Myrteza Ali Struga, një jetë të tërë në shërbim të Atdheut

861
Sigal

Doktor Myrteza Ali Struga, firmëtar i Pavarësisë, figurë e shquar e kombit shqiptar

Doktor Myrteza Ali Struga, i diplomuar për teologji dhe mjekësi në Stamboll, iu dedikua krahas te tjerave edhe përhapjes së gjuhës shqipe dhe mbrojtjes së interesave kombëtare që kulmoi deri në firmosjen e Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë në  vitin 1912. Ai ka lindur në Strugë në vitin 1878, shkollën fillore dhe të mesme  i kreu në Strugë. Që në moshë të re i dedikoi shume kohë përhapjes së gjuhës shqipe, sidomos te fëmijët e familjeve të varfra.  Kjo veprimtari u zgjerua me tej në kohën kur doktor Myrtezai së bashku me Nuri Sojlin dhe Zydi Ohrin themeluan një shkollë shqipe, e cila kishte shtrirjen e vet në Strugë, Ohër, Pogradec dhe fshatrat përreth. Ne vitin 1903 ai vendos te largohet për studime te larta ne Stamboll, ku pas përfundimit të shkollës për teologji, mendon t’i vijojë studimet edhe në Universitetin francez të mjekësisë të Stambollit. Emri i tij gjendet edhe në radhoin e studentëve te viteve 1909-1910 së bashku me Dr. Omer Nishanin, me të cilin kishte lidhur një miqësi të ngushtë. Gjatë viteve si student, Myrtezai bashkë me atdhetarë të tjerë shqiptarë, aktivizohet te klubi “Bashkimi” si dhe në organizatën e rilindjes shqiptare me emrin “Burimi”..Merr pjesë gjithashtu në mënyrë aktive në “Shoqatën e shqiptarëve të rinj intelektualë”, të themeluar në Stamboll në vitin 1910. Pas diplomimit në Stamboll si mjek, në vitin 1910, Myrtezai kthehet në atdheun e tij, në qytetin e Strugës, ku fillon te ushtrojë profesionin e mjekut. Në këtë punë spikat humanizmi i tij. Në qytetin e Strugës ai hap edhe farmacinë e tij , në të cilën përgatiste edhe barna për të sëmurët, pasi atëherë ishte e pamundur të gjendeshin barna. Përveç punës si mjek, Myrtezai nuk reshti së përpjekuri për përhapjen e gjuhës shqipe, sepse i tillë ishte edhe misioni që kish marrë në Stamboll, i cili synonte përhapjen e gjuhës shqipe  në të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare. Shpesh herë mësimin doktor Myrtezai e bënte edhe në mungesën totale te kushteve. Mësuesi i muzikës, Krasta, kujton se “doktor Myrtezai na e mësonte gjuhën shqipe duke shëtitur me barkë në gjolin e Pogradecit”. Doktor Myrteza  Ali Struga, si patriot dhe rilindës i shquar, e priti me urrejtje pushtimin e Ohrit dhe të Strugës nga ana e ushtrive serbe në fund të nëntorit të vitit 1912. Ai vihet menjëherë në krah të çetave atdhetare. Për këtë autoritetet ushtarake serbe e internuan për një vit dhe ia qethën edhe flokët. Për këtë tregonte gruaja e tij, Nebije Struga (Dibra). Ne vitin 1920, përsëri si delegat i Ohrit dhe i Strugës, Doktor Myrtezai merr pjesë ne Kongresin e Lushnjës  Në vitin 1930 doktori transferohet nga Struga në Peshkopi bashkë me të shtatë fëmijët e tij ku caktohet drejtor i Spitalit dhe qëndron në këtë detyrë deri në fund të vitit 1934. Pikërisht në atë kohë, aty nga mesi i vitit 1930 falimentojnë nga tregtia në Strugë dy vëllezërit e tij, Zeneli dhe Shukriu, të cilët kishin një dyqan të përbashkët  bashkë me një tregtar tjetër maqedonas, me emrin Mitre Radozhda. Ky i fundit, duke përfituar nga ikja e doktor Myrtezait nga Struga, vë dorë mbi pasurinë e doktor Myrteza Aliut, e rrëmben shtëpinë e tij dykatëshe të Strugës gjoja për nevojat e bashkisë së qytetit, por në fakt e përvetëson me falsifikime dhe me matrapazllëqe. Po në këtë mënyrë përfunduan edhe tokat  e shumta që dispononte doktor Myrtezai. Në Peshkopi caktohet drejtor i Spitalit të atij qyteti ku shquhet për ndërgjegje, devotshmëri dhe përkushtim. Por gjendja e spitalit të Peshkopisë ishte e mjerë, iu desh të punonte në kushte mjaft të vështira, për shkak se i mungonin ilaçet për të mposhtur sëmundjet aq të përhapura në rrethin e Dibrës si malarja, tuberkulozi, sifilizi etj. P as kësaj, në vitin 1934 e transferojnë mjekun “tepër kërkues” për në qytete të tjera. Fillimisht e dërgojnë të punojë në Kavajë, më pas në Lushnjë, Elbasan dhe në fund  në Lezhë – me një fjalë një mjek “shëtitës” që nuk e linin të zinte vend. Në vitin 1935 vendoset në Lezhë, ku ai gëzonte respektin dhe simpatinë e lezhjanëve të varfër, të cilëve ai ua jepte ilaçet pa pará, falas. Edhe për vizita atyre nuk u merrte pará. Në vitin 1935 e transferojnë, më në fund në Tiranë me të shtatë fëmijët. Në dhjetor të vitit 1937, vetëm një muaj pas 25 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, doktor Myrteza Aliu vdes nga një sëmundje e rëndë, duke lënë në pikëllim gruan dhe shtatë fëmijët e tij. U largua nga jeta një mjek zemërmirë dhe i përkushtuar për punën që bënte, një patriot, një luftëtar i paepur për çështjen shqiptare, pavarësinë dhe lirinë e atdheut, një ndër 110 mjekët e pakët që kish atëherë Shqipëria. Pas çlirimit të Shqipërisë  doktor Myrteza Ali Strugës (Dibra) iu dha nga Kuvendi Popullor titulli “Patriot” për veprimtari patriotike të çështjes shqiptare, ndërsa gruas së tij, Nebijes, iu akordua pensioni patriotik për të shoqin, të cilin e mori derisa ajo vdiq. Në 70 vjetorin e Pavarësisë, në vitin 1982, merr pjesë edhe bashkëshortja e Dr.H. Myrteza Ali Strugës (Dibra), Nebija, e vetmja grua patrioti ende e gjallë deri atëherë. Asaj iu rezervua një vend i nderuar në tribunën e qytetit të Vlorës dhe në mbrëmjen e organizuar me atë rast. Në qershor të këtij viti, Presidenti Bamir Topi i akordon Urdhrin “Nderi i Kombit”, si një figurë e shquar e kombit shqiptar.

