Ema Koja:“Ne shqiptarët jemi një racë shumë speciale”

822
Sigal

INTERVISTA/ Flet stilistja shqiptare me famë botërore Ema Koja: “Vite më parë punova me Jenifer Lopez”

Ndoshta është e pabesueshme, por në vitin 2000 mori çmimin si stilistja më e mirë në Paris, ku është dhe kryeqendra e modës. Në vitet e rinisë ishte një volejbolliste e talentuar. Në vitet e ikjes së madhe emigroi në Itali dhe më pas në SHBA, ku tashmë është një nga stilistet shqiptare më me famë në botë. Dashurinë për Shqipërinë e ruan me fanatizëm dhe gjithashtu mundohet t’ia transmetojë dhe djalit të saj.

  -Ema, çfarë viti jeni larguar nga Shqipëria?

Jam larguar në verën e vitit 1990. U vendosa në fillim në Itali dhe më pas në SHBA.

Ika me dëshirën për tu bërë dikush edhe në vend të huaj. Kur arrita në Itali në moshën 20 vjeç mendoja që të huajt ishin më të mire se sa ne, sikur ata kishin një extra që ne na mungonte Të dy vendet kanë të mirat dhe të këqijat e veta, megjithëse unë besoj që sistemi amerikan i përshtatet më mirë natyrës sime.

 -Mendoj se fillimi ka qenë i vështirë…

Se mohoj që kam hasur pengesa, por unë u rrita me mentalitetin e një atleteje që e vogël, pa pengesa nuk rritje. Dhe kjo ishte një frymëzim për mua.

 -Tashmë dihet se përveç stilimit ke për zemër edhe sportin, kujt i kushton më shumë rëndësi?

Dikur sportit, se sporti më ndihmon të jem në formë të mirë fizike e mendore dhe mban stresin nën kontroll, më lejon të stërvit tim bir dhe të shpenzoj kohë fantastike me të. Por moda dhe arti më japin kënaqësinë e veçantë të krijimit të diçkaje, që nuk ekzistonte më parë. Më ka prezantuar me një botë dhe persona që kanë të njëjtin pasion si unë, por mbi të gjitha me suporton stilin e jetës që kam. Por unë kam më shumë se dy pasione, kombinimi dhe shprehja e këtyre pasioneve është burimi i frymëzimit tim. Ç`do sezon përpiqem të shpreh diçka më komplekse sesa koleksioni i mëparshëm. Kjo më ndihmon të krijoj koleksione që janë shumë inovative dhe të papara.

 -Çdo fëmijë ka ëndrra, cilat ishin ëndrrat e tua?

Kam kaluar nëpër shumë faza ëndrrash. Gjëja e përbashkët që këto ëndrra kishin ishte që më bënin të lumtur. Sporti (volejbolli), më bënte të lumtur, moda më bënte të lumtur, arti më bënte të lumtur. Mendimi që të bëhesha nënë më bënte të lumtur. Unë i bëra të gjitha një nga një. Kam qenë një fëmijë shumë e prapë. Nuk i lija dy gurë bashkë. (Qesh)

 -Në vitet e rinisë cili është kujtimi më i hidhur që mban mend?

Eh. Mos ma kujto. Kur vrava shpatullën në Itali, në moshën 26 vjeçare, dhe nuk do të luaja volejboll më. Ky është kujtimi më i hidhur.

 -Kush ishte shtysa që t’i të hapje firmën e rrobave “Ema Savahl”?

Kisha dy arsye: E para, nuk kisha dokumente dhe nuk mund të punoja në USA. Me letrat që kisha mund të punoja vetëm për vetë, por kisha mundësinë të merrja letrat nëse krijoja një biznes e fusja në punë qytetarë amerikanë. E dyta, është sepse nuk mund të luaja më volejboll, pra kisha një nivel të lartë urgjence të krijoja diçka tjetër.

