Mimoza Gjoni: Nuk e mendoj flirtin, jam tradicionale

594

 INTERVISTA/ Flet këngëtarja e këngës popullore, Mimoza Gjoni

Sapo është kthyer nga një turne në Gjermani dhe ndihet shumë e kënaqur. Ky vend për të është ndër më të pëlqyerit. Ndoshta është vendi, ku ajo qëndron më gjatë pasi ftesat të tilla janë. Fill pas Gjermanisë kërkesa e radhës është në Maqedoni. Ndoshta kohët e fundit ajo është ndër këngëtaret që ka rritur ndjeshëm repertorin. Në treg s’mund të gjesh asnjë CD të saj, pasi cilësia e të kënduarit ka bërë që të jetë tepër e kërkuar. Po të shohësh me vëmendje repertori i saj përmban këngë popullore të të gjitha trevave të Shqipërisë, ku mbizotërojnë këngët popullore të Shqipërisë së jugut dhe Shqipërisë së Mesme. Në bisedë ajo tregohet e sinqertë, ku thekson se, fillimet e saj të të kënduarit ajo i ka me këngët polifonike, kur këndonin në shtëpi familjarisht, pasi origjina e saj është nga jugu. Kujdeset shumë për linjat ndaj lëviz shpejt, por  nuk e tepron as me pijet as me ushqimet duke ruajtur linja të rregullta.

 A votoi Moza?

As mos e vë në dyshim. Vota është përgjegjësi qytetare. Kurrë nuk kam qenë jashtë votimit. Madje, shkoj qysh në mëngjes.

 Mos vallë keni menduar të merreni me politikë?

S’e besoj. Por jetës nuk i dihet. Kërkesa kam pasur, por s’jam e përgatitur për të qenë pjesë e politikës.

 Kush ju pëlqen nga politikanët shqiptarë?

Ah, këtu, s’jap përgjigje. Unë jam këngëtare dhe nuk dua që të kem ndarje me fansat të çdo lloj bindjeje politike.

 

Sapo jeni kthyer nga Gjermania. Si janë pritur në Gjermani këngët e fundit?

Këngët e mia të fundit që s’e kanë mbushur vitin si “Edhe ilaç edhe helm” , “Puthmë shpirt”, “Shumë e për lumë” etj…janë pëlqyer shumë. Ndoshta dhe se këto këngë janë me ritëm por dhe me poezi dashurie. Rroka tri këngë mbasi mendoj se që të tria janë pëlqyer mjaft nga publiku dhe suksesi me ‘to ka ardhur në rritje. Me këto këngë më janë hapur shumë dyer dhe me thënë të drejtën jam ndjerë mirë.

  Edhe këngët e fundit më shumë me muzikë jugore?

Pasi me origjinë jam nga jugu. Në shtëpinë time këndohej gjithmonë polifoni. Më merrte babi dhe më thoshte këndo dhe ti. Hyra mes tyre si pa u ndjerë. Për çdo ditë këndoja polifoninë labe. Këngët e para ishin “Bejke bardhë”, por dhe këngët korçare dhe përmetare. Mbaj mënd që këndoja dhe këngën “Kur më shkoje në ato varre, me fustanin zvarrë, zvarrë”, etj…apo këngën “Cupëzë ç’mu bëre ftua”.

Duke qenë e rritur në Tiranë, keni pas ndonjë këngëtare si model?
Them se kushdo ka modele në jetë. Për mua ka qenë Fitnete Rexha. Nëna ime e pëlqente shumë dhe në mëngjes para se të ikte në punë hapte radion me ton të ulët dhe dëgjonte këngët e saj. Edhe unë i dëgjoja dhe u rrita me to. Ishin këngë që dhe sot i dëgjoj, por dhe i këndoj me ëndje.

