MSc. Albert Habazaj: “10 Shqiponjat e Tërbaçit” – një grup lab unikal në Qarkun e Vlorës dhe në Labëri për në Gjirokastër, 2023

212
Sigal

MSc. Albert Habazaj

Studiues i Etnologjisë dhe Folklorit, Drejtues artistik i Grupit

Paraqitje

Grupi folklorik “10 Shqiponjat e Tërbaçit” është një ansambël i veçantë popullor, autokton në krahinën etnografike të Labërisë, që dallon për autenticitetin, si dhe për natyrën lirike dhe liriko-epike në interpretimin e këngës labe dhe valles së kënduar labe, hedhur me 2 këmbë (hapa), 3 këmbë, asaj dyshe apo në vend.

10 Shqiponjat e Tërbaçit kanë identitet, dinjitet dhe integritet, kanë vlera shpirti për edukimin artistik, moral dhe estetik të njerëzve. Ato rrezatojnë mirësi, ëmbëlsi, elegancë dhe kanë karakter të fortë, duke e merituar të quhen stërmbesa të Miro Tërbaçes me histori e këngë. Ato janë misionare të traditës më të mirë e të bukur të stërgjyshëve, gjysheve, nënave dhe të visareve të tyre, se sot janë gjyshe të mrekullueshme dhe aq të dashura për mbesat e nipërit nëpërmjet ninullave, këngës dhe valles së kënduar labe, sipas stilit muzikor të Tërbaçit në variantin grarisht. Emri i tyre është 10 Shqiponjat e Tërbaçit dhe askush nuk mund t’u vendosë emër tjetër. Ato kanë synime të larta për të dhënë vlera të tjera të folklorit burimor, se janë fisnike, ato nuk tuten nga bota e ujqërve, e sfidojnë atë dhe fluturojnë lart. Ato kanë simbolin e tyre – Flamurin e Ansamblit 10 Shqiponjat e Tërbaçit” dhe janë flamurtare të emancipimit shoqëror jo vetëm në Vlorë e Labëri, por në mbarë hapësirat shqiptare.

Identiteti i një grupi unikal

Grupi folklorik “10 Shqiponjat e Tërbaçit” është një grup lab unikal në qarkun e Vlorës dhe në Labëri. 10 Shqiponjat e Tërbaçit kanë identitet, dinjitet dhe integritet, kanë vlera shpirti për edukimin artistik, moral dhe estetik të brezave.

Ato janë misionare të traditës më të mirë e të bukur të stërgjysheve, gjysheve, nënave dhe të visareve të tyre, se sot janë gjyshe të mrekullueshme dhe aq të dashura për mbesat e nipërit nëpërmjet ninullave, këngës dhe valles së kënduar labe, sipas stilit muzikor të Tërbaçit në variantin grarisht. Emri i tyre është 10 Shqiponjat e Tërbaçit dhe askush nuk mund t’u vendosë emër tjetër. Gjithçka e kanë arritur pa dorën e askujt në krahë, për të mos thënë që, jo rrallë herë u kanë zgjatur pëllëmbën, por Shqiponjat nëna e gjyshe i kanë qortuar, veçse nuk i kanë mallkuar.

Edhe veshjen e re popullore, kostumin kombëtar ceremonial ardhur si kulturë materiale popullore që nga stërgjyshet, gjyshet dhe nënat tërbaçiote, të paktën qysh nga shek. XVII, sipas historikut të Tërbaçit, dhe pasuruar sipas kujtesës nga nënat e gjyshet e tyre, mundësive vetiake dhe këshillimeve si grup, me të cilën zbukurojnë natyrën edhe në fotografinë ku jam dhe unë me to, vetë e kanë bërë pa asnjë ndihmë financiare. Dhe nuk kërkojnë.

Me këtë kostum do të ngjiten në Kalanë e Gjirokastrës me ninullën e djalit “Qumësht blete, mjaltë zgjoi” në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, më 25 qershor 2023 me grupet e përzgjedhura të qarkut të Vlorës.

