Lamtumirë poetit të lirikave shqipe, Koçi Petriti!

749
Sigal

“Krijuesi, që të bëhet i shquar duhet të ketë talent, të investohet për shkollimin e tij dhe të shohë botë me sy”

Lamtumira e fundit

Dje u nda nga jeta në moshën 73- vjeçare, poeti i mirënjohur dhe ish-pedagogu Koçi Petriti. Ai mbetet një nga lirikët tanë më të mëdhenj, shqiptarë. Ndarja e tij e parakohshme nga jeta është një humbje për letërsinë shqipe, për të gjithë krijuesit shqiptarë, familjen, miqtë dhe shokët e tij. Në shenjë respekti dhe homazhi, gazeta “Telegraf” po boton një pjesë të intervistës që ai ka dhënë ekskluzive për ne, dy vjet më parë.

Kanë thënë për Koçi Petritin:

-Koçi Petriti është një nga lirikët tanë më të mëdhenj, një nga lëvruesit më të veçantë të baladës, një nga krijuesit e shquar të poemës, shkruan studiuesi A.Jakllari.
-“Lirika dhe epika në poezinë e K.Petritit janë të kërleshura si dy gjarpërinj në vallëzim. Ec e ndaji, po deshe”, -thotë A.Plasari.
-“Muzikaliteti metrik e afron me mjeshtër të tjerë të traditës sonë letrare si N. Frashëri, N. Mjeda, L. Poradeci”, shprehet Anton Papleka.
-“Poezia e tij e kapërcen muzikën e saj-ky është pakti i tij i shpirtit me intimen… Duke rigjallëruar karakterin e amëshuar baladik, poezitë e tij na tregojnë miniaturat, ku janë ngjyrat e ikonave të tij lirike”, shënon M. Zeqo
-“I vendosur midis lirikave të fuqishme të F. Nolit dhe temperamentit realist tokësor të D. Agollit”, vlerëson Robert Elsie.
-“Verbi poetik i Petritit ka energji shprehëse, densitet dhe saktësi, cilësi këto të poezisë që i reziston kohës”, shënon A. Pipa.
-“Si piktori Vangjush Mio edhe Petriti pikturon me të gjitha ngjyrat e vendlindjes, poeti ka brenda piktorin, ndaj është edhe një lirik i madh”, shprehet Uran Butka.
-Ndërsa për librin me alternativa të mësimdhënies, studime dhe ese, titulluar “Fjala poetike-kuti e Pandorës, profesorët Gj. Shkurtaj dhe T.Topalli shkruajnë: “…Mund ta quajmë kryevepër e komentit letrar dhe e mësimdhënies së letërsisë në shkollë…I vlefshëm për tryezën e punës së çdo mësuesi, kabineti të letërsisë dhe bibliotekën e çdo shkolle të mesme…”.
K. Petriti është edhe autor i njohur i shumë teksteve të Festivaleve Kombëtare të Këngës në Radio- Televizion.

Ju sapo keni botuar librin “Fjala poetike-kuti e Pandorës” përse e keni titulluar kështu?

Sipas mitologjisë, Pandora është një sajesë zeusore, së cilës, kur u martua, i sollën shumë dhurata (pan-gjithë dhe doris-dhuratë). I dhanë edhe një kuti, ku ishin shtresuar mjerimet dhe fatkeqësitë njerëzore. Ndërsa studiuesit e tekstit letrar thonë që fjala poetike është një kuti e Pandorës, ku është mbyllur virtuoziteti i gjuhës. Edhe në Poemën e Mjerimit të Migjenit, në njëqind e pesë vargjet e saj, janë shtresuar mjerimet njerëzore. Nga ana tjetër fjala poetike e kësaj vepre shpreh virtuozitetin e gjuhës shqipe. Unë duke interpretuar modele tekstesh poetike të Naimit, Mjedës, Lasgushit, Koliqit, Camajt etj., kam dashur të zbuloj e të përcjell tek studentët dhe mësuesit e letërsisë këtë begati të gjuhës shqipe. Ja, pse librin me alternativa të mësimdhënies, studime dhe ese intime e kam titulluar “Fjala poetike-kuti e Pandorës”.

