Lavdosh Ahmetaj: Ramadan Sokoli studiues i artit shqiptar

848
Sigal

Ramadan Sokoli studiues dhe metodolog modern dhe frymëzues i artit kulturor dhe shpirtëror shqiptar

Profesor: Lavdosh Ahmetaj dhe Yzeir Llanaj

(Me rastin e 100- vjetorit të lindjes)

Është me interes për brezin e studiuesve të sotëm, por edhe për brezin rinor, për të kujtuar profesorin shkencëtar Ramadan Sokolin, i cili nga pikëpamja e kujtesës, si frymë njerëzore, duhet memorizuar në shpirtin tonë si një margaritar i dijes dhe i kulturës shqiptare, për të rikujtuar atë, i cili arriti të shkrijë jetën e tij mbi letrat e shqipes idealiste. Për këtë mjafton të gjurmojmë, përmes letrave të folklorit shqiptar dhe nuk do të lodhemi fare, për të vështruar lehtas gjurmimet e një pune kolosale, të Profesor Ramadanit, i cili duket se ka një formim të veçante për artin shpirtëror shqiptar, i shprehur nëpërmjet folklorit tradicional shqiptar. Por, ky shkrim modest kërkon, të hulumtojë nëpërmjet studimeve të Profesorit atë, të cilën koha e në mënyrën e saj të pamëshirme kërkon ta fshijë nga kujtesa e brishtë e një rinie të dhënë pas jetës së shkujdesur dhe të përkëdhelur nga fati, e cila as nuk mund të shkojë ndërmend se, dikur ka studiuar një shkencëtar i mirëfilltë traditën kulturore dhe foklorike shqiptare, e cila fsheh në lëndën e saj, atë që koha kërkon ta harrojë. Ndërsa jemi duke shfletuar studimet e Profesor Sokolit, aty gjejmë të reflektuar qartas kthjelltësinë dhe analitikën e studimeve të tij, të cilat dukshëm kanë për objekt shpirtin dhe kulturën kombëtare. Ndërsa Profesori ynë nëpërmjet simbolikave kërkon të zbulojë shpirtin kombëtar të shqiptarit, të cilin e gjen nëpërmjet burimeve antike, duke u ndalur së paku tek shqyrtimi i anës simbolike të shfaqjeve popullore shqiptare, duke vënë në dukje nënshtresën mitologjike. Ky motiv duket se do të ketë lidhje me kultin e lashtësisë së antikitetit të Priapit, ose të Dionizit. Ndërsa, sipas Profesor Sokolit, duket se, fjalët me nënkuptime, nojmat dhe ai mekanizëm simbolik, duhet vështruar si mbetje autentike të kultit të falik, për të cilin stërgjyshërit tanë, ilirët, kishin kremtime të veçanta, pak a shumë si grekët dhe si romakët (phaloforiet). Për këtë referencat e studiuesit tonë tentojnë të na drejtojnë tek Plutarku dhe Heredoti, të cilët sipas tij, kanë lënë  mjaft studime në lidhje me këtë kult. Për më tepër Aristofani tregon për këngë licencieze që këndonte dhe interpretonte populli i thjeshtë, në rastet e atyre kremtimeve, të cilat i ndjenin shpirtërisht, sepse, dukshëm ka funksionuar kujtesa shpirtërore, e cila me kalimin  e kohës shndërrohet në filozofi shpirtërore, për të kujtuar dhe shijuar impresionin shpirtëror të një populli. Por, ajo që duket se ka një shprehje edhe me pan-albanike, e cila është e lidhur me vështrimin e Profesorit përtej kufijve politikë të Shqipërisë, duke rrokur në studimet e tij edhe vlerat historike dhe kulturore të shqiptarëve të Italisë, të cilët reflektojnë si një oaz studimor në traditën popullore me tema historike, për më tepër ato që kanë si personazh kryesor Skënderbeun. Përveç gjojëdhënave dhe këngëve, portreti i heroit tonë kombëtar i dha shkas edhe shfaqjeve dramatike, të cila me sa duket kanë lindur si produkt i vullnetit popullor, për të