____________________________________________________________________________________

MITRUSH KUTELI PËR DOKTOR MYRTEZANË

Më doli nga mëndja të them se ndërkaq çatisi nga Struga ai zemërmiri doktor Myrtezai, që u vuri fshesën gjithë magjive e gjithë hajmalive e më mjekoi ashtu siç dinte vetë. Babai e kish patur mik doktor Myrtezain, se kishin qenë të lidhur me punën e Abetares shqipe dhe i kish bërë fjalë:”po të mundësh, eja, se e kam keq punën.”Dhe doktor Myrtezai (i ndrittë shpirti!) erdhi përmes fërfëllizës. Është e vërtetë se doktor Myrtezai më dha të pi barëra të hidhura e më shpoi ndonjë gjilpërë, por unë nuk i mbaj mëri…Thashë se e hodha lumin, po isha i këputur sikur të më paskëshin rrahur  me dyzet kopaçe ata kusarët e Mokrës e të Gorës, që zhvishnin botën udhës. Çdo gjë më dukej e pështirë. Më i pështirë nga të gjithë ishte uji. Pastaj, dalëngadalë, për hir të doktor Myrtezait, nisa ta marr veten, të ngrihem në këmbë, në fillim anës murit, pastaj përmes dhomës”.  Libri “Xinxifilla”, faqe 147-148, Botimet “Kuteli 04”,Tiranë 2011

_____________________________________________________________________________________

DREJT VLORËS, BASHKË ME DELEGATËT E ELBASANIT

Në nëntor te vitit 1912, doktor Myrteza Ali Struga, së bashku me Zydi Ohrin dhe Nuri Sojlin u zgjodhën delegatë të Ohrit dhe të Strugës për në Kuvendin e Vlorës. Ata u nisën fshehurazi nga Struga, rreth datës 6 nëntor dhe ndaluan në Elbasan për t’u bashkuar me delegatët e Elbasanit, të cilët ishin Shefqet Bej Daiu, Lef Nosi, Qemal  Beu dhe Mit’hat bej Frashëri. Më 9 nëntor, doktor Myrteza Struga, Nuri Bakalli ( Sojli) dhe Zyhdi Ohri, e panë të nevojshme të qetësonin  kryetarin e Bashkisë  së Vlorës dhe Ismail Qemalin për ardhjen e tyre dhe për këtë qëllim nisën një telegram që nga Elbasani , ku thuhej: Elbasan, 9 vjeshta e tretë 1328-1912 ” Xhemil Beut e shokëve të Tija të ndershëm, Vlonë: Nesër po nisemi së bashku me përfaqësuesit e Elbasanit. Përfaqësuesit e Ohrit dhe të Strugës- Dr.Myrtezai , Nuri Bakalli (Sojli), Zyhdi Ohri”. Në numrin  31 në listë është edhe firma e Dr.H. Myrteza Aliut, ku fjala “H” nënkupton titullin e marrë si Hafëz në Stamboll).

Përgatiti: Fatmir Myrteza

Struga (Dibra)