Sot është 300 vjetori i lindjes të Adam Smithit, njeriut, që njihet edhe si “ati” i shkencës ekonomike. Ai jetoi në epokën e Revolucionit industrial, që lindi fillimisht në Angli në fillimet e shek 18-të dhe u bë interpreti më i shquar doktrinar i interesave të saj ekonomike. Ekonomist, filozof, sociolog, këshilltar politik, ishin disa prej angazhimeve të tij që, të marra së bashku, e bënë pamëdyshje një prej personaliteteve më të mëdha të njerëzimit.
Hapja e tregjeve, tregëtia e lirë, pa pengesa, e mallrave, kapitaleve, njerëzve dhe ideve, ishte interesi parësor dhe justifikimi moral i shtrirjes të pamatë të Perandorisë britanike koloniale në një hapësirë ku “dielli as lindëte dhe as perëndonte kurrë”. Filozofia e Liberalizmit, nën dogmën “Laissez faire” ndonëse i dha një shtysë të paimagjinueshme zhvillimit ekonomik, njëherazi thelloi ndjeshëm pabarazitë mes kombeve dhe njerëzve dhe ishte preludi i lindjes të doktrinave të Socializmit dhe Komunizmit, të revolucioneve të ardhshëm sociale në mbarë botën. Për pasojë rolin çudibërës të Tregut, një shekull më pas, do ta zinte Shteti (Leviatani), që kulmoi me “Pronën e përbashkët dhe Ekonominë e centalizuar”, dhe që pas solli frikshëm skllavërinë me rrogë të shek.20-të (marksizmi). Pas L2B, koha tregoi se e ‘mesmja e artë’ gjendet diku mes tyre, tek Ekonomia Sociale e Tregut, që harmonizon më mirë interesat e Kapitalit me ato të Punës, ndonëse ende sot Neoliberalizmi mbetet një doktrinë alternative e interesave të Perandorisë amerikane.
Ja një pasazh kuptimplotë nga vepra e tij madhore – “Pasuria e Kombeve”
“…Ne nuk presim që tryeza jonë të shtrohet në sajë të mirëbërësisë të kasapit, të prodhuesit, të birrës apo të bukëpjekësit, por nga kujdesi, që ata tregojnë për interesin e tyre personal. Ne nuk i drejtohemi njerëzisë të tyre, por dashurisë, që ata kanë për vetveten dhe kurrë nuk u flasim për nevojat tona, po për përfitimet që mund të nxjerrin…”