Ato nuk duan mburrka, se nuk i ngrënë dot. Ato duan vlerësim real, dashamirësi për vlerat që na falin. Psikologjia maskiliste, xhelozia e murme, egoizmi provincial, ironitë e thartuara i bëjnë më të forta në përballjen me sfidat e padëshiruara, por të pashmangshme.

Ato bëhen Amazona e luftëtare të guximshme dhe të zonja ndaj kujtdo që synon copëtimin, infenktimin apo shkatërrimin e kapitalit të kulturës materiale dhe jomateriale ardhur furtunash me bekim nga të parët tanë; e ruajnë atë si sytë ballit, këngën dhe vallen popullore të trevës e fshatit të tyre e praktikojnë vetë; e pasurojnë brenda shtratit; e përhapin për kënaqësinë e tyre dhe që të hyjë në zemrat e komunitetit e sidomos që brezat e rinj ta pëlqejnë atë dhe, kështu, ky visar tradite të vijojë udhëtimin si stafetë shpirti…

10 Shqiponjat e Tërbaçit kanë karakter të fortë qytetar dhe artistik, ato janë Apel Civil për emancipimin e shoqërisë sonë të vogël, për të përparuar duke u përmirësuar në koncepte, në veprime, në punë të mira, të dobishme, të bukura.

Ato, me zërin e ëmbël, me ngjyrat magjike të veshjes, me elegancën e paraqitjes janë sinonim i Zanave të Mira të Malit. Ato janë shpëtimtare të vlerave të kulluara të shpirtit popullor të fshatit të tyre e ndoshta më gjerë, që persona të ndryshëm kërkojnë t’i turbullojnë, pa dashje a me qëllim duan t’i hedhin në përrua e t’i marrë lumi.. Ato janë sakrifica e shpirtit fisnik e të paepur të nënave labe, ato kanë synime të larta për të dhënë vlera të tjera të folklorit burimor, se janë fisnike, ato nuk tuten nga bota e ujqërve, e sfidojnë atë dhe fluturojnë lart.

Ato të emocionojnë me interpretimin e këngëve dhe valleve lirike të traditës dhe të kohës që jetojmë dhe na regjistrojnë në kujtesë imazhe aq të bukura, të dëlira e të kulluara, sepse janë artiste në shpirt, në zë, në mimikë, në paraqitje, në vlera e virtyte; identitet shpirti i Tërbaçit tonë të Madh, që na ka dhënë aq shumë dhe ne duhet t’i japim përditë, sadopak. Repertori i tyre rrok me mjeshtëri njësi folklorike të tri ndarjeve të veçanta të poezisë popullore: së pari e më së shumti të natyrës lirike, më të rralla të gjinisë epike, si dhe të natyrës liriko-epike dhe më pak epike-lirike. Nga gjinia epiko-lirike, në repertorin e tyre ka balada realiste, ku vërtet zotëron epizmi, por krahas ka edhe shumë elemente të natyrës lirike, ku trajtohen norma moralo-zakonore, të cilat kanë një raport të caktuar me historinë; po ashtu ka edhe këngë të epikës historike. Siç u shprehëm, se ashtu është e vërteta, së shumti ka këngë e valle të poezisë popullore lirike, ku natyrshëm janë ato të lirikës familjare, nisur me këngët e lindjes e të djepit [ninullat (për nipin e mbesën)]; këngët e dasmës, sidomos të vajzës labe, tërbaçiote; vajet, këngët e përvajshme (elegjitë), ka lirika shoqërore, këngë e valle të dashurisë, këngë e valle për nizamët e kurbetin, këngë të motmotit etj.

