Dardha fshat turistik me vila pushtetarësh: Pa drita, pa qendër shëndetësore, pa shkollë dhe me një rrugë, copë-copë

1961
Bardhyl Berberi
Kush vjen për herë të parë në Dardhë vërtet mrekullohet nga natyra e saj magjike, nga pylli, por njëherazi zhgënjehet nga mangësitë e saj… 
Në një ditë të bukur vere ku të mbyt vapa jemi nisur në drejtim të Dardhës. Këtij fshati turistik që ka tërhequr shumë vizitorë të huaj dhe vendas. Në një ditë të bukur vere me një qiell të pastër si sy fëmije po udhëtojmë drejt Dardhës. Kemi lënë pas Korçën dhe Boboshticën dhe makina ecën nëpër gjoksin e maleve të lartë që i kalojnë 1344 m mbi nivelin e detit. Shiu që ka rënë një ditë më parë e ka harlisur gjelbërimin dhe i ka dhënë peizazhit një pamje magjike. Dielli ka dalë sipër majave të larta dhe herë shfaqet e herë fshihet nëpër qafat e maleve ku duket sikur luan me ne symbyllurazi. Para na shfaqet një luginë e bukur e rrethuar me male gjigante. Ata janë të mbuluar me kurorat e gjelbra të pishave, aheve dhe mështeknave të shumta në hyrje të fshatit. Nga qyteti i Korçës, pas rreth 20 km rrugë të vështirë malore vende vende rruga ishte gjithë gropa, pasi mbaron mbretëria e pyllit na shfaqet Dardha e vendosur në shpatin e malit. Shumë shtëpi të vjetra janë të mbuluara me rrasa guri gri dhe nga larg ngjajnë me shkëmbinj të latuar nga erërat. Por midis tyre shfaqen shumë shtëpi të restauruara që kanë pamjen e vilave. Kur i pyet Dardharët të thonë se janë shtëpitë e njerëzve të kamur që kanë blerë shtëpi në Dardhë. Po pse në Dardhë ky interesim. Vetiu, njeriu në majë të këtyre maleve të mbuluara me dëborë e çon mendjen tek pranverat e ndezura me blerim, tek stina e verës plot freski që vijnë nga puhizat e maleve të lartë tek vjeshta me petale piktoreske prej ylberi. Ngado syri të sheh ndërtesa solide prej guri të gdhendur kalldrëme të shtruar mjeshtërisht kroje të shumta dhe një numër i madh kishash midis tyre shquhet kisha e vjetër e Shën Gjergjit. 

Kemi ndaluar pranë një hoteli luksoz në këmbët e malit.
Flasim me Tomi Ballin, i cili është nga Dardha dhe së bashku me vëllanë e tij Rubenin ka kryer këtë investim serioz. Tomi, si djalë nga Dardha e njeh shumë mirë historinë e Dardhës .
Historia e emrit të Dardhës 
Fshati Dardhë është një fshat që është themeluar e rritur prej të “ardhurve “.Në Dardhë “janë strehuar ata persona që kanë qenë të përndjekur nga qeveria osmane, e cila i detyronte të ndërronin fenë. Këta persona që vinin gjenin strehë tek një stan nën një dardhë .Kur i pyesnin të afërmit ku jeni ata përgjigjeshin se jemi tek stani nën Dardhë, më pas lindi togfjalëshi “nëdardhë”deri tek emri sotëm Dardhë .

