Kazantzakis deshi të shkruante një epos, eposin e njeriut bashkëkohor

979
Eleni Sourani
Ambasadore e Republikës së Greqisë në Shqipëri
Konferenca Ndërkombëtare Letrare: “Shumëdimensionali Kazantzakis”
Jam shumë e lumtur që ndodhem pranë jush, në konferencën letrare që organizon Ambasada jonë greke në Tiranë për veprën e letrarit të madh universal nga Greqia, Nikos Kazantzakis. “Shumëdimensionali Kazantzakis”, pak shkrimtarë, në nivel botëror do të thosha, mund të krenohen se janë marrë me të gjitha llojet e gjuhës së shkruar, në mënyrën sistematike dhe të vetëdijshme si Kazantzakis. Sigurisht, pjesa me e madhe, jo studiuesit dhe lexuesit e Kazantzakis, e njohin nga romanet e tij, të cilët njohën një sukses gjigant botëror artistik dhe komercial. “Jeta dhe vepra e Aleksis Zorbas”, “Krishti Kryqëzohet sërish”, “Kapedan Mihali”, “Tundimi i Fundit” përbëjnë tashmë pjesë të pandarë të librave më të rëndësishëm në letërsinë perëndimore. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se vetë Kazantzakis e konsideronte kthesën e tij drejt romanëve (romanet e tij kryesor i shkroi pak para ose gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të jetës së tij) si një lloj “çlodhjeje” madje edhe një lloj “argëtimi” të cilat tashmë i meritonte pasi vepra e tij e vërtetë ishte plotësuar. Nëse romani përbënte një pikë përfundimi në veprën e Kazantzakis, elementi që mbizotëron në këtë vepër është padyshim mendimi filozofik dhe shqetësimet e tij metafizike. Është i njohur ndikimi që pati nga Niçja dhe Berksoni si dhe imazhi i Krishtit, i Budës, por dhe i Leninit. Libri i tij që përmbledh më së miri agoninë filozofike, ekzistenciale dhe metafizike te Kazantzakis është “Asketika”. Ai vetë e konsideronte si “farën nga ku çeli gjithë vepra e tij”. Megjithatë këtu duhet të saktësojmë se mendimi filozofik i Kazantzakis nuk përbën një trup të huaj në letërsi dhe në krijimtarinë e tij poetike, por ai vetë bëhet letërsi dhe poezi, ashtu siç vetëm artistët vërtet të mëdhenj dinë të bëjnë. Si veprën e tij të vërtetë, Kazantzakis konsideronte Poemën e tij epike “Odisea”, e cila ka 33.333 vargje dhe strukturohet ne 24 rapsodi, duke kapur fillin e rrëfimit aty ku e la Homeri në “Odisea-n” e tij, thuajse tre mije vjet më parë. Ashtu siç shkruan në mënyrë karakteristike, Linos Politis: “Kazantzakis deshi të shkruante një epos, eposin e njeriut bashkëkohor (jo vetëm të njeriut grek, apo të njeriut evropian) dhe kjo ishte arsyeja përse shihte “Odisea-n” si “veprën” e tij kryesore… “Odisea” është padyshim një krijim i jashtëzakonshëm- dhe një krijim poetik”. Nga ana tjetër “Odisea” përbën një vepër jashtëzakonisht kërkuese për lexuesin, në nivel volumi, gjuhe por dhe përmbajtjeje. Mbase kjo është dhe arsyeja përse nga momenti i parë i botimit të saj u pranua dhe trajtohet nga publiku dhe kritikët me një lloj sikleti, sigurisht e ndërthurur me ndjesi mahnitjeje dhe frike. Një element që ndikoi në mënyrë te rëndësishme te “Odisea” dhe veprat e tjera të Kazantzakis ishin udhëtimet e tij. Kazantzakis përbën një përfaqësues të rëndësishëm të letërsisë së veprave të udhëtimeve, dhe përshkrimet e tij të udhëtimit përfshihen në krijimet e tij më të mira. Ashtu sikurse shkruan interpretuesi i tij më i madh Pandelis