vështruar ngjarjet historike nga moti i madh i Arbërisë. Sipas Profesorit epika popullore shqiptare, nuk shprehet vetëm nëpërmjet këngëve të kësaj gjinie, por edhe nëpërmjet shfaqjeve. Është interesant deduksioni i Profesorit, i cili arrin në përfundimin se sot, në gjendjen e tanishme të hulumtimeve tona në këtë lëmë, nuk mund të thuhet diçka e saktë rreth zanafillës të këtyre, por mendojmë shpjegon më tej Profesori se, gjeneza do të ketë zënë fill pas rapsodive dhe gojëdhënave përkatëse, në një kohë që populli nuk kënaqej më vetëm me dëgjimin e tyre, por donte edhe t’i shikonte të mëshëruara në veprim e sipër. Ky deduksion i shkencëtarit tonë, duket se është i lidhur me të gjithë atë dialektikë studimore, e cila shprehet nëpërmjet thellësisë dhe racionalitetit studimor të artit shpirtëror shqiptar. Ndërsa, logjika shkencore e tij shkon edhe më tej, duke hedhur arsyetimin nëpërmjet fjalës ndoshta, nga rapsoditë vetë, ose nga disa këngë dialogjike, lindin këto shfaqje, ato që kanë zhvilluar elementet dramatike të përmbajtjes, nëpërmjet veprave të shkurtra e të gërshetuara me biseda. Ndërsa, nga ana tjetër, përkujtimi i ngjarjeve historike në këtë mënyrë, i dukej tërheqës popullit që prekej e ngazëllehej, kur vështronte të improvizuar figurën e Skënderbeut, i cili fliste dhe vepronte njëherësh me ushtarët e tij. Pra, sa mitik, po aq edhe popullor, dhe i shkrirë me rradhët e ushtrisë, të cilën e kishte formuar me mendjen dhe shpirtin e tij. Por, studimet e Profesorit vijnë duke u ndriçuar në kohë, që ai i referohet dijetarit arbëresh Francesk Tajani, i cili shkruante se shqiptarët e Italisë me raste përvjetorësh të fitores mbi ushtrinë shtetërore turke, japin shfaqje rreth luftrave të Skënderbeut. Improvizimi reflekton nëpërmjet dy çetave të djelmoshave të zgjedhur dhe të armatosur mirë, përfaqësojnë dy palët kundërshtare, secila çetë në drejtimin e udhëheqësve të vet, ndërsa publiku arbëresh i veshur si në rast festash ndjek me kërshëri shfaqjen dhe merr pjesë në mënyrë aktive nëpërmjet diskutimeve pas mbarimit të shfaqjes, duket sikur jemi në një amfiteatër, në të cilin ndeshen kundërshtarët, por gjithnjë duke marrë aprovimin  e opinionit të  spektatorëve në lidhje me jetën ose vdekjen e kundërshtarit, e cila reflekton një farë demokracie ushtarake, por edhe qytetare,  e cila nuk mungon në amfiteatrot natyrore shqiptare. Kjo reflekton nëpërmjet pasurimit të personazheve, episodeve dhe hollësive të reja: përpjestimet e shfaqjeve duket se vijnë duke u rritur dhe ndërlikuar, aq sa nuk mjaftonte ambienti i mbyllur, prandaj publiku i cili flet shqip, në një tokë të huaj, rrjedh natyrshëm nëpër sheshe dhe rrugë, të cilat e njohin bukur heroin tonë, që prej viteve të stuhishme të Gaetës së vitit 1451, e cila reflekton një nyje Gordiane, mes Arbërisë dhe Italisë politike, nëpërmjet traktatit të famshëm, i cili gjeti aprovimin edhe bekimin  e Papës së Romës. Por ajo tërheq vëmendjen është e lidhur me organizimin e publikut, i cili merr pjesë aktivisht në shfaqje edhe pasi ajo ka mbaruar e shprehur nëpërmjet kuvendimeve të pleqësisë, e cila ka tagrin e gjykimit të ngjarjes. Kjo është interesante edhe nga pikpamja jo vetëm zakonore, për me tepër edhe shtetformuese, sepse Skënderbeu ka ditur të shfrytëzojë, për