Dafina e djegur e Luigi Ugolinit

496
Sigal

Një simbol shprehës na imponon imagjinatën përsa i përket degradimit të Phoinike-s (Finiqit) antik, që mesa duket është i pandalshëm. Një fotografi e famshme që paraqet arkeologun italian, i cili zbuloi këtë qytet antik më 1926: Luigi Ugolini (1895-1936) shfaqet pranë një muri me blloqe gjigande, pjesë e kësaj foto është edhe një dafinë që duket sikur mburret me gjelbërimin e saj. Kjo dafinë mbijetoi për gati një shekull. Por një muaj më parë, kodra e cila mbart mbetjet e çmueshme të periudhës helenistike dhe romake iu vu zjarri, një zjarr që pa asnjë dyshim të bën me dhimbje, autorët e të cilit, si gjithmonë mbeten të paidentifikuar e të pa ndëshkuar. Edhe dafina e Ugolinit nga ky zjarr u dogj mizorisht. E me të gjithashtu u dogj i gjithë qyteti, me monumentet, të cilat janë nxirë nga hiri i zjarrit dhe rrethuar nga ai pak vegjetacion, që tashmë është karbonizuar. Simboli i kësaj dafine të djegur është vërtet impresionues, jo vetëm për ata që i dashurojnë dhe i studiojnë prej kohësh këto vende antike. Por zjarri nuk është i vetmi degradim që po shkatërron këto monumente të rëndësishëm për historinë e popullit shqiptar: gërmimet klandestine kohët e fundit kanë rifilluar në mënyrë të frikshme si brenda qytetit antik, gjithashtu edhe në zonat përreth, edhe në këtë rast asnjë i ndëshkuar përsa i përket kësaj zone. Agresioni nëpërmjet banesave dhe ndërtesave moderne në zonat me mbetje të lartë arkeologjike, që pa asnjë rregull ligjor po zë vend mbi varrezat antike dhe muret rrethues të qytetit antik, është një tjetër problem madhor dhe i pa zgjidhur. Kafshë, vandalë dhe hajdutët e hekurit gjithmonë e më shumë po shkatërrojnë atë çfarë e kaluara na ka dërguar. Në dymbëdhjetë vjet Misioni Arkeologjik Italian i Universitetit të Bolonjës që unë drejtoj, së bashku me Institutin Arkeologjik Shqiptar, ka prodhuar, mendoj, një punë me vlera të mëdha, sipas vlerësimeve që vijnë nga studiues të ndryshëm: gërmimi i agorasë dhe bazilikës, i teatrit helenistik dhe romak, një lagje me ndërtesa private dhe një pjesë e nekropolit është gërmuar deri më sot. Është urgjente një ndërhyrje që do të vendoste në siguri të gjithë zonën e Phoinike-s: që është e mbrojtur nga ligji, por njëkohësisht e injoruar. Duhet të bëhet më shumë: duhet ruajtur, mbrojtur njëkohësisht restauruar dhe duhen dënuar ata që nuk respektojnë ligjet. Unë jam një i huaj në tokën shqiptare, por e dashuroj këtë vend dhe qytetarët e saj, dokumenteve historike të Shqipërisë, i kam dedikuar shumë vjet të jetës time si arkeolog dhe me mua edhe qindra studentë e të rinj që studiojnë e formohen, midis këtyre jo vetëm italianë, por dhe nga shumë shtete të tjera evropiane, të cilët kanë ardhur këtu për të mësuar dhe rritur njohuritë e tyre mbi historitë më të largëta të Shqipërisë, dhe për të rindërtuar të kaluarën që lidh Ilirinë me Greqinë, Romakët me Bizantinët, popuj dhe kultura të ndryshme.

Sandro De Maria, Profesor i Arkeologjisë Klasike në Universitetin e Bolonjës