Cila ka qenë shtysa që hartuat këtë libër ?

Shtysa është pasioni im i përhershëm si poet, studiues dhe pedagog. Në këtë vepër, ku janë përmbledhur pesë libra në një, është shtresuar përvoja ime gati gjysmëshekullore si mësimdhënës i letërsisë. Mendimi teorik është vjelë nga studiues të shquar të tekstit letrar. Interpretimet janë të mijat. Nuk bëhet histori letërsie në këtë libër.

A kanë marrë çmime këngët me tekstin tuaj në festivale kombëtare?

Asnjëherë të parë, por vetëm të dytë dhe të tretë.

Ku e keni botuar vjershën e parë?

Në revistën “Hosteni”. Ishte një gjë për të qeshur. Kisha dëgjuar për një mësues fshati, që, kur shpjegonte aritmetikë, kërkonte t’i sillte secili nxënës nga një mollë, apo vezë. Për shpjegimin e thyesave e ndante mollën në katër pjesë. I hante pjesët një nga një dhe kështu u konkretizonte nxënësve një, dy, tre dhe katër të katërtat që përfundonin në barkun e mësuesit. Këtë vargëzova unë dhe e botova.

Po shqetësimi i parë që keni shkaktuar me ndonjë botim tuajin?

Kisha botuar në “Zëri i Rinisë” një vjershë me motiv historik. Liri Lubonja, sekretare kolegjiumi e gazetës, më tregoi pas dyzet vjetësh të atij botimi, se si papritur kishte rënë telefoni i Fiqerete Shehut dhe i kish hequr vërejtjen që patën lejuar botimin e vargjeve “lanë eshtrat mbi shkëmbinj/ lafshëprerët osmanllinj”. Po mua kurrë nuk m’u tha kjo gjë atëherë.

Cili ka qenë viti më i shënuar në botimet tuaja?

Në jetën e njeriut ka vite të shënuar. Kështu ka qenë për mua viti 1963. Botova librin e parë me poezi “Lirikat e majit”. E kisha çuar për botim në vjeshtën e ‘62-shit, 45 vjet më parë. Doli në pranverën e ‘63-shit. Po këtë vit, (në verë) për këtë libër, që bëri befasisht jehonë, më pranuan në Lidhjen e Shkrimtarëve. Po këtë vit (në vjeshtë) m’u dha e drejta e studimit, që nuk më jepej më parë.

Si e gjetët rrugën për të botuar këtë libër të parë?

U nisa në Ndërmarrjen e Botimit “Naim Frashëri”. Drejtor ishte Drago Siliqi. E mori dorëshkrimin tim, që nuk i mbushte as njëqind faqe, shfletoi vjershën e parë, të dytë, gjer te e pesta, buzëqeshi dhe tha: Ky libër do të botohet! Përgjegjës i redaksisë së poezisë ishte kritiku Razi Brahimi, redaktore e librit Donika Omari, recensente Adelina Mamaqi, piktore Dolli Gjinali. “Ky libër do të botohet” më shoqëroi në udhët me shi e me baltë, me dëborë e lehje qensh të fushës së Korçës. “Ky libër do të botohet”,- thoshte telegrami i mbërritur në Korçë me listën e vjershave që qenë zgjedhur për botim nga redaksia. Çuditërisht ishin hequr nga libri vjershat “tematike” e “të partishme”, që u kërkoheshin të tjerëve. Libri kishte mbetur thjesht me lirika dashurie, peizazhi e meditime rinore.

A keni aventura djaloshare në librin tuaj të parë?