organizimin  e popullit kuvendin pleqëror, nëpërmjet kuvendeve të hapura dhe odave. Kjo reflekton sensin politik të kulturës shqiptare,  e cila, nuk mungon të reflektohet nëpërmjet referencave të Profesor Sokolit. Studimet pasurohen edhe nëpërmjet shkrirjes së figurës së Skënderbeut në rastin  e pas betejave, të cilat shprehen nëpërmjet studimeve të Francesk Tajanit, të cilat janë studiuar me kujdes nga Profesor Sokoli: “Kastrioti pasi përgatit lojna gjithfarësh, me bukurinë asaj shprehje e rriti në mënyrë të çuditshme vetë famën e fitores skënderbejane, saqë në dukje, krijohet përfytyrimi sikur kishte një ushtri të re në Krujë, kaq shumicë e madhe kishin ardhur nga çdo anë, jo aq shumë spektatorë, sa një rini e gëzueshme, që priste të merrte çmimet e merituara. Studiuesi ynë me kthjelltësinë e tij, e cila e karakterizon dukshëm, i referohet edhe një studiuesi tjetër, i quajtur Bilota, në një dorëshkrim folklorik të vitit 1894, i botuar pjesërisht nga arbëreshi Emanuel Giordano, prej të cilit Profesori ka nxjerrë këtë përshkrim të hollësishëm, i cili përshkruan një ditë pashke dhe turma duke duartrokitur e veshur me rroba tradicionale kombëtare shqiptare, tirqe, gunë, e xhokë të zezë e të kuqe, dhe me peruke të bardhë në kokë, ndërsa mbas tyre vjen një grup djelmoshash, të cilët janë të veshur vençe, me rroba ushtarake që për bëhen nga tirqe leshi me gajtanë të zinj, gunë leshi të zi, pa mëngë, por me thekë ndër kinda, me kësula të bardha në kokë, me trajta me lartësi të ndryshme. Në këmbë mbajnë këpuzë, (cariqe), të shkurtra, me shollë e me mejucë të ngritur, të lidhur me rripa të fortë. Kurse te beli varet një shpatë e lakuar nga maja, kanë një pistoletë në brez dhe një dyfek krahëqafë. Ndërsa disa djelmosha në përbërje të skuadrës, të quajtur kalorës, me shpata të ngjeshura në brez, mbi kuajt  e tyre të shaluar më së miri, parakalojnë plot madhështi, sikur të ishin falanga të antikitetit, për të krijuar figurën e papmposhtjes ushtarake dhe popullore. Disa të tjerë veshur si ushtarakë e me armë të ngjeshura në brez, të shaluar mbi kuajt e tyre më së miri. Interesante është mënyra  e vendosjes së turmës së veshur ushtarakisht dhe kombëtarisht, kryesohen nga një flamur si simbol i kombëtarisë shqiptare mbi kalin e prijësit dhe duke kënduar himnin e fitores, duke hyrë në sheshin i cili mban emrin e heroit të tyre, Skënderbeut. Kjo paradë festive e shoqëruar me këngë popullore paraqet hyrjen ngadhnjimtare të Skënderbeut në Krujë, mbas fitores mbi garnizonin turk. Në sheshin e pushtuar nga turma kombëtare vendosen tre grupet në formën e drejqëndrimit, sipas urdhërimit të oficerit madhor, për të dëgjuar së bashku me popullin, fjalimin patriotik të shoqëruar me këngën shumëzërëshe të popullit, të harmonizuar pa asnjë lloj komande ose dirigjimi. Fjalimi i gjeneralit të tyre,  përfaqëson vetë figurën e Skënderbeut duke lavdëruar ushtarët. Ndërsa më pas, kemi në shesh vijë me burra të leckosur, të lidhur me vargonj dhe të zhigatur në fytyrë. Ndërsa dëgjohet si jehonë brohoritja, për të kujtuar se ishin ende nën urdhrat e Skënderbeut, duke thënë se, do të thyenin gjithmonë ushtrinë turke dhe kemi për të ngadhnjyer, duke i kujtuar robërve të luftës, të mos mendojnë se do të arrijnë të shpartallojnë skotën e