Faleminderit nga zemra për gjithçka të virtytshme që keni dhënë për folklorin dhe etnologjinë e Tërbaçit tonë të dashur, ju, o “10 Shqiponjat e Tërbaçit”: Shpresa Çelaj Kapo , Liri Gacaj Shkurtaj , Hava Muçaj (Hava Çelaj Muçaj), Antoneta Mehmetaj (Antoneta Goxho Mehmetaj), Liljana Kapaj (Liljana Rrapi Kapaj), Meme Ribaj Habazaj , Evgjeni Seferaj (Evgjeni Habili Seferaj), Lavdie Goxho Xhakaj, Fatmira Hodo Skendaj dhe Flutura Nanaj!

Mirënjohje, motra! Vlerësojeni veten, duajeni veten dhe njëra-tjetrën si veten, se bota e ujqërve është jo vetëm e egër, por barbare. Bishat e shqyejnë prenë që zënë, por 10 Shqiponjat e Tërbaçit fluturojnë lart në hapësirat etnofolklorike!

MIRËNJOHJE dhe urimet më dashamirëse të merituara për në Gjirokastër dhe më tutje, brenda dhe jashtë Shqipërisë!

Urimet janë motivim dhe përgjegjësi

Mendoj se është 100 herë më mirë kur shkruajnë të tjerët të vërtetën për vlerat e grupit, se sa vetë. Nga shumë miq, dashamirës, të njohur, poetë, shkrimtarë, artistë, intelektualë dhe qytetarë, tek tuk a ndoshta vetëm nga një politikan kemi marrë urime të shumta dhe fjalë vlerësuese të shkallës më të lartë të mundshme, por ne nuk e harrojmë shprehjen antiverbuese të Shkodranit “Me t’hy vedi n’qef”. Tej dëshirës dhe dashamirësisë së tyre, ne dimë t’i redaktojmë korrektësisht superlativat urimore të ngarkuara me mbiemocione. Por, patjetër, fjala e tyre është inkurajuese për ne, si grup autokton dhe i pandashëm për paraqitje gjithnjë e më dinjitoze të folklorit të pastër dhe motrës së tij të hijshme – etnografisë tradicionale të fshatit tonë, sepse na e shprehin me shpirt urimin. Fjala e tyre na jep më shumë forcë e besim për synimet e larta që i kemi vënë vetes për traditat më të mira të të parëve tanë, na bën më optimistë për Udhëtimin …

Sidomos një urim nga tanët sikur na ngroh. Patjetër dhe na bën më të përgjegjshëm.

Dhe urimet e tyre na japin ndihmesën e nevojshme në rrafshin e ruajtjes dhe përcjelljes në breza të vlerave të kulturës popullore, sepse uruesit përmbushin katër cilësi: ka intelektualë të angazhuar për ideale të larta, ka atdhetarë të përkushtuar, ka artistë popullorë të devotshëm e me shpirt krijues dhe të gjithë si qytetarë të përgjegjshëm dhe me ndjenja dashamirësie e krenarie për këto artiste popullore të veçanta në këtë kohë veçanërisht të vështirë. Po përmend disa prej uruesve tanë të çmuar:

Ilirian Ali, aktor i teatrit “Petro Marko”, Vlorë: “Ti dhe grupi i Shqiponjave jeni vlera, që shkallë – shkallë po ngjiteni në panteonin folklorit të traditës”.

Piro Bregaj, marrës i grupit të Kaninës, auditues: “Urime për 10 Shqiponjat/ Mes tyre ideatori,/ Ato nëna, gjyshe e zonja/ Sa lezet u ka folklori./ Lum kush ve gur themeli,/ Në këngën e bukur labe,/ Mbete i palodhur Berti,/ Në Historinë e Tërbaçëve”.

Noke Abilekaj, mësues, shkrimtar (tërbaçiot në mërgim): “Krenari. I japin frymë Tërbaçit, që po shteron. U japin jetë eshtrave të paraardhësve”.

Mihal Selimaj, artist popullor, biznesmen Smerald: “Urime për gjithë cilësitë e grupit”;

Sokol Qemal Xhaka, mendimtar: “Shqiponja tërbaçiote lind vetëm tek vetëtima e malit të Çikës”.

