universal të dashurisë dhe herë të presësh i vetëm , pa u zemëruar ,rrugën e Fatit, Roza, një personazh i tjetërsuar nga fati dhe viktimë e abuzimit, trembur nga vdekja, në takimet me Nikon, një personazh tjetër sa i çuditshëm aq rrëzëllitës, është një linjë tepër e vecantë, në libër, e përshkruar me ndjenjë e duke na përplasur me këndvëshrtrimet tona si lexues.

Shkrimtari, i bën autopsi njerëzve që vizitonin Rozën, si protestë e pafuqisë së tyre.
Ajo në ftesën e fundit që bëri për t’u dhënë lamtumirën, atyre që kishin ngecur në grackën e Fatit në krahët e saj, kur karriket i mbetën bosh zhgënjeu pritshmërinë e saj. Niko, që mbushte boshllëkun e tij pranë saj, duke mësuar se Rozës i kishte trokitur vdekja, pa pyetur për paragjykimet, i propozon , duke e lumturuar larg errësirës së jetës së saj që shpejt do të shuhej në humbëtirën e vdekjes.
Është i papërsëritshëm dialogu i banorëve, i ndërtuar aq fshikullues me përfaqësuesin e Gjendjes Civile & Doktorit, ku shfaqet indiferenca e shpërfillja e shumë pushtetarëve.
- Keni bërë gabim që e keni varrosur Viton pa firmën e shtetit.- tha punonjësi i gjendjes civile.
- Po pse? Ç, punë ka shteti me vdekjen? – tha si i çuditur papa Kozmai.
- Ne bëjmë detyrën – bëlbëzoi Nini -Ne duhet t’i heqim nga listat e të gjallëve, po nuk mund ta bëjmë këtë pa vërtetimin e mjekut…
- Ah, pa shih! Paskeni edhe lista të gjallësh. Po këtu keni të drejtë. Po a keni ardhur ndonjëherë të pyesni se si e shtyjnë jetën këta të gjallët nëpër lista? Është kujtuar ndonjëherë shteti se çfarë mundimesh heqin këta të gjallë nëpër lista? Po ta kishit bërë, dakord, ishit në punën tuaj…- iu vërsul papa Kozmai dhe ata nuk dinin si t-i përgjigjeshin.
Në këtë sukses tjetër të shkrimtarit B,Hoxha, ka shumë ngjarje e shprehje sentencash që në këto kohë moderne i shërbejnë të gjithve. Po ju sjell disa prej tyre.
- Njeriu nuk ka pse lë peng tërë jetën e tij te dikush tjetër.
- Jeta është liri.
- .Jeta është një Mos i madh…që gjëmon…mos këtu e mos atje.
- Rrethana është shkesi i kombinimeve nga më të pabesueshmet etj.

Mesazhet që përcjell nga rrjedha e ngjarjeve me mendimet e ndjenjat e personazheve që janë Simbole për mua, pa hiperbolë zmadhimi, janë edhe një arsye më shumë për ta lexuar këtë roman. Do të vë në këtë shkrim edhe një moment nga ky roman, ku Saimiri, djali emigrant i Vitos në Kanada, të cilit ia mësoi i ati, Jani, të bënte fyellin e parë, arriti të bëhej Flautist në një Orkestër të madhe pranë Gruas së tij të huaj, violiniste. Autori shkruan: “Fyelli vetmitar, ishte kolona zanore që e shoqëron jetën e tij nëpër ikje” Nënë Vito, kishte vdekur larg në fshat e s’kishte mundur t’i tregonte Nipit të saj Danielit, një përrallë se vetë Vito, ishte një përrallë” – thotë Ai. E mrekullueshme tek e lexon në rreshta dhe ndjen tingujt, që sjellin kujtime. Po nga ana tjetër të dhëmb shpirti, kur njeriu është i detyruar të flasë me veten dhe jo rrallë me jehonën e mungesës. Kur mbarova së lexuari këtë roman thashe se Realiteti i ngritur në Art me kulturë e pasuri figurash poetike me të cilat i ka veshur autori aq mjeshtërisht, është udha më e bukur që kanë fatin ta përshkruajmë bashkë, Krijuesi & Lexuesi. Jam e sinqertë në këtë që them: – Bashkim Hoxha, me romanin e ri, e ka vënë veten si shkrimtar, në Aureolë të Suksesit e Nderimit. Ai ka lënë një gjurmë të mahnitshme me këtë botim të Ri. Të gjithë komponentët artistikë janë të arrirë, frymëzues. Është për t’u lavdëruar dhe kujdesi i treguar nga Shtëpia Botuese “ONUFRI” e shquar tashmë dhe me Gazetën e saj shumë cilësore “EX LIBRI”, që nga Kopertina e Indrit Domit, Formati i zgjedhur, grafika, letra e përdorur i shkojnë dhe hijeshojnë librin. Të gjithë Ata që do ulin vështrimin nëpër fletët e librit të ri, “VITO”, ku manifestohet përsosmëria e të shkruarit me impenjim artistik i Bashkim Hoxhës, do ju gjëmoi gjatë në kujtesë.
Suksese Bashkim Hoxha që na bën krenarë!




