shqiptarit. Ndërsa, në mbrëmje burrat  e veshur me të bardha, të cilët pasi janë lutur në mënyrë sarkastike, për të puthur kafkën, të paktën me një lëvizje të dorës, kur puthin kafkën, ata thonë: -“Kujto se do të vdesësh ose formula ritmike: -“pra, ç`bredhim e thoni, gjith’ kem’  vemi tek ata që venë’’. Ndërsa, në kohën e mbarimit të cermonisë solemne, burrat veshur me të bardha zhduken me t’u ngrysur, duke kënduar me një jone të gëzuar, këtë refren: ‘’Trima, shokë, nëse t`gjallë jemi, këndojm` e helmet na mos remi, kush na thotë se njera mot jemi t`gjallë gjithë si tot?’’ Është interesante sepse edhe pas festimit popullor edhe pasi kanë mbaruar skenat  e ditës dhe janë shpërndarë njerëzit nga bulevardi dhe nga sheshi festiv, festa ende nuk ka marrë fund. Grupet e gëzueshme dhe protagonistët të të gjitha shfaqjeve argëtuese të luajtura me aq mjeshtëri, shkojnë tufa- tufa për të bërë vizita nëpër shtëpitë e arbëreshëve, të cilët fillojnë të mëkojnë njeri -tjetrin nëpërmjet kujtesës së këngës dhe amfiteatrit, i cili ka ngacmuar aq çuditshëm kujtesën e harruar të kohës së largët. Ajo që bie në sy, është e lidhur me kontrastin midis asaj shfaqje aq solemne dhe patriotike, e ndërthurur me episode me sens humoristik, të cilat shprehen nëpërmjet episodeve të “ciganëve” dhe të “arinjve”, të cilët degëzojnë dhe ndërthuren aq bukur dhe në mënyrë artistike situatat gazmore me atë heroike dhe ushtarake dhe pse jo edhe me episode politike, të shprehura nëpërmjet organnizimit të shprehjes së luftës dhe organizimit publik të shoqërisë arbëreshe. Ndërsa përsa i përket episodit të muzgut dhe mortjet e me puthjen e kafkës, të cilat i nënvizon Profesori, nuk ka të bëjë aspak me temën historike të Skënderbeut. Është për t`u theksuar se ky motiv vjen nga mesjeta e Europës, Këto shfaqje popullore u ripërtërinë nëpërmjet organizimeve festive midis të cilave mund të përmendim “karnavalet” e Luganos, ku mbizotërojnë temat historike, migrimi i shqiptarëve të Italisë, të cilat kanë tërhequr vëmendjen studimore të Profesor Sokolit. Por, ajo që kërkon vëmendje kulturore dhe shpirtërore lidhet me përzgjedhjen e temave historike e ndërthurur me artin folklorik shqiptar, por hera -herës edhe pa kufijë politikë. Ndërsa, duke i vështruar në këtë kontekst, studimet e Profesor Sokolit, ato kanë një vlerë të pazakontë, jo vetëm nga pikëpamja shpirtërore, por edhe nga pikëpamja shkencore, sepse reflektojnë një analizë studimore të admirueshme, e cila, në dialektikën  e saj, duhet vlerësuar si model studimor dhe metodologjik. Nga ana tjetër, ndërsa natyrshëm duke shkruar këto rreshta, të cilat rrodhën natyrshëm, për penën e shkencëtarit tonë Ramadan Sokoli, më erdhën në mend idetë e Niçes, i cili thekson se, “duhet rikthyer te kultura atërore”, të cilën e ka metaforizuar si “rikthim te varri i etërve” me idenë se, aty do të gjejmë dy sisteme vlerash, atë të fisnikut, e cila duhet ngritur në sistem vlerash  dhe arti, të cilat duhen sjellë nëpërmjet gjurmimit studimor, nëpërmjet një analitike, e cila të përfshijë një projekt analitik të të gjitha shkrimeve dhe gjurmimeve të Profesor Ramadan Sokolit, dhe prej  këtej, duhet të sillen në auditoret tona publike si simbolikë studimore të cilën të shpirtëzojnë metodologjinë e Profesor Ramadan Sokolit.