Kaçi mav(r)i qep kostumin për kryetarin e partisë blu

607
Sigal

INTERVISTA/ Kandidati për Kryetarin e PD-së, ish -eksponenti i PS-së, Kastriot Islami ekskluzivisht në “Telegraf”-in e së …dielës

– Shoku Kaçi, më latë pa mend, sapo shoku Qeso më dha haberin që edhe ju do të kandidoni për kryetarin e partisë blu.

– Po ku i kishe mendtë ti, që e humbe tani, o derëzi. Këto janë punë të mëdha e të thella, e nuk mund të kuptohen nga kokëpalarët e trushkundurit.

– Po cili militant i PD-së do ta besojë  e votojë një Kaç mav(r)i për kryetar të partisë blu? Pyes rradaken time,  e nuk më jep përgjigje, shoku Kaç.

– Po mbetët karpuza të papjekur edhe në korrik, or qyp. Ata militantët që më zë në gojë ti, or kungull, janë milingona, që nuk kanë tru të mendojnë, por gojë të brohorasin parullat që u shkruaj unë. Pëllasin, ato që u dikton. Kjo është detyra e tyre.

– Lumi i Berishës, një herë të solli si kucura, në listën e PD-së,  prapë në Kuvend, shoku Kaçi.

Përroi im e ushqeu edhe lumin e Berishës, që të ishte zhurmëbërës, edhe pse i devijoi përroi i Ilir zullumit.

– Po edhe ato analiza që na çave kokën e na i bëre daulle, se shoku Edi me shokun Rama do humbasë, vajtën në hale.

– Or, kokëqyp, unë ato analiza i bëra që t’i mbushja mendjen shokut Berishë, të më besonte që jam anti-Ramë. Unë vetë nuk i besoja, por doja të ndizja shkëndijën, se pastaj, kallinjkashtët militantë  merrnin  flakë vetë.

– Por populli i pordhi analizat e tua, o Kaçëziu, dhe tani re si gjethja e rrapit në nëntor, në ujët e lumit.

Politika, or trushkulur, nuk bëhet më me ideale. Por me pragmatizëm. Ku është interesi, bëhet politika. Si lumenjtë. Që nga shiu i rrëmbyer bëhen gjëmëmadh, ndryshe,  nga shiu butërënë mbeten shtratëtharë.

– Ujët e Berishës u thanë, tani në korrik, o Kaç mav(r)ia. Dhe do mbetesh kucurkalbur në llumëtharën e lumit.

 – Po ç’kanë më shumë të tjerët nga unë, or der(r)rëzi. Si fitoi i gjati? Po ti nuk lexon ato analiza që bëj e shkruaj unë. Ia mbushi Ilir zullumi të Gjatit thesin dhe ai, si fëmijë, i duket se ka fituar ai. Por, kur ta lërë Ilir zullumi lumëthatë, në beharin tjetër, do të shihni sa të shkurtër e ka hijen shalëgjati mavi.

– Po ajo parti e blujtë, kaq poshtë ka rënë, sa të të bëjë ty kryetar, o vulëhumbur? Shteruan burrat e saj?

–  Po ç’kanë të tjerët më shumë, o kokëqyp! Hunj ishin e hunj mbetën. Iu larguan Berishës si zagarë të zemëruar, e iu kthehen këlyshë  të rrahur. Të paktën unë jam ideolog. Unë jam truri. Ja tani, më duhet koka, domethënë, kryesia e PD-së, që të mbushem e të bëj çudira. Ato mrekulli që m’i dogji shalëgjati.

– Ja, ta marrim një çast, se ata militantë blu u marruan, e zgjedhin një Kaç mav(ri) për kryetar. Çfarë më shumë do t’u bësh, nga mandatat që u dhe rozëllinjve?

– Demokratëve do t’u ndryshoj dritat! Jo vetëm ngjyrat, siç u bëri shalëgjati mavi shokët e mi socialistë.

Po me ti, o Kaçë mav(ri)a, partia blu nuk do të jetë më e demokratëve?

– Po ç’i kujton partitë, ti, o kokëthatë? Klube morali? Ideologjie?

– Të paktën, jo shtëpi publike.

– Para se të flasësh, dëgjo dhe nxë nga ato që thonë më të mençurit, më filozofët, si puna ime. Se unë, flas rrallë, kur më shtrëngojnë ca kokëfyell, si puna jote. Se unë jam Sokrati i këtyre ditëve. U flas njerëzve vetëm për të mirat e tyre, e ata, mua më bëjnë gjyqin. Partitë publike, nuk do ta thosha se janë shtëpi publike, në atë që mendon ti, por shtëpi publike në këto që do të të them unë.

– Me aq sa kam lexuar unë, fjalori i Gjuhës Shqipe, për shtëpinë publike, një shpjegim jep, e jo dhjetë, si filozofitë e tua, shoku Sokrat i ditëve tona.

– Dëgjo, or qyp, dëgjo dhe nxë. Pastaj, fol. Partitë tani, janë të gjitha njësoj. Klube interesi. Klube oferta. Pranon të bëhesh me atë klub që të afron më shumë, për të marrë më shumë. Kujton ti, se partitë tani janë për të të bërë mirë ty, atij, atyre, të tjerëve?  Përse moralin, ma tund mua si shpatën e Demoklitit, ndërsa bëni “Urra” për Ilir zullumin, që i mbushi thesin dhe mbase  edhe barkun, shalëgjatit? Përse Ilir zullumi u bashkua me shalëgjatin? Ma thua dot mua? Për parime? Për ideale? Apo për të mirën e së Majtës? Këto janë pordhë me rigon, që josh vetëm mav(r)itë socialistë. Pastaj, nga ana tjetër, ngrihet një demokrat dhe na bën moral, se është më i mirë se Kaç filozofi, në ikajak i partisë blu, kur ende ai është nënkryetar i asaj partie që na morri votat dhe na solli mandatën e zezë në derë. Unë, të paktën, jam larë e shpëlarë, nga socialist  jam pagëzuar demokrat.  Kam edhe teserën e deputetit të saj, paçka se thellë në zemër, kam vetëm teserën e PS-së- jo të partisë mavi.

– Po atë teserë të PS-së, përse e ruani thellë në xhepin tuaj?

– Floriri, or trushpëlarë, mbahet i ruajtur thellë, e jo në portofol, sikurse lekët prej letre. Ku i dihet, kësaj kurve politike, se çfarë na sjell nesër. Fryn ndonjë erë e mbarsur nga ana tjetër, dhe unë, nëse nuk më zgjedhin kryetarin e partisë blu, duhet  ta kem një çelës, që të hap derën e partisë tjetër.