Në dokumentet e hershme del se fshati Dardhë ka pasur 1454 frymë me 400 shtëpi .
Natyrshëm, thotë Tomi, të lind pyetja si u popullua kaq shumë ky vend kur toka i mungon dhe përgjigja është, vetëm një vetëm për të qenë të lirë.
Por pa tokë dhe me të ardhura të pakta Dardharët kanë qenë të detyruar që të emigrojnë. Pasioni i tyre kanë qenë sharrat dhe sëpatat e druvarit. Tomi thotë se akoma atje në Olimp të Greqisë ende punon sharra e Dardharëve.
Mërgimi i largët ishte një dramë e gjatë, plot dhimbje përveç Rusisë, Anadollit, Greqisë Dardharët kanë emigruar edhe në Amerikë. Rrallëkush ka ngelur pa pasur një pjesëtar të familjes në Amerikë. Aty dardharët morën pjesë nëpër shoqëritë patriotike.
Në vitet e pushtetit komunist Dardha pësoi një rënie. Në vitet `60 në Dardhë ngrihet një shtëpi pushimi, e cila ishte një degë të turizmit korçar.
Dardha sot 
Dardha sot ka ngelur një fshat pa fëmijë. Aty mund të numërohen vetëm 50 banorë. Por kohët e fundit shumë dardharë që jetojnë në Tiranë dhe në Korçë i janë rikthyer Dardhës. Janë kthyer dhe po rindërtojnë shtëpitë e tyre të braktisura prej shumë vitesh. Blerja e trojeve dhe ngritja e një kompleksi vilash nga shumë deputetë e pushtetarë apo biznesmenë i kanë sjellë Dardhës një pamje tjetër. Hotelet luksoze të ngritura kohët e fundit dhe vilat e Ben Blushit, Familjes Laço apo biznesmenëve Gon Papuli e të dhjetëra biznesmenëve të tjerë nga Tirana e Durrësi që i kanë dhënë Dardhës një pamje tjetër. Banorëve të rinj dardharët iu kanë afruar miqësinë dhe mikpritjen e tyre. Tre hotele luksoze, sidomos hotel “Dardha” ku bëhen gatime tradicionale; lakrori i famshëm dardhar, mishi i pjekur e shumë specialitete të tjera bio .

Pa dyshim që Dardha është bërë një destinacion i preferuar për shumë vizitorë nga e gjithë Shqipëria për bukuritë e saj, por cilësia e rrugës, e cila është pjesë pjesë e asfaltuar apo mungesa e dritave që nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 17 të pasdites e bën të vështirë gjendjen..Studenti Ervis Cipi që gjatë verës punon në Dardhë si kamerier na thotë se, kanë vërtet problem dritat dhe shton se kur ikin tani në mes të verës mendo se çfarë mund të ndodhë në dimër. Në fakt janë vendosur disa shtylla elektrike për një linjë të re energjie, por duket se kjo nismë ka mbetur në letër. E megjithatë dardha të thërret me ujin e pijshëm aq të shëndetshëm, pyjet e ruajtura anembanë Dardhës që kanë krijuar një pamje dhe vend vërtet të mrekullueshme në çdo stinë.

Por që Dardha të ketë turizëm elitar përveç dritave duhet riparuar rruga, e cila në 5 kilometrat e fundit, kur i afrohesh Dardhës është gjithë gropa. Një banor nga Tirana që i kishte ngecur dje makina në një gropë tha se, Dardha është një fshat piktoresk dhe jo turistik. Që të kesh turizëm pa drita, pa rrugë, pa një qendër shëndetësore dhe pa një shkollë për fëmijët e banorëve as që bëhet fjalë. Kështu thotë Ardian Seferi banor i Dardhës: “Kam dy fëmijë dhe i çoj të shkollohen në qytetin e Korçës.” 

Kush vjen për herë të parë në Dardhë vërtet mrekullohet nga natyra e saj magjike, nga pylli, por njëherazi zhgënjehet nga mangësitë e saj… Por Dardha është e përshtatshme edhe për sportin e skive. “Aty, thotë Tomi Balli, pronari i hotelit, është miratuar nga qeveria që të ngrihet pista e skive 1,5 km e gjatë dhe 70 m e gjerë.”

E pra e ardhmja e Dardhës ka vetëm një emër Turizëm, por që të kesh turizëm elitar duhet që të plotësosh disa standarde, se ndryshe mbetet vetëm një vend piktoresk por jo turistik. 
Sigal