Muzika e dhomës, një tendencë e trios akademike

950
Sigal

FORUM/ Koncert i trios akademike Fatos Qerimaj (klarinetë), Arben Llozi (Violë) dhe Merita Rexha Tërshana (Piano)

Këto ditë në Durrës, Klubi i Artit dhe Kulturës “Sigal” organizoi koncertin e trios akademike Fatos Qerimaj (klarinetë), Arben Llozi (Violë) dhe Merita Rexha Tërshana (Piano). Kjo trio e formuar rreth 12 vjet më parë luajti me virtuozitet pjesë dhome nga kompozitorët gjerman,  ku dy prej kompozimeve ishin premierë. Në sallë ishin intelektualë, muzikantë, poetë, shkrimtarë gazetarë studiues të muzikës. Është hera e parë që në Durrës organizohet një koncert i tillë me një formacion orkestral tipik

 Fatos Qerimaj (Klarinetist)

Trioja akademike përbëhet nga Fatos Qerimaj (klarinetë), Arben Llozi (Violë) dhe Merita Rexha Tërshana (Piano). Grupi është formuar 12 vjet më parë, ky është një grup që si synim ka propagandimin e muzikës së dhomës me këtë lloj informacioni. Repertori që ka është po aq special. Ne e kemi bërë këtë trio për t’i ardhur në ndihmë,  Universitetit të Arteve. I gjithë materiali përpunohet  nga grupi ynë pastaj shpërndahet tek studentët.  Ky është objektivi ynë. Ne gjithmonë hulumtojmë për zgjedhjen e veglave,  për këtë formacion dhe pastaj ua bëjmë prezent studentëve për të mësuar dhe të rrisin bagazhin e tyre. Këtë e bëjmë duke u paraqitur nëpër koncerte të ndryshme.

Realizimi

Realizimi i këtyre bëhet nëpërmjet partiturave, të cilat i kemi origjinale të marra nga jashtë. Kjo bëhet në njëfarë mënyre si investim individual, për të na ndihmuar në punën tonë pedagogjike.  Ky investim i yni shkon tek studentët, por dhe tek auditori i shfaqjeve të ndryshme apo koncerteve. Tashmë jemi brenda stinës koncertore të Universitetit të Arteve të rëndësishme, ku unë kam ndërtuar brenda stinës koncertore një Festival, për instrumentet e frymës. Festivali quhet “Flauti magjik”, ku do të jenë tre net, i cili në një natë do të marrin pjesë të gjithë instrumentistët e frymës së Universitetit të Arteve  dhe një natë do të jetë me muzikën e Bigbenit, me instrumente haqesh, ku do të luajë një solist klarinetist Bashkim Barbullushaj dhe në natën e tretë do të jemi ne trioja akademike. Ne patëm shansin që në këtë kuadër, premierën e veprës së Carl Reinecke, ta luajmë, kompozitor gjerman romantik, ta luajmë  në Durrës me ftesë  të Klubit të Artit dhe Kulturës  “Sigal” në Durrës me drejtor Ermir Dizdari. Kjo ishte një shtysë për ne për t’u ndjerë paraprakisht, mirë me repertorin dhe për t’i dhënë një rëndësi më të madhe performancës tonë, që ky koncert të mos ishte vetëm i Universitetit të Akademisë, por të ishte dhe i qytetit të Durrësit. Njëkohësisht, u luajtën pjesë të Dan Dediu dhe Max Bruch. Dy pjesë të këtij koncerti ishin premierë, ku loja e të treve ishte në harmoni.

  Arben Llozi (Violë)