Prevelakis: “Në këto vepra të veçanta udhëtimi, ndërthuren çështjet më të rëndësishme: vdekshmëria e qytetërimeve, psikologjia e popujve, heronjtë e aksionit dhe të mendimit, peizazhet, monumentet dhe muzetë… dhe nga afër, dashuria e së bukurës, dëshirë e madhe për drejtësinë universal, ankthi për problemin e ekzistencës – ëndërrimi i pafund i një shpirti të përvëluar”. E zgjeruar ishte dhe angazhimi i Kazantzakis dhe me teatrin, pasi shkroi shumë drama, tek të cilat distancohet nga tendencat artistike të kohës së tij. Për Kazantzakis teatri është akoma një fushë shprehje e brengave ekzistenciale dhe filozofike – dhe madje e privilegjuar. Heronjtë e tij teatral janë figura të mëdha historike ose mitologjike , jo njerëz të zakonshëm, problemet që i shqetësojnë nuk janë probleme nga përditshmëria por ankthi i njeriut për tejkalim, plotësimin dhe shpëtimin e tij. Zëri teatral i Kazantzakis qe mjaft i vetmuar, mbase për këtë arsye nuk gjeti mbështetjen që meritonte edhe pse në Greqi veprat e tij teatrale i deshi dhe i shfrytëzoi një njeri i rëndësishëm i teatrit, Aleksis Solomos. Së fundmi dhe pasi do anashkaloj veprën e tij përkthyese (midis te tjerash ka përkthyer kryevepra te letërsisë botërore, si Odisaina, Iliadën, Faustin, Komedinë Hyjnore), do doja të them dy fjalë për marrëdhënien e Kazantzakis me artin e 7-të. Sigurisht është i njohur fakti se shumë romane të shkrimtarit u transferuan në Kinema (por edhe në televizion) nga regjisorë të kualifikuar botërisht: “Krishti Kryqëzohet sërish” nga Jules Desan në Kinema dhe Vasilin Georgiadis në televizion, “Zorbas”, natyrisht nga Mihalis Kakogianis dhe “Tundimi i fundit” nga një ndër regjisorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Martin Scorcese. Më pak i njohur është angazhimi i vetë Kazantzakis me artin e 7-të. Mbresë krijon fakti se përpjekjet e tij të para i bëri në Rusinë Sovjetike gjatë viteve 1928-1932, ndërsa përpjekjen e fundit pas ftesës së një studioje Hollywoodian-e, pak para vdekjes së tij. Megjithatë asnjë nga skenarët e tij nuk shfaqet në ekranin e madh: Fajin për këtë mbase e mund ta ketë fakti se në skenarët e tij ruan mënyrën e veçantë te shkrimit të tij, me shumë simbolika dhe nënshtresa të mendimit filozofik, elemente që me vështirësi mund të asimilohen nga një art i drejtpërdrejtë dhe realist siç është Kinemaja. 
Flet për gazetën “Telegraf”
Eleni Sourani
Ambasadore e Republikës së Greqisë në Shqipëri
– Zonja Ambasadore Suourani, Konferenca Ndërkombëtare Letrare “Shumëdimensionali Kazantzakis”, çfarë mesazhi përcjell te lexuesi dhe miqtë shqiptarë?

– Nikos Kazantzakis është i njohur në të gjithë botën, dhe, veçanërisht edhe shumë i njohur edhe në Shqipëri, sepse janë përkthyer shumë vepra të tij në Shqipëri. Është një shkrimtar i veçantë, shkruante për njeriun, dhe pikërisht, ky është edhe thelbi i gjithë veprës së tij. Të gjitha ato që janë të njëjta te të gjithë njerëzit, e mbarë gjithë botës. Kjo pikërisht dëshmon se të gjithë ne, në gjithë botën jetojmë të njëjta shqetësime, kemi të njëjta shpresa të përbashkëta, dhe shpresojmë te të njëjtat ide, dhe, duke marrë shkak nga veprat e Kazantzakis, i kujtojmë çdonjërit, se ne, për këdo dhe për çdo njeri kemi të njëjtat përpjekje dhe solidaritet në jetë. 
Sigal