 -Fitove në vitin 2000 çmimin si stilistja më e mirë në Paris, e cila është dhe kryeqendra e modës. Si të ndryshoi jetën ky event?

Qëlloi në një moment shumë të veçantë dhe nuk pata mundësi të gëzoja përfitimet e këti nominimi. Im bir po vinte në jetë në atë kohe dhe kisha gjëra shumë më të rëndësishme ku të përqëndrohesha.

 -Ke stiluar rroba për emra shumë të njohur si Paris Hilton, Viktoria Bekam, Kerry Kasem, Sofia Vergara, Ana Kurnikovën. Si mund të na e përshkruash punën me këto emra??

Duhet të kihet parasysh se në SHBA ka një diferencë ndërmjet stilistëve e disenjatorëve. Ema Savahl ashtu si Armani o Valentino është një trend. Unë dizenjoj koleksionin tim dhe e shes nëpër butiqet rreth e qark botës. Celebritetet e kalibrit, që ti përmende, kanë stilistë personalë, të cilët vinë tek ne dhe zgjedhin koleksionet tona. Nganjëherë unë bëj a couture (alta moda) fustan për një celebritet, por jo shpesh. Celebritet me të cilët kam punuar ishin njerëz normal si unë dhe ti. Punova me Sofia Vergara, që është shumë e ëmbël dhe e thjeshtë. Gjithashtu Caroline Uozniacki ishte shumë e pëlqyeshme. Vite më parë punova me Jenifer Lopez, ajo ishte e dashur dhe hiperaktive mbushur me energji dhe shumë e qartë rreth stilit të saj. Tamam ashtu si njerëzit normal, disa janë të këndshëm, disa më pak.

 -Koha është e shenjtë. Cili person të ka marrë dhe të merr më shumë kohë dhe cili personazhi që të ka lënë mbresa?

Parësor padiskutim është im bir! Një person është edhe pronarja e kompanisë PR  “Tara Ink”, me të cilën ne punojmë. Z. Tara Solomon më ka lënë mbresa për qartësinë e dëshirave dhe vendimeve që ajo ka. Tara di mirë atë që do dhe me një ëmbëlsi thotë JO-në më të fuqishme që kam parë dhe sigurisht pa justifikime.

 -Një ditë e zakonshme e jotja si fillon dhe mbaron?

Zgjohem në 06:30 dhe përgatis një mëngjes shumë të shëndetshëm për tim bir dhe veten. Kade, shkon në shkollë në orën 8:30-5:00. Mbasdite ne së bashku shkojmë të luajmë volejboll në plazh, luajmë basketboll, patinojmë, ose shkojmë në oqean e notojmë. Kade është shumë aktiv, ndaj jam e detyruar t’ia konsumoj të gjithë energjinë që ka, përpara se të shkojmë në shtëpi. Ne hamë darkë në shtëpi dhe lexojmë përpara se flemë. Nga ora 8:30-5:00 unë jam në punishte, e cila valon me punë. Koleksionet përgatiten, fotografitë merren, stilistët vijnë të marrin fustane për celebritete, telefoni bie pa pushim, urdhërime dërgohen në të gjitha anët e botës nga Meksika në Arabinë Saudite, në Australi. Copat vinë nga Parisi e Koreja, kristalet vinë nga Austria. Litra e litra me bojëra tesutesh nga veriu in USA. Nuk ka një moment të qetë për mua.

 -Se ke mohuar kurrë që je shqiptare….

S’ka arsye pse…Tani nuk kam nevojë të sforcohem të evidentohem. Sot me gjithë zemër besoj që ne jemi një racë shume speciale, të zgjuar e të talentuar, të bukur e të fuqishëm. Unë besoj që kësaj here “Ditë të mira paskëtaj vijnë” me të vërtetë për kombin tonë. Ndaj se mohoj atdheun tim.

 -Dita më e bukur e jetës suaj?

Pa diskutim 27 Qershor 2001, kur im bir lindi.