Bashkim Canodemaj, intelektual, artist popullor (në mërgim në Belgjikë):Respekt për këto bija të Labërisë, Tërbaçit që mbajnë në këmbë këngën dhe vallen grarishte tradicionale dhe e përfaqësojnë atë denjësisht. Respekt për pasionin dhe sakrificën që bëjnë me dëshirën që Labërisë të mos i mungojë asnjëherë Kënga si dikur në luftë ashtu edhe sot në paqe. Ju uroj sukses në Festivalin mbarëpopullor ku shpaloset vlera e shpirtit të popullit tonë për jetën!”

Elma Rama, poete, shkrimtare, drejtoreshë e Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj”, Vlorë: “Suksese zonjave të përkushtuara dhe plot talent. Ato janë të gjitha nëna dhe kjo i jep më tepër vlerë e fisnikëri misionit të tyre si bartëse dhe përçuese të traditës. Respekt dhe mirënjohje!”

Ritvan Hodaj, kthyes i grupit Jehona labe”, ndër artistët e rinj shumë të devotshëm për këngën: “Respekte për angazhimin dhe për vlerën që ju trashëgoni brezave të ardhshëm!”

Bejushe Barjamaj, mësuese, marrëse dhe përgjegjëse e grupit “Krojet e Velçës”: “Shumë suksese atyre zonjave, që me shpirt bëjnë këtë rrugë sa të lodhshme, aq edhe të bukur! Të pa lodhur qofshi e me këngë!”. Natyrisht dhe sinqerisht që të vjen mirë fjala e artistit, ndoshta më shumë se dashamirësit e shumtë, se bota e artit ka dhe sa labirinthe… Prandaj i them dhe publikisht Bejushes: Faleminderit për urimin! Vlerësim për ju dhe përkushtimin tuaj me grupin “Krojet e Velçës”. Je artiste e lindur dhe ti e di ç’domethënë sakrificë shpirti, ç’domethënë disiplinë artistike, ç’domethënë konkurencë në këtë kohë. Përfaqësim dinjitoz dhe për ju në Gjirokastër dhe së bashku me grupet e tjera të qarkut të Vlorës të nderojmë folklorin dhe etnografinë e qarkut tonë!

Myrvete Beqaj (Voçi), marrëse e këngës labe, këngëtare e njohur e muzikës popullore: “Suksese, urime, grup i vetëm, me zonja të nderuara dhe udhëheqës artistik profesionist”. Duke e falënderuar për vlerësimin, i kujtoj Voçit që edhe bota e artit paska luftë të ashpër dhe i shpreh mirënjohjen për ndihmesën e madhe në ruajtjen dhe pasurimin e vlerave të folklorit tonë, të muzikës aq të bukur popullore që ajo na dhuron, si dhe të përvojës së gjatë në Udhëtimin e bukur po aq të vështirë të artit popullor, së bashku me poetin e teksteve që këndon, të urtin bashkëshortin e saj Maliq Beqaj! Dhe Voçi ma kthen: “Faleminderit për vlerësimin, jam krenare që me këngët që kam përcjellë dhe me tekstet e bashkëshortit tim, kam marrë mirënjohjen e publikut dhe vlerësimin nga profesionistë dhe njohës të polifonisë dhe folklorit, përtej intrigave dhe mohimeve të një pjese të korruptuar dhe me antivlera, që janë aty se dinë të vjedhin dhe manipulojnë jo se japin vlera, por se dinë të servilosen, të mashtrojnë dhe të shtrembërojnë dhe pse janë në minorancë, që aq e ndjeshme është sa të heqësh një pikë uji në det, ju uroj suksese, shëndet dhe mirësi.

