Kohë për “Letra anonime nga populli”

613
Gëzim Llojdia 
1. Shkruesit e dikurshëm të “letrave anonime”, sot janë krenarë për punën plot pasion e sakrificë që bëjnë pasardhësit e tyre, tashmë jo duke dërguar letra nëpër komitete, por letrat anonime prej disa kohe kanë gjetur një terren më të thjeshtë për t’u përhapur pa blerë zarf, e dërguar një fije letër, por me metodën on-line. Kjo u mundësohet shkruesve anonimë në Web e në disa gazeta, të cilat kanë hapur dyert dhe dritaret me qëllim për të thithur lexues, duke hapur kornizën “komente”. Ja sa e thjeshtë është të shkruash letra anonime në këto korniza, që kanë hapur gazetat. Aty shkruhet “komenti juaj” ose: Lini një përgjigje”. Dhe çfarë të dhëna kërkohen për të dërguar letrën anonime? 
Së pari, emri (e domosdoshme). Shqiptarët kanë aq shumë emra sa mund të çuditet një botë. Nëse do të hulumtosh nëpër regjistrat e gjendjeve civile të këtij vendi do t’i shikosh se çfarë emrash kanë shqiptarët dhe me çfarë emri në realitet thirren, aq sa shumë prej emrave të dytë, këta i përdorin pa droje edhe nëpër dokumente zyrtare. Lind pyetja, kush është filani, i emrit të parë apo të dytë? Për të kuptuar se deri ku shkojnë marrëzitë e emrave do t’i gjeni tek regjistrimi i popullsisë, kur regjistruesit hasnin hasin në mijëra peripeci, kur personi kërkohej me tjetër emër dhe në realitet kishte një emër tjetër. Mirëpo tek komentet e gazetave puna qëndron disi më ndryshe. Kuptohet, që askush nuk shkruan emrin e tij, por më e çuditshmja është se përdor emrin e dikujt tjetër, kur ky i fundit, as është në dijeni dhe as ka dëgjuar gjë, madje as e ka lexuar fare komentin. Dhe ku ta lexojë, në punën e tij s’ka as kompjuter dhe as android apo iphone. Duke shpërdoruar emrin e dikujt tjetër shkruesit anonimë nxjerrin dufin duke sharë deri në shtat breza, duke përdorur një fjalor, që as fëmijët vagabond të rrugëve do t’ua kishin zili, madje duke u fshehur pas këtyre emrave ata bëjnë lloj-akuzash dhe në vend që kjo formë të vijë duke u ngushtuar, çuditërisht hapësira është e pamatë.

Ngre dy pyetje:

A ka ligj që dënon shpifësit?
A kanë gazetat fond të mjaftueshëm për t’u përballur me ndëshkimet në miliona lekë që shumë qytetarë janë gati të bëjnë denoncimet e tyre, sepse u janë prekur padrejtësisht, jo vetëm emri, por edhe imazhi i punës, familjes dhe i rrjetit shoqëror?

Dihet se të dhënat që kërkohen krahas emrave janë një E-mail, mirëpo njihet fakti se çdo shqiptar ka jo më pak 5-6 të tillë E-mail të hapur në yahoo, gmail, hotmail etj, njeri real dhe të tjerët fallco dhe nëpërmjet këtyre adresave ata shpifin ditën me diell duke sharë vendçe çdo njeri që del përpara,që ka shkruar diçka për mirë apo për keq. Dhe më e çuditshmja që mbetet është, se të gjithë bëjnë sehirxhiun duke lejuar që letërshkruesit anonimë të derdhin vrer e helm për këdo duke cenuar të drejtat elementare të çdo autori që publikon në këto Web-e. Loja që hapi një gazetë opozitare e pavarur u pasua nga të tjerat, ndërsa një numër gazetash kanë administrator, që bën përzgjedhjen e komenteve. Kjo në një farë mënyre është e pranueshme, sepse ke të bësh me tillë shkruesish anonimë dhe kur ligjin askush nuk e përfill.