Në “Lirikat e majit”, apo në radhonjtë me dorëshkrime, (që më kishin humbur dhe i gjeta këto vitet e fundit), unë kam motive që lidhen edhe drejtpërsëdrejti me dashuri, apo me aventura djaloshare të asaj kohe, që nganjëherë tërhiqnin vëmendjen e rrugicave të Korçës, për të mos thënë se pëshpëriste i gjithë bulevardi. Ja, ai që është dhe poet dhe i krahut tjetër të lumit, na qenka ngatërruar me një të anës së këtejme të lumit, të lagjes së kaurëve. Ndërsa kur erdha në universitet me këtë libër të sapobotuar, një vajzë e Veriut zbriste në kryeqytet dhe më recitonte krejt librin përmendësh. Një tjetër e qytetit jugor dërgonte letra nën pushtetin e këtyre lirikave. Për të mos thënë që ky libër u fut në listën e mosqarkullimit dhe arsimtarit A. S. i bënin hetuesi në Durrës se i kishin gjetur “Lirikat e majit” me autografin tim dhe pastaj i kërkonin të gjurmonte se ç’shkruaja tjetër.

A pati jehonë botimi i “Lirikave të majit”?

Jehona nisi me fjalët “Ky libër do të botohet” të D.Siliqit. Dhe vazhdoi të rrathëzohet e të zgjerohet, jo vetëm midis lexuesve, por edhe në vështrime kritike të personaliteteve letrare të kohës, të kritikës, të katedrës universitare, të poetëve dhe studiuesve më të shquar, që edhe sot janë autoritete me emër në këto fusha.
Agolli te “Zëri i Popullit” shprehej: Kam një ndjenjë të dyfishtë: E para dhe që të gëzon është se te ky libër ekziston ajo e fshehtë, ajo diçka specifike që i duhet artit. Ajo që është më afër shpirtit të tij shprehet deri diku drejt. E dyta dhe që të hidhëron, të bën të frikësohesh për të ardhmen, është se në mjaft vjersha mungojnë krahët, mungon horizonti…Poetin… duhet ta shqetësojnë problemet e mëdha…Kritiku që e mirëpriti librin, (pas Mark Gurakuqit, i cili shkroi gjatë në “Zëri i Rinisë”); ishte R.Brahimi që shprehej: Kjo poezi është larg temave të mëdha, por kjo nuk do të thotë se një poezi e tillë nuk duhet të ekzistojë dhe nuk ruan në vetvete vlerat e veta ideoartistike…”.
Ndërsa një kritik me emër shqetësohej që në këto lirika mungonin traktorët.

Çfarë përfituat ju nga jehona që bëri libri “Lirikat e majit?

Përmes kësaj jehone unë u nisa të trokas në dyert e atyre që kishin në dorë hyrjen time në universitet… Korça përsëri seç kishte ngatërruar, megjithëse shef arsimi ishte Kristaq Cepa (Capa-vjershëtari satirik i “brezit të ri të viteve ‘30”). Llazar Siliqi më ndihmoi. Ngarkoi Baki Kongolin, sekretar për muzikën në Lidhje, të bisedonte me ministrin Thoma Deliana si elbasanlli. Më mundësuan të takohem me të. Ai, si më dëgjoi, më tha: “Ti do të shkosh në fakultet!“ I zgjata, duke u dridhur, librin “Lirikat…”, siç më kishte mësuar Llazari. Më kërkoi autograf. Nuk mbaj mend se ç’i kam shkruar. Kur u kthye nga internimi, nga Tepelena, ku ministri ruante delet, i dhashë një libër tjetër me lirika, ku i shkrova: “Ministrit të përhershëm të Arsimit”. Për një moment m’u afruan dy fytyrat e dy burrave shtatgjatë dhe të pashëm: Ai i Drago Siliqit me kumbimin e fjalëve “Ky libër do të botohet!” dhe i Thoma Delianës, me “Ti do të shkosh në fakultet!”. Në Korçë, në dyqanin e shitjes me valutë, kisha blerë këmishë dhe këpucë çeke dhe një pardesy italiane në ngjyrë ulliri. Dhe shkova në universitet, në fakultetin e ëndërruar, nga fundi i tetorit 1963, d.m.th. dyzet e pesë vjet më parë.