Ja dhe urimi i Bejkës së Bardhë, asaj të vërtetës së homerikut tonë Lefter Çipa, marrëses lirike të Grupit të Pilurit në vitin 1973, mësueses dhe poetes Vasillo Koka: “Urime, gjithmonë urime, o lezeti i grave të Labërisë. Një pasqyrë e ndritur e gjysheve, nënave, motrave dhe bijave tona”. Ëmbëlsira e zërit të saj me elegancën e vargut poetik që thur frymëzoftë 10 shqiponjat e Tërbaçit, artistët popullorë të Qarkut të Vlorës, artistët shqiptarë e më shumë!”

Levzat Kamaj, ish – ushtarak i lartë: “Përshëndetje e suksese më lart e në hapësirë, sepse kështu fluturojnë shqiponjat”.

Kanan Canodemaj, poet, monografist, studiues ushtarak: “10 Shqiponjave të Tërbaçit” dhe drejtuesit te apasionuar te tyre Albert R. Habazaj i urojmë suksese në këtë event kombëtar. Çdo gjë deri tani e kanë arritur me pasionin, punën dhe përkushtimin e tyre në të gjitha drejtimet. Bravo, urime suksese!”

Eqerem Canaj, mësues, shkrimtar, poet, kritik letrar: “Suksesi juaj, suksesi i Labërisë së emancipuar. Urime!”

Riza Rrokaj, ish – ushtarak i lartë nga Tërbaçi: “Suksese motrave tona dhe drejtuesit të tyre, të aftë, këmbëngulës dhe krijues. Është dëshira e tyre dhe përkushtimi i Albert Habazajt që i dhanë emër atyre dhe Tërbaçit. Ndofta janë të vetmet që do zbukurojnë kalanë historike prej një grupi që përcjell historinë”.

Neshet Jolanda Lekaj, ekonomist: “Shumë urime për “10 Shqiponjat e Tërbaçit”. I vetmi grup karakteristik që ruan vlerat folklorike të zonës dhe përpiqet pa fund t’i promovojë ato”.

Ruzhdi Bajrami, mësues, poet, historian, drejtues artistik i grupit të Bolenës: “Suksese 10 shqiponjave të Tërbaçit në kalanë e Gjirokastrës, më 25 qershor 2023! Është i vetmi grup femëror në Vlorë që do të pasqyrojë vlerat më të mira të folklorit lab të grave të Labërisë”.

Albana Xhakaj , juriste: “Këto janë nënat dhe gjyshet më të mira në botë. Jemi shumë krenarë për çdo arritje tuajën dhe mezi presim t’ju shohim në skenë. Suksese!”

Rashel Solomon, poete shqiptaro-izraelite: “Great job. Suksese grupit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”. Votën time së bashku me zemrën e keni fituar. Respekt”

Diana Ribaj, marrëse e shquar e këngës së grupit të madh të Tërbaçit, që shkëlqeu në FFK të Gjirokastrës me këngën “U bë shamikuqe Bramyshnja lëndinë” me grupin e vajzave të Mesaplikut, ish- nxënëse të shkollës së mesme “Laze Nuro” Brataj, bashkëkrijuese e grupit “10 Shqiponjat e Tërbaçit” (emigrante në Greqi): “Shumë suksese këtyre zonjave që kur dalin në skenë ndrin si rreze dielli, me zërin dhe këngët e tyre të mrekullueshme, falë drejtuesit Bertit. Ju uroj sa më shumë vullnet për këngë të reja. Rruga Juaj nuk ka fund”.

Festim Gjikaj, emigrant tërbaçiot në Itali: “Suksese këtyre nënave e gjyshe që mbajnë lart traditën”.

Vullnet R Sinaj (deputeti i Vlorës), i vetmi deputet që tregon vëmendje ndaj nesh: “Një grup i veçantë me shumë vlera. Respekte!”. Është një urim pa interes që, me respekt, më detyron t’i kthej këtë përgjigje: Faleminderit deputeti ynë për fjalët e mira, se je vetë i mirë e fisnik, ndryshe nga jo pak lartësorë që (e njohin vetveten ata, por jo më pak ne i shohim…Edhe fjala e mirë është inkurajim moral për ne, se na mbush me besim për Udhëtimin tonë etnofolklorik hapësirave të këngës dhe valles labe.