Koncerti Trio Akademike është një koncert në vazhdimësinë e koncerteve të këtij grupi tresh që ka filluar që në 2001-n, dhe në fakt në këtë koncert ne promovuam dy premiera për herë të parë në Shqipëri, dy premiera absolute, të një kompozitori rumun dhe të një kompozitori  gjerman.  Mua më ka bërë shumë përshtypje,  fakti që në Durrës është hapur një qendër e re kulture nga një aktivitet privat, që i ka kushtuar një rëndësi dhe hapësirës së madhe artit dhe kulturës dhe ftesa që na është bërë ne e pranuam me shumë kënaqësi, vetëm duke u nisur nga ky fakt. Për mua është koncerti i radhës, por që ka disa risi si ato që thashë më lart. Fakti që ky koncert bëhet në një ambient të ri, në një sallë që i përshtatet natyrës së këtij lloj koncerti, ku një shoqëri private, i hap dyert kulturës, për mua është një ngjarje artistike shumë e rëndësishme.  Në këtë koncert, pashë shumë njerëz që i njihja si muzikantë, aktorë, shkrimtarë, pasi ishin njerëz publik. Ndryshe nga shumë koncerte pashë një publik shumë të zgjedhur, që e duan muzikën dhe që mua më krijuan njëfarë emocioni. Ishte një kënaqësi, ku ne u munduam të japim maksimumin në lojën tonë, aq më tepër kur flasim se dy prej interpretimeve tona ishin premierë dhe çdo premierë ka vështirësitë dhe bukuritë e veta. Tek ky aktivitet u pa një lojë korrekte, aq më tepër që ne përbëjmë një formacion të llojit të veçantë, një formacion risi, që ka tërhequr vëmendjen. Ka shumë lloj formacionesh të tjera, kuartet haqesh, apo formacione pianoje me të tjera vegla muzikore, kuartete me piano, por  klarinetë, piano, violë, është hera e parë që formohet një formacion me këto 3 vegla muzikore.  Edhe pse ne jemi të parët që e formuam ende nuk ka një formacion të ngjashëm. Në botë njihet ky lloj formacioni, por në Shqipëri jo.  Dy nga kompozitorët që ne luajtëm janë romantik, ku kemi edhe hark, edhe frymë edhe piano. Një kombinim interesant që nuk ka krijime për këtë lloj formacioni në Shqipëri dhe i vetmi krijues është Fatos Qerimi. N.q.s ka shumë kompozitorë të huaj, romantikë, apo  klasikë, apo kontemporanë, që kanë shkruar për këtë lloj trioje, në Shqipëri është vetëm Fatos Qerimi që ka shkruar.

Viola dhe roli i saj

Viola është një nga instrumentet më të përdorshëm. Në një kuartet kurrsesi nuk mund të mos jetë viola si vegël. Ashtu si dhe në një orkestër simfonike nuk mund të konceptohet pa violat. Ose më mirë të themi se, viola është nëna e të gjitha instrumenteve. Para 400 vjetësh, para se të zbulohej violina, të gjitha veglat e kësaj natyre quheshin violë. Pastaj u bë violina që është viola e vogël dhe violonçel që është viola e madhe. Si më të reja violina dhe violonçeli morën një përhapje të madhe. Në shekullin e xx, violës i është krijuar shumë hapësirë  nga kompozitorët e mëdhenj botërorë.

 Merita Rexha Tërshana (piano)

 Koncerti trio akademike, duke pasur parasysh se ka mbi 12 vjet që është formuar, kemi vite që luajmë dhe japim koncerte të ndryshme. Por mbas një shkëputjeje 4- vjeçare ju rikthyem sërishmi ëndrrës tonë. Koncerti i fundit, ishte një koncert kryesisht me muzikë gjermane, Reinecke dhe Bruch, ku ne luajtëm në unison pasi e kuptojmë mirë njëri -tjetrin, kemi të njëjtën gjuhë, një bashkëpunim i frytshëm. Ky koncert u zhvillua në Durrës, një qytet artdashës, ku unë vij me shumë kënaqësi, pasi është  qytet me atë kulturë si Tirana, afër detit që të romantizon dhe loja jonë u pëlqye nga publiku. Ky ishte një repertor i ri për publikun e Durrësit, pra  diçka e re e për të gjithë, si një muzikë dhome krejt e veçantë, që shënoi dhe hapjen e koncertit pranveror dhe në Durrës nga ana jonë. Jam i mendimit që koncerte të tilla janë shumë të dobishme, iniciuese dhe që i lidhin më shumë njerëzit me muzikën. Pjesët u duartrokitën të gjitha, pasi ishin pjesë të zgjedhura dy prej të cilave premierë.

 Ermir Dizdari (Dirigjent)

 Koncerti i fundit i trios akademike Fatos Qerimaj (klarinetë), Arben Llozi (Violë) dhe Merita Rexha Tërshana (Piano), përbën një risi për qytetin e Durrësit, për vetë llojin e këtij formacioni të veçantë, por edhe për pjesët e luajtura. Nëpërmjet aktivitetit që ata kanë për 12 vjet, nëpërmjet llojit të muzikës dhe kompozitorëve që vunë në skenë, ata sollën diçka befasuese përpara publikut të zgjedhur të Durrësit.

Repertori i tyre i veçantë që kanë formuar dhe këtë trio, këtë radhë u organizua në prag të Festivalit që ata kanë  në Tiranë.  Kompania “Sigal” ndoshta me hapjen e Klubit të Artit dhe të Kulturës në Durrës, i solli një risi këtij qyteti. Një koncert i tillë i këtij Klubi mund të organizohej vetëm në këtë mënyrë. Kjo qendër  është formuar që të mblidhen shkrimtarët, gazetarët, poetët, muzikantët, piktorët, skulptorët, pra që të takohen artistët dhe të japin mesazhet e tyre. Pikërisht ky koncert i veçantë ka shumë mbresa tek intelektualët durrsakë. Këto lloj koncertesh gjithmonë janë mbresëlënës, aq më tepër kur organizohen jashtë Tiranës.