Kur flitet për Gjermaninë ju ndaloni. Sigurisht se fillimet e para si këngëtare i keni pasur në Gjermani…

 

Ç’të them? Gjermania ashtu si shumë këngëtare të tjera shqiptare ishte vendi, ku gjeta hapësirën dhe kushtet për të kënduar. Aty këngëtarja vlerësohet dhe respektohet. Shumë këngëtare aty japin koncerte dhe pse jetojnë në Shqipëri. Edhe sot shkoj vazhdimisht aty pasi kam fansat e mi. Emigrantët shqiptarë në Gjermani janë shumë të dhënë pas këngës popullore. Por aktiviteti im aktualisht më shumë është përqendruar në Maqedoni dhe në Kosovë. Janë dy treva, ku pëlqehet shumë kënga popullore shqiptare sidomos ato epike. Këto treva sidomos janë të dashuruara me këngët patriotike. Këngët më të dashura janë “A vritet pafajësia” dhe të gjitha këngët trimërore për UÇK-në. Unë i këndoj të gjitha këngët popullore shqiptare të çdo treve ndaj jam e ftuar nga jugu në veri dhe nga lindja në perëndim.

Si titullohet albumi juaj i parë dhe me kë bashkëpunuat?

Titullohet “Duajeni Tiranën” Si ta duan? Tirana po ndryshon, por bashkë me ndryshimin bëhen ndërtime pa kriter, ndërtime që kanë humbur shumë monumente historike, ndërtesa të vjetra që identifikoheshin me Tiranën. Unë kam lindur në Tiranë dhe e dua shumë qytetin tim. Tirana është zemra ime. Disa gjëra të rralla të Tiranës që janë pjesë e historisë së saj duhet t’i ruajmë. Unë në këtë album bashkëpunova me poetin Mynyr Hoxha dhe kompozitorin Adem Berati.

Mund të flasim pak për dashurinë?

Nuk e fsheh, unë kam dashuruar. Dashuria ime e parë ka qenë dhe mbetet një ëndërr e bukur. Një kujtim që sa herë e kujtoj më sëmbon në zemër. Fjalët për këtë rast janë të tepërta, zemra e ndjen më mirë se ç’duhet. Por ja që zemra s’mund të flasë. Ajo është një peshore farmacie që e mban sekret njësinë dhe sasinë e matjes së dashurisë. Kur dashuron, duket sikur një erë e fshehtë dhe e bukur të ndjek pas dhe të mbush me aromë lumturie dhe të jep forcë më shumë se ke.

Si i mbani lidhjet me kolegët?

Unë kam shumë koleg, por pak miq të afërt. Unë flas, shkëmbej mendime, pi kafe, por nuk jam shumë e hapur. Në jetë unë dua të më respektojnë, jo të më duan. Respekti të çon edhe tek dashuria njerëzore.

Mund të flasim për flirt?

Ah…Mos e vazhdo. Më duket pa bukuri. Se di…Sinqerisht nuk gënjej..

Marrëdhëniet me librin?

Lexoj kur kam kohë.  Studioj libra psikologjikë. Ato më heqin streset e ditës. Tashmë kam blerë dhe po lexoj disa libra të tillë “Si të krijojmë miq”, ‘Dëshira dhe siguria në jetë” etj…Pëlqej dhe romane me këto tema.

Gjithmonë elegante, keni ndonjë sekret?

(qesh). Jo shumë, normal. Aq sa i duhet një femre të duket e rregullt. Dal e veshur mirë dhe me një tualet konstant. Me veshjen time respektoj veten, spektatorët, miqësinë.

Rrobat i blini firmato?

S’kam një preferencë të veçantë. Shikoj vitrinat dhe ato që më pëlqejnë i blej, mjafton që të më rrinë mirë në trup.

Minifundet i përdorni?
I rrinë mirë trupit tim (qesh).

Hobet?

Kërcimi dhe kënga

Pushimet ku i bëni?

Jashtë, në Turqi ose në Itali.

Ushqimi preferuar?

Frutat, sallatat, peshku.