Yzeir Llanaj, artist popullor, “Mjeshtër i Madh”, president i Festivalit Ndërkombëtar “BylisPolifonia”: “Urimet më të mira për grupin folklorik të “10 Shqiponjave” Tërbaçiote, që shkëlqejnë duke u ngjitur majave, si një ansambël i kompletuar me këngët, vallet grarishte tradicionale, ku më bukur, për veç këngëve dhe valleve, reflekton kostumografia karakteristike e tyre! Urimet më të përzëmërta Ansamblit me në krye pasionantin e palodhur dhe pasuesin e të madhit Kujtim Micit, Albert Habazaj!”

Fadil Shehu, ish-ushtarak i lartë, këngëtar popullor, alpinist: “Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit” është unik në llojin e vet që përcjell te spektatori dhe dëgjuesi meloditë më të mira të këngës dhe valles labe në variantin grarisht. Këngët dhe vallet e këtij grupi janë dëgjuar e parë në dhjetra skena brenda dhe jashtë vendit dhe në aspektin e përcjelljes së melodisë ka ardhur gjithmonë në rritje.”

Një njeri i ditur, i mirë dhe zemërbardhë, ndër njohësit më të vjetër që unë njoh në Vlorë, ndër më të shquarit deri në imtësitë folkorike dhe etnografike të çdo grupi të fshatrave të Labërisë së Vlorës e më gjerë, një diamant i Bratit të Urtësisë së Mençur të Pleqve të Bratit me histori e gjykim,  Petrit Brokaj shprehet: “Unë e besoj atë që thua se, jehona e tyre e ka kaluar kufirin lokal. Dhe, ti ke merita të pa diskutueshme. Urime”

Mësuesja jonë aq e mirë në shkollën 8-vjeçare “Halim xhelo”, Tërbaç, që ne e respektonim aq shumë, intelektualja vlonjate, diplomatja Natasha Llanaj Përpunja shprehet: “Shumë urime dhe suksese “10 Shqiponjave të Tërbaçit”! Faleminderit juve që jeni bërë model i dashurisë dhe krenarisë kombëtare!

Poeti dhe ushtaraku Fako Aliaj shkruan: “Prezantim i denjë i vlerave të grupit, me thellësi mendimi e modesti vetiake nga Berti i palodhur, si mjeshtër i fjalës së bukur e shpirtit të gjerë, lartëson traditën e pasur folklorike të Tërbaçit dhe krahinës sonë… Urime dhe suksese në Festival!”

Hasan Aliaj, drejtor i gazetës “Rrënjët/ Le radici”, Romë na shkruan: “I nderuar Albert, me sa ke shkruar për 10 shqiponjat meriton respekt e admirim, sepse keni ditur të gjeni formën e duhur për t’i lartësuar shqiponjat e Tërbaçit, të cilat do të na dhurojnë në këtë Festival momente të papërsëritshme. Urime e suksese pa fund!”

Gjena Kicaj Lelo, ushtarake e lartë, artiste popullore, shqiponjë Çike që fluturon mbi Çipin, bijë Tërbaçi, nuse në Mesaplik, e shoqja e këngëtarit të shquar popullor Tomor Lelo, Mjeshtër i Madh”, president i Ansamblit Çipini”: “Ju meritoni shumë Berti bashkë me 10 shqiponjat, se sot është shumë e vështirë të mbash në këmbë një grup dhe të përcjellësh vlera. Suksese në festival motrat e mia!”. Evgjenia na përcjell dhe vargjet e urimit që na ka thurur mjeshtri Lelo: “Ju motra shqiponja/ Rritur mbi shkëmbonja,/ Bija edhe nuse/ Tërbaçjote zonja,/ Çika dhe Stogoi/ Brezat i bekoi,/ Vatra tërbaçjote/ Virtytet mëkoi,/ Nektarin e këngës/ Na dha gjiri nënës,/ Nënat ball’ ergjënda/ Lar’ në drit’ të hënës,/ Këngët burojn’ fshaçe/ S’pranojnë haraçe,/ Emblem’ krenarie/ Mirua e Tërbaçe/. Këngën ton’ me drit’/ Të mbrujtur në shpirt/ Për nipër e mbesa/ Do ta lem’ traditë”.