2. Në fakt komenti, që është vendosur si kornizë tek Web-i i gazetave dhe më tej nëpër të gjitha faqet on-line, ka pasur një arsyetim të thjeshtë. Për shkrimin: “shkruaj komentin tuaj”. Po t’u hedhësh një sy gazetave të huaja do të shikosh se kjo praktikë është e pranishme tek ato, ku çdo lexues bën vërejtje apo shënime për shkrimin në përgjithësi, pa e zënë në gojë fare autorin apo jetëshkrimin e tij dhe bëmat e tij. Mirëpo kjo nuk mund të ndodhë në Shqipëri në këtë vend e ardhur nga një traditë gjysmë feudale ku në një hapësirë kaq të ngushtë gjeje një larmi tipash, flitet për vitet ’30, mirëpo sot nuk ngjan kështu. Shkrues të thjeshtë dhe të ndërlikuar anonimë të mësuar, ngase kanë veshur me kohë formatin e anonimatit kanë gjetur ngrehinën e tyre të dashur që mund të jetë, gjysmë kështjellë, gjysmë kullë, kanë përveshur mëngët dhe për çdo shkrim tek gazetat që kanë kornizën e komenteve sjellin dossierë, herë të vërteta e herë gënjeshtra, herë llafe kafenesh e herë hapje dosjesh institucionale. Më e keqja është se, rrallë e tek madje si gjilpëra në kashtë do të gjesh ndonjë fjalë për shkrimin. Jo aty gjenden vetëm biografitë personale të autorëve të shkrimit, bëmat të ndodhurat dhe të pa ndodhura. Këta autorë anonimë, që askush nuk i njeh nga portretet e tyre: “shiko komentin vëri vlerën,” janë të lexueshëm me fate të çuditshme për vete, por që kanë marrë përsipër të hetojnë deri në imtësi për të tjerët, kur askush këtë nuk ua ka kërkuar, madje nuk është e lejueshme. Dhe krejt këtë punë ata e bëjnë në mënyrë vullnetare. A është e lejueshme kjo për moralin e këtyre gazetave (sepse një pjesë e gazetave të tjera kanë vendosur administratorë) për të lejuar ose jo gomarllëqet e këtyre tipave delirantë që për një arsye ose tjetër shkruajnë gjëra që mendja njerëzore dot nuk i percepton se kanë ngjarë. Përhapësit e mjegullnajave të mëdha në këtë vend nuk janë të pakët, duke njohur ushtrinë e tyre që paguhej 20 vite më parë për të bërë pikërisht këtë punë, ndërsa “artileria” e tyre 24 karatëshe punon natë e ditë duke denigruar çdo gjë, çdo njeri dhe duke harruar se, misioni i kornizës poshtë çdo shkrimi është lënë për çka shkruhet më sipër. Shpifësit dihet që kanë si detyrë shpifjen, por këta të këtij soji janë më fanatikë se shpifësi. Por për një ushtri të tërë ateiste që bën këtë punë ,njerëzit që besojnë në Zot e Perëndi nuk ua lejon morali dhe feja që të shpifin është puna e djallit. Djalli, puna e tij është djallëzia, e keqja, që është vendi i djallëzive. -Ushtria e tij janë: mania e madhështisë, xhelozia, lakmia, marrja nëpër gojë. Dihet që edhe në librat e shenjtë, shpifja është një keqe që e pjell dhe e sjell djalli. Portreti i tyre mbetet djalli. Ngjyra është katran, kurse grykësia, që e identifikon, s’ngopet kurrë me helmin. A duhet lënë terren për djallin?Nëse ikën shkruesit e letrave sepse iku regjimi i mëparshëm, pse duhet lejuar terren për pasardhësit e tyre, ndërkaq që ligjet janë shkruar mirë e bukur, e bardha në të zezë. Po e ilustroj me një fabul: 

Shiteshin në Stamboll 2 buste, njëri ishte djalli, tjetri i biri. E pyet njëri sa kushton busti i djallit – 500 lira, tha tregtari. Po i të birit? 1000 lira. Pse kaq shumë i biri sesa babai? pyeti prapë blerësi . Epo – ia ktheu tregtari, ai është “shejtan e bir shejtani”. Shqip, shqip kësaj i thonë “qen bir qeni”. A duhet lejuar, së pari ky zanat i shkruesve anonimë të vijojë marrëzisht duke denigruar padrejtësisht figurat dhe personalitetet e njerëzve që shkruajnë? Sigurisht që kjo praktikë duhet të marrë fund nga vetë gazetat, që kanë hapur dyert dhe dritaret. Një mënyrë është që korniza e komentit të formulohet kështu:

Emri……….
Mbiemri…..
karta ID …..

që vërteton identitetin e personit, vendi, profesioni. Duke përmbushur këtë formalitete të domosdoshëm shkruesit e komenteve ballafaqohen më autorin dhe në fund paguajnë kur shpifin padrejtësisht. Me këtë format le të shkruajë çdo gjë që mendon dhe dëshiron brenda sjelljes që ligji lejon dhe sigurisht brenda temës që është shkrimi sipër, madje syresh korniza është hapur bash për këtë punë. Kjo është mëse e realizueshme. Kur hapa para një viti gazetën Vlora-on-line formatin e ndërtoje vetë për të bërë komente, të cilën në të vërtetë e mbylla për arsye të degradimit të komenteve nga smirëzinjtë, të cilët nga xhelozia shkruanin gjithfarë marrëzish për autorët. Kjo nuk tregon frikë, por një të vërtetë, sepse nesër do t’i duhen shumë gazetave të ballafaqohen në gjykatë, dhe autorët të kërkojnë miliona për denigrimin që u bëjnë padrejtësisht persona anonimë, të cilët fshihen pas anonimatit që lejon formatimi. Gazeta s’ka përse të mbajë përgjegjësi kur anonimët do të duhen të japin të gjitha të dhënat e sakta që i vërteton vetëm karta ID ose pasaporta dhe ndërkaq këta autorë do të ndëshkohen ligjërisht. Anonimët le t’i bëjmë persona real që janë gati të ballafaqohen me të vërtetën. Nga kullat e tyre gjysmë të errëta e gjysmë labirinte errësire ata kanë vite që hedhin gjyle, ku shajnë, shpifin, denigrojnë pa u ndëshkuar aspak sipas ligjit. Të kërkosh identitetin sot nga anonimatët me E-mail të rremë do të jetë një punë e madhe, kur ligji është ndërtuar posaçërisht edhe për këtë pjesë on-line. Nëse do të vazhdojë kjo praktikë e deritashme, atëherë llumi që gëlon labirinteve do të dalë në sipërfaqe dhe ka për të qelbur edhe vetë mediumin, pa folur për gjyqet dhe milionat që do t’i kushtojë mediumit.
Sigal