Dobësimi me dieta proteinike, si funksionojnë dhe a janë të këshillueshme?!

962
Dietat e dobësimit të cilat janë të pasura në proteina dhe të varfra në karbohidrate janë promovuar gjerësisht vitet e fundit si zgjidhje e efektshme për të rrëzuar kilogramët e tepërt. Këto dieta i këshillojnë praktikuesit e tyre të marrin deri në 50% të kalorive ditore nga proteinat. Krahasimisht, organizatat ndërkombëtare të dietologjisë, si BNF (British Nutrition Foundation, American Dietetic Association), rekomandojnë një dietë me shumë përmbajtje në proteina (lëndë ushqyese thelbësore për imunitetin, ndërtimin e muskujve dhe kockave).
Si funksionojnë këto dieta?
Duke ulur në mënyrë drastike karbohidratet, trupi kalon në tjetër lloj gjendje metabolike, e cila quhet ketozë, ku organizmi djeg yndyrë për “karburant” dhe prodhon pak fragmente karboni (të quajtura ketone), si produkt metabolik. Normalisht trupi ynë djeg karbohidrate për “karburant” – burimi kryesor i energjisë për trurin, zemrën, rruazat e kuqe dhe shumë organe të tjera. Kur trupi kalon në ketozë, ne ndjehemi më pak të uritur dhe është më e lehtë të konsumohet më pak ushqim se zakonisht. Por, ketoza mund të shkaktojë edhe probleme shëndeti, si dështim të funksionit të veshkave, siç do të përmendim pak më poshtë.
Si pasojë, trupi ynë kalon nga një mekanizëm që djeg karbohidrate në një mekanizëm që djeg yndyrë. Pra, në vend që të bazohet në produktet e zakonshme të pasura në karbohidrate për “furnizim” me energji dhe t’i lërë në vendin e tyre depozitat e dhjamit, depot e dhjamit fillojnë të bëhen furnitori kryesor i energjisë. Si pasojë vjen rënia në peshë, aq e dëshiruar shkruan Shendeti.
Cilët janë rreziqet që shoqërojnë një dietë të pasur në proteina dhe të pakët në karbohidrate?
Këto dieta mund të shkaktojnë një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë:
Sëmundje të veshkave: duke konsumuar shumë proteina veshkat marrin ngarkesë më të madhe seç mund të përballojnë, duke rrezikuar të dështojnë në funksionin e tyre.
Kolesteroli: Kërkimet e fundit tek më shume se 43,000 gra suedeze kanë gjetur se marrja me shumicë e proteinave dhe me pakicë e karbohidrateve në dietën e përditshme na vendos në rrezik më të madh për të pësuar sëmundje zemre.
Kockat dhe gurët në veshka: dietat e pasura në proteina largojnë kalcium nëpërmjet urinimit me shumë se normalisht. Pas një periudhe të gjatë kohore, ky fenomen mund të rrisë rrezikun e formimit të gurëve në veshka. Kur sasia e madhe e proteinave merret në kurriz të karbohidrateve që gjenden te ushqimet bimore, edhe kockat përballen me dëmtime të mundshme.
Kancer: shkaku kryesor që dietat proteinike janë të rrezikshme është pikërisht se teprica e tyre merret në kurriz të ushqimeve të cilat na mbrojnë nga aktivizimi dhe zhvillimi i qelizave kancerogjene. Të tilla ushqime janë frutat, zarzavatet, fasulet, farat dhe drithërat e plotë, të cilat na japin antioksidues, vitamina, minerale dhe fibra – me rëndësi jetike për trupin tonë, sidomos në luftën e përditshme me faktorë kancerogjen.
Stad metabolik i dëmshëm: Dietat e varfra në karbohidrate mund ta çojnë trupin në një stad metabolik të rrezikshëm, në ketozë. Gjatë ketozës, organizmi prodhon substanca të quajtura ketone dhe në një vazhdimësi ketoza mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe veshkave. Ketonet mund të presin oreksin, të shkaktojnë përzierje dhe frymëmarrje të pakëndshme.
A është kjo dietë e këshillueshme për ty?
Këto teori të rënies në peshë mbeten të paprovuara, dhe komuniteti shkencor vazhdon të jetë i shqetësuar për një mori problemesh shëndetësore që paraqesin, sidomos për popullatën që është e predispozuar të shfaqë sëmundje kardiovaskulare.
Për të arritur një rënie të shëndetshme në peshë duhet të ndryshohet mënyra e jetesës. Kjo do të thotë të ndiqet një dietë me kalori të reduktuara, duke përfshire në të drithërat e plota, fasulet, frutat, zarzavatet, vajin e ullirit, bulmetin, peshkun, farërat dhe aktivitetin fizik.
Sigal