Mësuesja Lejla Gorishti, korrektore, redaktore dhe mjeshtre e arsimit bën urimin: “Punë e shkëlqyer. Një zë i fuqishëm që na bën krenarë në botë”. E si mos t’i shprehim Mirënjohjen mësueses për urimin që sa na gëzon, na detyron për kërkesa më të forta artistike dhe synime më të larta për ruajtjen, paraqitjen dhe tejshpurjen e traditës më të mirë etnofolklorike në breza.

Fiqirete Rrapaj, emigrante në Itali: “Komplimente të gjithave atyre zonjave të rënda që prezantojnë jo vetëm folklorin e Labërisë, por edhe karakterin e fortë e të emancipuar të vajzave tërbaçiote.

Petraq Pali, poet, shkrimtar, i biri i poliglotit Janko Pali nga Qeparoi: “…jeni të pa arritshëm”.

Apostol Bashaj, fotograf, poet popullor: “Shqiponja të vërteta lindur në Tërbaç, por janë shqiponja labe. Ato krenojnë Labërinë, por jashtë kufijve Shqipërinë”

Dr. Neki Dredha, mjek, poet: Tej, te kopshti edenian/ Vallëzojnë shtojzovallet,/ Mëkuar nē Akrokeran,/ Sofrën e lashtë zeusiane./ Këngë e valle perëndie,/ Atje mbi Lumin e Vlorës/ Ku zgjon pamje bukurie,/ Qyteti i lashtë i Horës”.

Neil Ruçi, ushtarak, artist me vlera dhe njeri me shpirt të madh: “Urime dhe sukseset tek ky grup do të jenë të pranishme, sepse janë të mbështetura në tabanin tonë me doket e zakonet dhe një meritë të veçantë kini ju, mjeshtër. Respekte”

Malko Durmishi, inxhinier, shkrimtar humori, fotograf me studio: “Rroftë e përparoftë grupi i mrekullueshëm “10 shqiponjat e Tërbaçit”, gjithashtu dhe ti Berti, si njeri e si organizator korrekt, i përkushtuar dhe i palodhur!”. Të ngroh zemrën dhe të motivon urimi i një intelektuali të tillë, njeri me vlera të larta, artist me shpirt sa deti, kritik i ashpër ndaj antivlerave, dashamirës te zoti ndaj vlerave”.

Flora Agolli, ekonomiste, veprimtare, artiste, Tiranë:“Keni në mision një perlë, siç është kjo polifoni, këngë vënçe dhe emblema e Shqipërisë në UNESKO”.

Prof.dr. Ago Nezha “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, kryetar i Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Labëria” – “Nderi i Kombit” uron: “Shqiponjat flutrojnë lart, paçi sukses e fat”.

Vito Shirokaj Veraj, anëtare themeltare dhe hedhësja e parë e grupit, larguar për arsye shëndetsore në Itali,  të cilës i urojmë shërim të shpejtë dhe rikthim në gjirin e grupit, shprehet: “Suksese grupit të sakrificës”.

Janë të shumta urimet e ato burojnë të pastra si gurrë, si vetë kënga dhe vallja e “10 Shqiponjave të Tërbaçit”, por ne kaq përmblodhëm për lexuesin e gazetës “Telegraf”. Fjala e parë dhe e fundit për të gjithë ata që na duan dhe na vlerësojnë është mirënjohja.  Urimi i tyre na motivon, na frymëzon dhe na ngarkon me përgjegjësi shpirtërore – artistike më të mëdha.